Partia Socialiste depozitoi dje në Kuvend projektligjin e firmosur nga 35 deputetë socialistë, i cili parashikon hetimin e plotë të zgjedhjeve. Në projektligj dhe në relacionin shoqërues, Partia Socialiste thekson faktin se hetimi Kuvendar nuk do të shërbejë për të ndryshuar vendimin e gjykatave apo rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm për të shmangur që në zgjidhjet e ardhshme të përsëriten të njëjtat parregullsi. Po ashtu, në relacionin përkatës, Partia Socialiste kërkon që objekti i hetimit të mos kufizohet, pra që në rast se do të jetë e nevojshme të hapen kutitë e votimit për të bërë vlerësimin e procesit të numërimit të votave. “Përmbajtja e objektit të hetimit Kuvendar që duam të kryejmë ka lidhje me çështje të tilla, si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës zgjedhore për personat e dënuar për vepra penale dhe çështje të tjera të lidhura me zbatimin e ligjit zgjedhor, që kanë lidhje direkt apo indirekt me problemet e përmendura në objektin e hetimit”, shprehen në relacion deputetët socialistë.


Projektligji


PëR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR Të KUVENDIT PëR TRANSPARENCëN E ZGJEDHJEVE Të PëRGJITHSHME Të MBAJTURA Në 28 QERSHOR 2009


Në mbështetje të nenit 77 të Kushtetutës, të neneve 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit" (të ndryshuar), si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh të grupit Kuvendar socialist,


KUVENDI


I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë


VENDOSI :


I. Ngrihet Komisioni Hetimor Kuvendar i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të realizuar transparencën e plotë të procesit të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 28 qershor 2009;


II. Objekti i punës së Komisioni Hetimor Kuvendar është:


a. hetimi i akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV-të;


b. hetimi i dyshimeve dhe akuzave të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit;


c. hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ në lidhje me dështimin apo mangësitë e shfaqura në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave;


ç. hetimi i akuzave publike për përdorim të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore;


d. hetimi i akuzave për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik, për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009, si dhe periudhën vijuese pas saj;


dh. hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009;


e. çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor dhe që do të rezultojë gjatë hetimit.


III. Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni, është i pakufizuar përsa i përket natyrës së materialeve, dokumenteve apo provave që kërkohen të administrohen nga organet përgjegjëse. Procesi i hetimit përveç dokumenteve apo provave të tjera që parashikon ligji në fuqi, do të përfshijë edhe këqyrjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit që ndodhen në kutitë e votimit nën administrimin e KQZ-së;


IV. Komisioni hetimor i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, me qëllim ndalimin përfundimtar të fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.


V. Komisioni Hetimor Kuvendar përbëhet nga 15 anëtarë, shumica të cilëve i përket partisë më të madhe të opozitës, që ka edhe kryesimin e komisionit.


Kryesia e Komisionit, në bazë të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002, "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", i takon Grupit Kuvendar të Partisë Socialiste.


Komisioni përbëhet si më poshtë:


1. PS - Kryetar


2. PS – Anëtar


3. PS – Anëtar


4. PS – Anëtar


5. PS – Anëtar


6. PS – Anëtar


7. PS – Anëtar


8. PS – Anëtar


9. PD – Nënkryetar


10. PD – Anëtar


11. PD – Anëtar


12. PD – Anëtar


13. PD – Anëtar


14. PD – Anëtar


15. PD – Anëtar


VI. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat që në çdo rast nuk mund të jetë më pak se 5 muaj dhe nuk duhet të tejkalojë kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit të mandatit të Kuvendit.


VII. Ngarkohen kryetarja e Kuvendit dhe sekretari i Përgjithshëm të krijojnë kushtet e nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të këtij komisioni.


VIII. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


KRYETARE


Jozefina Topalli (çoba)





Drafti 2, amendohet ligji për Komisionet Hetimore


Partia Socialiste ka propozuar një draft të dytë në seancën e djeshme plenare, i cili amendon ligjin për komisionet hetimore Kuvendare. Referuar mendimit që PS-ja ka kërkuar në ligj, do të jetë opozita ajo e cila do të marrë shumicën dhe kryesimin e çdo komisioni hetimor, pavarësisht se cila palë politike është në opozitë. Po ashtu, mendimi parashikon edhe moskufizimin e objektit të hetimit, si edhe disa afate kohore që duhen respektuar përsa i përket hetimeve të proceseve zgjedhore. Referuar propozimit të Partisë Socialiste, komisionet hetimore të Kuvendit, bashkë me raportin përfundimtar, mund t’i paraqesin Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, me qëllim ndalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për vlerësimin prej saj sipas procedurave përkatëse ligjore. Po ashtu, ndryshimet ligjore parashikojnë edhe afate përsa i përket kohës në të cilën mund të kërkohet ngritja e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme apo ato vendore. “Ky komision nuk mund të ngrihet në rast se kanë kaluar: 1) 6 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme të Kuvendit; 2) 3 muaj nga dita kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për qeverisjen vendore. Në çdo rast, veprimtaria e komisionit hetimor për hetimin e çështjeve që lidhen me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ose ato të qeverisjes vendore do të konsiderohet e përfunduar në kufirin e 24 muajve që paraprijnë ditën e mbarimit përkatësisht të mandatit të Kuvendit apo të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore”, thuhet në projektligj. Po ashtu, një ndryshim tjetër në ligjin për komisionet hetimore është edhe ai në nenin që parashikon objektin e hetimit. Partia Socialiste ka parashikuar që, në rastet kur objekti i hetimit të komisionit Kuvendar lidhet me zgjedhjet dhe shumica e anëtarëve të komisionit kërkon hapjen e kutive, atëherë kjo e fundit mund të realizohet. “Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve”, thuhet në projektligj.