PROPOZIM
Ali BREGU
PROPOZIM
Në sallë të Parlamentit
Ku vihen firmat e vulat,
Ju, më të mençmit e vendit
Hiqni të gjitha parullat!
Në tempull të shenjtëruar
Lini një me pakëz fjalë
Përmbi tribunë të shkruar:
“Të shpejtojmë mengadalë!”
NJË DEPUTETI
Nxënësi im, o deputet
Që mezi kalove klasën,
Ti ha pulën gjithë lezet
Mua rrogë më jep glasën!
Ku me hile, ku pa hile
Votat ty ne t’i dhamë,
U ngryse derr me zile
U gdhive top me dhjamë.
POZITËS
Kur dielli të perëndojë
Sikundër ndodh për çdo ditë,
Ngrije zërin, mos mbyll gojë
Errësirës t’i thuash dritë.
OPOZITËS
Kot më kot s’iu vura pranë
Si dy përrenj krejt të thatë
Kur të gëdhijë anë e mbanë,
Fike diellin, bëje natë.
TRAFIKANTI
Kur me ligj ndiqen trafiqet
Veç poeti s’mund të ndiqet.
Dhe në është duhet ta falësh
Të urtin, trafikant fjalësh.
22 Shkurt 2009