19/04/2012  Mblidhet Komisioni për Reformën Zgjedhore


Komisioni për Reformën Zgjedhore zhvilloi dje mbledhjen e tij të radhës, ku vendosi me konsensus miratimin e amendamenteve në Kodin Zgjedhor për zgjedhësit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve. Edhe pse e zhvilluar me dyer të mbyllura, zyra e shtypit e Kuvendit në njoftimin e saj bëri me dije se “pjesa e listës së zgjedhësve u miratua me rezervën e miratimit të kapitullit për sistemin e verifikimit në qendrat e votimit dhe udhëzimit që po përgatitet nga Ministria e Brendshme”. Dy javë para skadimit të afatit të vendosur sipas marrëveshjes së nëntorit të vitit të shkuar dhe pas apelit të ndërkombëtarëve, mësohet se reforma zgjedhore mund të përfundojë brenda muajit prill. Këtë e deklaroi dje bashkëkryetari socialist i Komisionit Damian Gjiknuri pas përfundimit të mbledhjes. Gjiknuri u shpreh optimist, duke nënvizuar se janë të gjitha mundësitë që komisioni të përmbyllë me sukses reformën. Ai theksoi se po punohet që në zgjedhjet e 20013-s të vihet në jetë sistemi elektronik i numërimit të votave. Deputeti Gjiknuri theksoi se kapitulli për të cilin është diskutuar ka të bëjë me përdorimin e lexuesit elektronik për kartat e identitetit në zgjedhje, ndërkohë që sipas tij kanë mbetur për t’u diskutuar edhe disa pika të nivelit teknik. “Them se jemi duke punuar intensivisht dhe janë të gjitha mundësitë që reforma të mbyllet brenda muajit. Jemi duke pritur një konsensus më të gjerë nga të gjitha partitë për sistemin zgjedhor, në reflektim të interesit të partive të vogla. Ne kemi pikëpamjet tona për sistemin zgjedhor dhe po presim që të kemi një konsensus gjithëpartiak për këtë”, - nënvizoi Gjiknuri, duke shtuar se për ankesat e parive të vogla për sistemin zgjedhor do të diskutohet javën e ardhshme.


Mbikëqyrja e listave


Në pikën 3 të nenit 50 të Kodit thuhet: “KQZ-ja mbikëqyr procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi. KQZ-ja i kërkon informacion DPGJC-së dhe votat numërohen elektronikisht njësive të qeverisjes vendore. Për shkeljet e konstatuara dhe për mosdhënie të informacionit KQZ-ja u vendos sanksione drejtuesve të institucioneve përgjegjëse në përputhje me këtë Kod.”


Shpallja e listave


Në pikën 1 të nenit 56 thuhet: “Zyra e gjendjes civile harton listën e zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve, duke nxjerrë nga të dhënat elektronike të RKGJC-së të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe që kanë vendbanimin në zonat e qendrave të votimit nën juridiksionin e saj. Lista miratohet nga kryetari i njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.”


Propozimet e reja të opozitës për reformën parlamentare


PS: Votim me zarf për presidentin


Një ditë pasi bashkëkryetari i mazhorancës, Jemin Gjana, deklaroi përfundimin e punës së Komisionit për Reformën Parlamentare, Partia Socialiste e kundërshtoi dje këtë, duke theksuar se nuk e cilëson të mbyllur punën për reformën parlamentare. Anëtari i PS-së Ditmir Bushati në një intervistë dhënë dje për mediet tha se me hapjen e lojës për zgjedhjen e presidentit të ri opozita ka propozuar një mënyrë të re votimi: atë me zarf. “Kjo do të thotë se çdo deputet do të votojë për kandidatin që dëshiron duke futur fletën e votimit në një zarf. Dhe kjo shmang kontaktin e deputetit me stilolapsin. Kjo është një garanci më e madhe për integritetin e votimit të fshehtë në rastin e Presidentit të Republikës”, – u shpreh dje Bushati. Deputeti socialist shpjegon më tej se propozimet janë depozituar në grupin e punës, por ende nuk ka një sinjal bashkëpunimi nga mazhoranca. “Në qoftë se janë dy njerëz, dy rivalë që kandidojnë për një post, duhet të hidhen të dy kandidatët menjëherë në votim. Pra, ne mund të arrijmë diçka të mirë në letër, ndonëse ende nuk ka një dritë jeshile nga ana e Partisë Demokratike për këtë çështje, por thelbi mbetet te mënyra se si do të zbatohet Rregullorja e Kuvendit. Dhe Rregullorja është letër, por mbi të gjitha është frymë”, - nënvizoi Bushati.