Partia Socialiste ka kërkuar që deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, të dorëzojë imunitetin. Në një deklarim për mediat, nënkryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Vasilika Hysi, tha se deputetja Vokshi duhet të dorëzojë imunitetin në mënyrë që t'i hapet rrugë drejtësisë për akuzat e lëshuara në adresë të saj. "Zonja Vokshi, në reagimin e saj tha se ishte gati të dorëzonte imunitetin, nëse akuzat mbi të do të vërtetoheshin. Në fakt, zonja Vokshi duhet të bëjë të kundërtën. Ajo, në fillim duhet të dorëzojë imunitetin për t'i hapur rrugën drejtësisë, e cila qoftë për zonjën Vokshi, qoftë për zotin Prifti, duhet të fillojë hetimet sa më shpejt lidhur me korrupsionin dhe vjedhjen e pasurisë së shqiptarëve. Nëse zonja Vokshi do të vazhdojë të fshihet pas mandatit të deputetes, atëherë nuk ka nevojë për deklarata të saja: akuzat janë automatikisht të vërtetuara. Ky është korrupsion i pastër dhe vjedhje e pasurisë kombëtare të shqiptarëve", - tha Hysi. Sipas PS-së, Vokshi është e implikuar në marrjen e disa pasurive publike në mënyrë jo të ndershme.