Vaso Naço


 Ura e Golikut (2)Ura e Golikut si shumë monumente, pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore është lënë në harresë, askush nuk interesohet, askush nuk e mirëmban, askush nuk ndërhyn, madje edhe më keq akoma, disa të papërgjegjshëm, me kazma, lopata dhe detektorë metali i prishin qetësinë shumëvjeçare. Ajo ndodhet në zonën e Mokrës, 40 km larg qytetit të Pogradecit mbi lumin Shkumbin në fshatin Golik. Është ndërtuar në shek XVIII dhe klasifikohet si monument kulture i kategorisë së parë. Ura e Golikut është 17 m e gjatë, 3 m e gjerë dhe 10 m e lartë. Është urë me dy qemerë në formë gjysmërrethore, midis tyre gjendet një dritare shkarkuese (edhe kjo me qemer gjysmërrethor), dhe në kolonën midis dy harqeve, nga ana e ardhjes së ujit është ndërtuar një shpore (çarës uji, karakteristikë që e kanë shumica e urave me dy ose më shumë qemerë në Shqipëri).  Ura është ndërtuar me gurë të gdhendur, ku bie në sy pjesa e poshtme e qemerit e cila ka gurë të mëdhenj dhe të punuar mirë, kjo jo thjesht për estetikë, por për ta bërë strukturën më solide dhe më të fortë. Sot dëmtimet janë të shumta dhe kanë ndodhur si pasojë e kohës, kushteve natyrore, dhe dorës shkatërrimtare të njeriut.


Ura e Golikut (1)


Nga vëzhgimi që kam bërë, kam evidentuar katër dëmtime shumë serioze, që vënë në dyshim ekzistencën e urës: Krisje në harkun kryesor, e cila është një krisje gjatësore që rrezikon ndarjen e harkut në dy pjesë, ky dëmtim mund të ketë ardhur si pasojë e kohës, peshës që ushtrohet dhe bimësisë që prej vitesh ka pushtuar urën. Dëmtimi në bazamentin e urës është bërë nga thesar-kërkues dhe firma ose individë që mbledhin inerte. Me kalimin e kohës përveçse dorës së njeriut edhe vërshimi i ujit ka dëmtuar seriozisht bazamentin dhe rrezikon plotësisht shkatërrimin e monumentit. Dëmtimi nga thesar-kërkuesit nuk është vetëm në bazament, por edhe në sipërfaqe. Nga gërmimet e tyre janë hapur gropa të cilat zmadhohen çdo ditë si pasojë e strukturës jo solide dhe shirave që e gërryejnë.


Bimësia që ka rrënjët e saj në urë dhe i ka marrë frymën, me kalimin e kohës  fuqizohet, rrënjët rriten dhe spostojnë gurët duke dëmtuar strukturën dhe krijuar krisje. Është koha që të ndërhyhet në këtë monument, pasi dëmtimet janë në fillesat e tyre, dhe një ndërhyrje tani do të ishte minimale duke mos cenuar vlerat dhe origjinalitetin në ndërtim që mbart ura. Ndërhyrja është shumë e rëndësishme edhe sepse ura është funksionale edhe sot dhe u shërben banorëve të zonës për transport. Nëpërmjet saj banorët e fshatit Golik dhe Zalltorë kalojnë Shkumbinin, dhe lënia në harresë do të izolonte këta fshatra, dhe do të kishte kosto shtesë për ndërtimin e një ure të re, pa asnjë vlerë historike, por thjesht si diçka që lidh dy brigje të cilat i ndan një lumë. Një rëndësi shumë të veçantë ka ndërgjegjësimi i komunitetit të zonës, sepse mbrojtja me e mirë duhet të vijë nga ata vetë, duke e mirëmbajtur dhe duke mos lejuar thesar-kërkuesit, që kurrë nuk gjetën thesarin fantazmë aq shumë të ëndërruar, të shkatërrojnë çju del përpara. Banorët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për vlerat historike të këtij monumenti dhe për funksionalitetin që ai ka. Nëpërmjet programeve arsimore dhe diskutimeve duhet që banorët të bëhen pjesë e projektit restaurues, për tu rritur atyre ndërgjegjësimin, për tu shpjeguar rëndësinë si edhe për tu dhënë një informacion që mund ta ndajnë me familjarët, fqinjët dhe turistët që mund të vizitojnë zonën. Më e mira për një monument nuk është ndërhyrja, por mosndërhyrja dhe mirëmbajtja, por ura e Golikut ka nevojë për një restaurim të përgjegjshëm dhe profesionist në përputhje me rregullat strikte të UNESCO-s. Kambanat e alarmit po bien fort për shumë monumente që dita-ditës po katandisen si mos më keq, duhet të bëjmë diçka të vogël sot për të shpëtuar gjëmën e madhe të së nesërmes.


Ky shkrim PSE DUHET RESTAURUAR URA E GOLIKUT u publikua me pare te Gazeta SHQIP.