Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e maxhorancës numrin e punonjësve për tre organet e vettingut: Komisionin e  Pavarur të Kualifimit, Komisionerin publik dhe  Kolegjin e Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.


 Në total për këto organe janë miratuar vetëm 113 punonjës nga 185 që ishte kërkuar prej tyre. Seanca u zhvillua me debate të ashpra mes opozitës dhe maxhorancës por dhe vetë krerëve të këtyre institucioneve të cilët kërkuan tu plotësohen kërkesat lidhur me numrin e punonjësve.


 Kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj tha se ajo që kërkonin nuk ishte luks por një strukturë efikase për të kryer sa më mirë detyrën që u ishte ngarkuar


Natasha Mulaj: Ne kemi propozuar një strukturë të cilën e kemi mbështetur në ligjin që e keni krijuar vetë. Nuk e kemi krijuar ne, dhe e kemi reduktuar aq sa nuk mundemi më ta reduktojmë. I qëndrojmë asaj.


Në të njëjtën linjë ishte dhe kryetarja e Komisionit të Kualifikimit Genta Bungo dhe Komisioneri publik


Genta Bungo: Në emër të kolegëve dua të them që do të ishim shumë të lumtur të kishim atë strukturë por meqë ne jemi shumë të qartë për cfarë jemi zgjedhur, për cfarë ju na keni votuar, jemi shumë dashamirës të nisim mjenjëherë punën dhe nuk do të donim më shumë vonesa


Kërkesat u mbështetën dhe nga opozita. Nënkryetari i komisionit të Ligjeve Eduard Halimi tha se PD jo vetëm mbështet kërkesat e këtyre organeve por propozon dhe shtim akoma më shumë të stafit këshilltar për komisionerët.


 Eduard Halimi: Shprehim mbështetjen ndaj të gjithë procesit të vettingut që ai të realizohet në mënyrë të pavarur nga organe të pavarura dhe të pakontrolluara nga qeveria.


Mbështesim cdo kërkesë për burime njerëzore e financiare për organet e vettingut


Pro kërkesave të organeve të vettingut ishte dhe LSI.


Ndërsa maxhoranca nuk ishte në unison. Deputeti Saimir Tahiri propozoi të plotësoheshin kërkesat.  Deputetja Vasilika Hysi tha se përfaqësuesit e këtyre organeve kërkonin një shtim të pagës së tyre me trefishin e asaj që ishte përcaktuar.


 Saimir Tahiri: Ftoj kolegët e maxhorancs të kenë një lloj fleksibiliteti sepse nuk na kushton shumë të mbështesim kërkesat e kësaj trupe që ne presim të bëjnë shumë, edhe qytetarët presin të bëjnë akoma më shumë. Ndoshta kjo duhet përputhur me kornizën ligjore dhe kjo është cështje ekspertësh


Vasilika Hysi: Një komisioner publik kërkohet të marrë 10 mln lekë të vjetra në muaj. Këshilltarët të marrin 80% të pagës së komisionerit publik,por jo me këtë shtesën por mbi 3 milionë lekë. Ndërsa Kolegji i Apelimit ka ardhur këtu dhe kërkon një pagë 11 milione lekë në muaj.


Në përfundim opozita nuk pranoi të merrte pjesë në votim ndërsa deputeti Tahiri votoi një nga tre propozimet


/Oranews.tv/ 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter