Vlorë

Anëtarë të Partisë Socialiste dhe dhjetëra qytetarë vlonjatë kanë bllokuar dje në shenjë proteste hyrjen e qytetit. Shkak për protestën 30 minutëshe është bërë sulmi i tri ditëve më parë ndaj deputetit të selisë rozë, Eltar Deda. Protestuesit, të kryesuar nga drejtues të degës lokale të PS-së, kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë si mbrojtëse të krimit. Kreu i grupit të socialistëve në këshillin bashkiak, Kujtim Sulçe, ka theksuar se kriza politike dhe ekonomike po dëmton qytetin e Vlorës dhe po prek gjithmonë e më shumë sigurinë e qytetarëve. Ndërkaq, sekretari i PS-së, Edmond Leka, ka deklaruar për mediat se përballë akteve të tilla kriminale, pa dallim force dhe bindjesh politike, duhet që shteti të ndërhyjë dhe të jetë i pranishëm për të garantuar sigurinë. Deputeti i PS-së për Vlorën, Eltar Deda, është shprehur se kriza politike, ekonomike e sociale ka përfshirë jetën e çdo qytetari. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë për neglizhencë dhe korrupsion. Gjithashtu u ka bërë thirrje strukturave shtetërore të bëjnë punën e tyre dhe të jenë prezent në qytet. Më tej ai ka deklaruar se PS-ja do të garantojë gjithmonë e do të punojë për sigurinë e qytetarëve të Vlorës.








#