Paris Saint Germain po vrapon drejt mbylljes së llogarive me titullin kampion të Francës, sa më shpejt të jetë e mundur, teksa sot regjistroi edhe fitoren e 10 radhazi, në po kaq ndeshje të kampionatit.


Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel vinte në këtë sfidë pa brazilianin Neymar, që ishte lënë pushim, por që gjithsesi, nuk vuri për asnjë moment në diskutim suksesin, dhe në fund triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Amiensit.


Kryeqytetasit, të frymëzuar nga argjentinasi Di Maria me dy asiste, shënuan dy herë në pjesën e parë, fillimisht me kapitenin Marquinhos dhe më pas me anë të mesfushorit Adrien Rabiot.


Në pjesën e dytë ishin Mbappe, Draxler dhe Diaby, që kompletuan një mbrëmje me 5 yje për skuadrën e PSG-së ,që tashmë kryeson kampionatin me 30 pikë, 11 më tepër se Lille ndjekëse.


Për më tepër, në këto 10 javë, skuadra e Tuchel ka shënuar plot 37 gola dhe ka nxjerrë vetëm 5 herë topin nga rrjeta, duke treguar se mbrojtja e titullit kampion është thjesht çështje kohe.


20 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)