Fidel Ylli


Opozita reagon ashpër pas incidentit të deputetit të PD-së në stadiumin e Peqinit.


Ylli: Turp që e kam koleg, Sula: Po u vërtetua dorëhiqem.


Opozita reagoi dje ndaj incidentit në stadiumin e Peqinit, ku deputeti demokrat, Dashnor Sula, ka përdorur pistoletën.

Në profilin e tij në Twitter, kryesocialisti Edi Rama shkroi se vetëm në Shqipërinë e Saliut deputeti mund të qëllojë me armë në stadium dhe ministri të thotë mos ia vini re, kishte fishekë manovre!. Gjatë paradites së djeshme, deputeti socialist Fidel Ylli akuzoi deputetin Sula se në mënyrë të përsëritur ka dhunuar sportin dhe sportistët. Mua më vjen turp për këtë person dhe jam shumë i indinjuar që një koleg i imi të përdorë edhe emrin e familjes, në një kohë që ju të gjithë i keni të regjistruara rastet skandaloze të tij, dhunën dhe grushtat në sy të mediave që i ka drejtuar arbitrave dhe të nesërmen ka dalë dhe ka kërkuar falje. Ai nuk duhet të jetë pjesë e parlamentit shqiptar, nuk duhet të jetë një koleg i joni. Pasi ne kemi për të detyrë të bëjmë ligje të mira, kemi për detyrë që këto ambiente sportive ti kthejmë në interes të publikut. Për të disatën herë deputeti i PD-së, Dashnor Sula, dhunon gjyqtarët, dhunon arbitrat, dhunon gazetarët, dhunon gjithçka që i del përpara dhe prish imazhin jo vetëm të tij si deputet, po prish imazhin e qytetit dhe qytetarëve dashamirës të Peqinit, të një qyteti që ka nxjerrë edhe


Deputeti i Peqinit, Dashnor Sula


kampionë Europe dhe bote në sporte të ndryshme, u shpreh Ylli. Ai shprehu habi se si kryetarja e Parlamentit, por dhe Grupi Parlamentar i PD-së nuk reagojnë ndaj këtyre sjelljeve. Habitem me kryetaren e Parlamentit. A e ka thirrur ndonjëherë këtë deputet për këto raste të përsëritura, në Laç, në Tiranë, në Peqin dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku nga viti 2002 deri në 2010 janë 4-5 raste po nga i njëjti person, që krijon dhunë nëpër stadiume. Habitem me Kryeministrin e Shqipërisë, që na flet për 12 prioritetet që Shqipëria duhet të shkojë në BE. Si nuk e thërret njëherë këtë deputet për të ndalur dhunën?! Habitem me Grupin Parlamentar të PD-së, si nuk mban një qëndrim për këtë deputet, i cili nëse nuk do të kishte imunitetin e deputetit, të jeni të sigurt që vendimet me raste të përsëritura do të ishin me burgim, u shpreh deputeti socialist. Vetë Sula, duke folur dje në Vizion Plus, mohoi gjithçka dhe tha se do të dorëzonte imunitetin e deputetit nëse kjo ngjarje do të ishte e vërtetë. Ka pasur festë, sepse Bashkia kishte dërguar në stadium fishekzjarrë, ka pasur në stadium bilbila, por kurrsesi në mënyrë kategorike nuk ka pasur të shtëna armësh. Është vënë gishti tek unë dhe unë e kam aq burrëri të them se kjo është e vërtetë. Por, nuk ka asgjë të vërtetë, nuk ka pasur armë. Nuk është e vërtetë në mënyrë absolute. Jo që nuk kam përdorur armë, por nuk kam përdorur qoftë dhe një fjalë fyese ndaj arbitrave të ndeshjes apo ndaj lojtarëve të Flamurtarit. Po ju them shumë sinqerisht se nëse del një person i vetëm të drejtojë gishtin drejt meje se kam ofenduar me fjalë të pista apo kam fyer një person të vetëm, po ju them jo që nuk shkel më në stadium, por jap dorëheqjen si deputet, u shpreh Sula.


Braçe kundër Yllit: Ndjekje penale, jo habi


Erjon Braçe


Anëtari i Kryesisë socialiste dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, ironizoi dje në adresën e tij në Facebook qëndrimin e PS-së për rastin Sula në stadiumin e Peqinit. PS është shumë e habitur që deputeti Dashnor Sula ka qëlluar me armë në stadiumin e Peqinit. Madje, PS-ja është shumë e habitur që Kryeministri e kryetarja e Kuvendit nuk e thërrasin deputetin Dashnor Sula e ti tërheqin vëmendjen. Madje-madje, PS është akoma më e habitur që ministri i Kulturës paska thënë që deputeti Dashnor Sula paska qëlluar me fishekë manovër. Po mirë, çfarë është ky? Qëndrim politik? Këtu paskemi arritur, te habia? Si ka mundësi që tani kemi filluar të artikulojmë habi dhe jo qëndrim publik e politik? Dashnor Sula duhet të hetohet penalisht! Gjithçka që ka bërë në stadiumin e Peqinit shkon nga kundërvajtje penale deri në krim penal. Krimi nuk ndëshkohet me habi! shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook.