Partia Socialiste bëri publikë disa formularëve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve. Formularët i përkasin kompanive të kunatit të ministres Majlinda Bregu, zotit Hektor Ajazi.(UPDATE)

Sipas dokumentit më të hershëm, kompania e parë e regjistruar që në 2003, pra kur zonja Bregu nuk ishte ende ministre, është një kompani për ekxport-import mobiljesh. Kompania e dytë në kohë, është regjistruar më 15 shkurt të 2008, për aktivitet disko dhe tregtim me shumicë e pakicë të mallrave industrialë. Shoqëria e tretë, e regjistruar vetëm pak muaj më vonë, më 16 maj të 2008, ka si objekt projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentraleve të vegjël. Këto dokumentë e bëjnë Partinë Socialiste të arrijë në këtë përfundim.

"Kjo tregon se zoti Hektor Ajazi ka themeluar një kompani vetëm për të marrë koncesionin për ndërtimin e hidrocentraleve pa patur asnjë lidhje me këtë sektor", thotë deputetja socialiste, Olta Xhacka.

Akuzat e deputetes Xhacka vijojnë me bashkëshortin e ministres Bregu, zotin Namik Ajazi.

"Ministrja Bregu ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi nuk ka asnjë lidhje me fushën e energjisë. Kjo kompani, M.I.A. Internacional, ku burri i ministres është bashkëpronar me 30% të aksioneve por dhe përfaqësues ligjor i saj, ka si objekt biznesi "Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji."
Këtu ngrihet dyshimi: Mos vallë kompania e Hektor Ajazit, kunatit të Bregut, është guacka që fsheh burrin e ministres, për llogari të të cilit është marrë koncesioni? Dhe së fundmi Ministrja Bregu jo vetëm që ka gënjyer, por edhe ka shkelur ligjin e deklarimit të pasurive, ndërsa në deklaratat e saj vjetore nuk janë pasqyruar në asnjë rast as edhe një kuotë aksionesh te burrit të saj. Gjithkush e di se pasuria e bashkëshortëve quhet e përbashkët përpara ligjit, e si e tillë deklarohet nga të dy. Këtë detyrim ligjor, Ministrja e Integrimit nuk e ka permbushur në asnjë vit. Kjo është një tjetër shkelje flagrante e ligjit "për Deklarimin e Pasurisë" që mund të interpretohet lehtë si një tentativë për t'i hedhur hi syve opinionit publik mbi pasurinë e vërtetë të Ministres së Integrimit", shtoi Xhacka.