Tiranë -Partia Socialiste theksoi këtë të martë, se qeveria ka dështuar në planin e saj për zbutjen e varfërisë në vend. Nënsekretari për programin Ilir Beqja theksoi se kryeministri Sali Berisha pranoi publikisht se, edhe pas 44 muajsh në qeverisje, shqiptarëve nuk u mjafton kafshata e qeverisë së tij për të dalë nga varfëria dhe se shërbimet dhe shërbesat e qeverisë së tij nuk arrijnë te shqiptarët e varfër.



“Shqiptarët sot janë të varfër sepse janë të papunë. Forcat aktive të punës prej vitesh nuk rriten. Është pikërisht varfëria, ajo që ua bëri të padurueshme jetën më shumë se 300 shqiptarëve në vitin 2008 dhe i dhanë fund asaj në mënyrë tragjike. Me gjithë këtë situatë rrëqethëse, kryeministri Sali Berisha vazhdon të gënjejë shqiptarët për dyfishim të përfitimeve sociale”-theksoi Beqja.



Në emër të Partisë Socialiste, ai shtoi se qeveria ka gënjyer me rritjen e pensioneve si dhe ndihmën ndaj shtresave në nevojë. Sipas Beqës, situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të rritjes së skajshme të çmimeve.

“Qeveria e ka rritur pagesën për blerje karburanti për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, por ata blejnë sot 15 litra naftë më pak në muaj se në vitin 2005. Dhe kjo ndodh sepse qeveria e Sali Berishës merr 430 lekë (të vjetra) taksa (akcizë dhe tvsh) për çdo litër naftë. Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, do të marrë 560 lekë (të vjetra) taksa për çdo litër naftë pas rritjes së akcizës mbrëmë në Kuvend”-tha më tej Beqja.