Kërkesa e 35 deputetëve: Komisioni për të hetuar shkeljen e ligjit gjatë veprimtarisë së organeve drejtuese të administratës dhe shërbimeve të Kuvendit
Një ditë pasi deputeti Sajmir Tahiri paraqiti në Gjykatë Kushtetuese një padi ndaj Kuvendit të Shqipërisë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste ndërmerr një tjetër hap në këtë drejtim, por kësaj here për të hetuar të gjithë veprimtarinë administrative të këtij institucioni. Rreth 35 deputetë socialistë kanë firmosur dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor kuvendor për hetimin e drejtimit dhe të veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005 - dhjetor 2010. Ndryshe nga sa kishin paralajmëruar në kërkesën e firmosur dhe që pritet të dorëzohet sot zyrtarisht në protokoll, nuk përmendet emri i kryeparlamentares Jozefina Topalli, pasi në të flitet vetëm për funksionet drejtuese dhe jo për emrat konkretë. Komisioni hetimor që kërkohet nga socialistët propozohet të ketë 11 anëtarë, 5 nga opozita dhe 6 nga mazhoranca, me drejtim socialist. Ndërkohë që koha brenda së cilit duhet të veprojë ky komision kërkohet të jetë 4 muaj.
Kërkesa e PS-së
Në përputhje me nenin 77 pika 2 e Kushtetutës dhe nenet 3 dhe 5 të ligjit Nr. 8891 datë 02.05.2002 për “Organizimin dhe funksionimin e Komisioneve hetimore të Kuvendit”, 35 deputetë të Kuvendit paraqesin këtë kërkesë për ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor për të hetuar shkeljen e ligjit gjatë veprimtarisë së organeve drejtuese të administratës dhe shërbimeve të Kuvendit si dhe shkaqet që kanë çuar në këto shkelje me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe organizativ e dhe adresimin e tyre në mënyrë përfundimtare me anë të rekomandimeve përkatëse për Kuvendin. Kërkesa për hetimin merr shkas në radhë të parë nga kritikat e vazhdueshme të adresuara nga institucionet ndërkombëtare apo partnerët ndërkombëtarë që asistojnë vendin tonë në proceset integruese të vendit. Është fakt i njohur publikisht që në Opinionin e Komisionit Europian mbi aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në nëntor 2010 u parashtruan një numër kritikash serioze për gjendjen dhe progresin e institucioneve demokratike në vend, kritika që çuan në refuzimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ndërmjet institucioneve më të kritikuara është dhe Kuvendi, pikërisht për rolin kyç që luan në kuadrin e reformave integruese në vend.
Vlerësimet kritike të sipërpërmendura diktojnë nevojën e një hetimi të thellë në lidhje me shkaqet dhe praktikat administrative dhe drejtuese që kanë çuar në një vlerësim të tillë, duke nxjerrë përgjegjësitë konkrete dhe duke rekomanduar dhe planifikuar masat korrigjuese për të ardhmen. Një pjesë e tyre lidhen pazgjidhshmërisht me rolin dhe funksionimin e organeve drejtuese të Kuvendit dhe shërbimet e Administratës së Kuvendit.
Sekretariati i Kuvendit është përgjegjës për administrimin dhe kontrollin e një prej komponentëve më të rëndësishëm të funksionimit parlamentar, buxhetin dhe shpenzimet. Në realitet gjatë dy viteve të fundit ky sekretariat nuk ka funksionuar fare, duke mos u thirrur dhe vënë në dijeni anëtarët e opozitës, apo duke mos u vënë në dispozicion asnjë informacion zyrtar në lidhje me të dhënat financiare, shpenzimet apo për veprimtarinë e ekzekutimit të Buxhetit të Kuvendit.
Sekretariati i Kuvendit ka refuzuar t’u përgjigjet kërkesave e të vërë në dispozicion të sekretarit të Buxhetit, përfaqësues i opozitës, Buxhetin e Kuvendit për vitet 2009, 2010. I njëjti qëndrim refuzues është mbajtur edhe ndaj kërkesave të përfaqësuesit të opozitës lidhur me shpenzimet për investime të rëndësishme në Kuvend.
Të njëjtat shkelje konstatohen dhe në funksionimin e Byrosë së Kuvendit, e cila, sipas rregullores, është organi më i lartë që vendos për anën administrative dhe funksionimin e brendshëm të Kuvendit dhe vendos për strukturën organike, buxhetin, trajtimin ekonomik të punonjësve si dhe emërimin e Sekretarit të përgjithshëm, duke ndikuar direkt në të gjitha shërbimet e Kuvendit. Në realitet ky organizëm nuk ka funksionuar fare, përveç në rastet e marrjes së masave disiplinore, ndërkohë që një nga detyrat bazë që ka është vendimmarrja lidhur me financat, hartimin e buxhetit, planet e investimeve të Kuvendit, apo çështje të tjera që kanë të bëjnë me trajtimin e deputetëve. Më konkretisht, Byroja nuk është mbledhur për të diskutuar në lidhje me:
Vendimin për Kompleksin Parlamentar, procedurat e mëparshme, dështimin e tyre.
Hartimin e Buxhetit të vitit 2011
Propozimet për vendimin e Kuvendit nr. 35, dt 20.05.2010 “Për një ndryshim dhe shtesë në vendimin e Kuvendit, nr. 68, dt. 20.02.2003 ‘Për trajtimin e deputetëve’”, i ndryshuar.
Për emërimin e Sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit dhe organizimin e procedurave të konkursit për të, gjë që përbën shkelje të nenit 11 të Rregullores së Kuvendit dhe legjislacioni për statusin e nëpunësit civil.
Konstatohen lëvizje të shumta të personelit dhe stafit civil të administratës së Kuvendit, emërime me natyre politike ose nepotike, si dhe refuzim të zbatimit të vendimeve të gjykatave për kthimin e punonjësve në vendet e mëparshme të punës. Të dhëna të tjera të dokumentuara hedhin dyshime të forta mbi fryrje të shpenzimeve financiare për administratën e Kuvendit, shpërdorim të financave të Kuvendit për aktivitete të natyrës politike në funksion të drejtuesit të Kuvendit, cungim dhe mbajtje të pagave dhe trajtimit financiar të deputetëve në kundërshtim me vendimet në fuqi, abuzim dhe diferencim në trajtimin e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës përsa i përket pagave dhe përfitimeve të tjera që lidhen me detyrën e deputetit, abuzime me procedurat për vlerësimin dhe tjetërsimin e automjeteve në pronësi të Kuvendit.
Një problem që kërkon hetim është dhe sistemi elektronik i votimit të deputetit, i cili shpesh paraqet probleme në reflektimin e votës së deputetit.
Gjetjet dhe analiza e gjetjeve jo vetëm që do identifikojnë shkaqet e fenomeneve të vërejtura dhe përgjegjësitë konkrete, por do ndihmojnë në formulimin e rekomandimeve për një reformë të mundshme parlamentare.
Tabelë
Objekti i punës së Komisionit hetimor është:
a) Hetimi i veprimtarisë së organeve drejtuese të sipërcituara
b) Hetimi i veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit
c) Hetimi i byrosë së administratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës
d) Hetimi i procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit
e) Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij
f) Hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit
g) Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij