Pas betimit në Kuvend, deputetët socialistë nuk do të futen më deri në momentin që mazhoranca të miratojë draftet. PD pret Venecian



Kreshnik KUçAJ


Prania e të zgjedhurve socialistë të 28 qershorit 2009 në punimet e ardhshme të Kuvendit është kryekëput në varësi të hapit dhe vendimmarrjes politike e shumicës pushtetmbajtëse për të pranuar nëpërmjet dialogut dhe bashkëbisedimit, të dy propozimeve ligjore që u dorëzuan paditen e djeshme në Kuvend. Ashtu sikurse e paralajmëroi edhe kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në seancën e pasdites së djeshme, tashmë shumica e kryeministrit Sali Berisha do të duhet të miratojë dy draftet që përfshijnë hapjen e kutive për të kthyer sërish opozitën në Kuvend. Ndërkohë, sot ose të hënën pritet që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të përfshirë në kalendarin e punimeve dy draftet e Partisë Socialiste. Burimet në Partinë Demokratike bëjnë të ditur se ekziston mundësia që aleatët qeveritarë të miratojnë të gjitha pikat e propozimeve të Partisë Socialiste, me kushtëzimin e vetëm që, fillimisht, për hapjen e kutive të pritet vendimi i Komisionit të Venecias, nëse duhen hapur apo jo kutitë e votimit. Ndërkohë, pushtetarët e pas 28 qershorit do t’i kërkojnë opozitës që të marrë pjesë në komisionin hetimor kuvendar që do të ngrihet për të hetuar fillimisht çështjet e tjera të ngritura nga PS-ja që nuk prekin kutitë e votimit, si presioni mbi administratën apo lirimi i të burgosurve të rrezikshëm. Pavarësisht kësaj, ende nuk është e qartë se cili mund të jetë reagimi i Partisë Socialiste kundrejt këtij propozimi të mazhorancës, edhe pse në parim PS-ja ka kërkuar miratimin e të gjitha pikëve të drafteve të propozuara prej saj. Propozimet e Partisë Socialiste, të cilat përfshijnë amendimin e ligjit për komisionet hetimore dhe miratimin e një ligji të veçantë për komisionin hetimor që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, pritet që të fusin sërish në debate palën shumicë dhe opozitën, duke i detyruar deputetët socialistë që në vend të karriges në sallën e Kuvendit, të zgjedhin sheshin përpara Kryeministrisë, ku mbështetësit e opozitës do të jenë duke protestuar për transparencën zgjedhore. Organizimi i protestave popullore nga opozita është parashikuar që të bëhet në ditët e para të muajit mars, pra duke filluar që nga java e ardhshme, kur pritet që të skadojë afati që qeverisësit të japin përgjigje ndaj drafteve të propozuara.




Rama refuzon ftesën e Topallit



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mungoi në seancën e djeshme kuvendare, edhe pse ishte ftuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që ta ndiqte seancën nga lozhat. Ftesa e kryeKuvendares Topalli ka mbërritur paraditen e djeshme në selinë e Partisë Socialiste, por mungesa e Ramës në seancën e pasdites së djeshme la të kuptohej edhe përgjigjen e shefit të opozitës. Ndërkohë, në seancën e djeshme u vërejt prania e një sërë ambasadorësh të akredituar në Tiranë, mes të cilëve ai i OSBE-së, Robert Bosh dhe ai i Spanjës që ka kryesimin e radhës së Bashkimit Europian, Manuel Montobio de Balanse.





Topalli letër Asamblesë së KE-së


PS po kryen një formalitet


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vënë në dijeni Asamblenë Kuvendare të Këshillit të Europës për vendimin e Partisë Socialiste për t’u futur në Kuvend. Ky fakt u bë i ditur nga kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në seancën e djeshme Kuvendare. Sipas Ruçit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vënë në dijeni Asamblenë Kuvendare të Këshillit të Europës, duke shkruar se Partia Socialiste po futet në Kuvend. Por drejtuesi i lartë socialist kritikoi faktin se në letrën e asaj, Topalli shkruan se opozita po futet në Kuvend vetëm për të kryer një formalitet dhe jo për të zgjidhur krizën politike. Duke kundërshtuar këtë konstatim të kryeKuvendares shqiptare, Ruçi tha se opozita është futur në Kuvend jo vetëm për të bërë betimin, por për të zgjidhur krizën politike, prandaj edhe ka bërë propozimet konkrete, duke dorëzuar dy draftet që zgjidhin krizën.