Luan Shtëpani

Viti 1991, muaji shkurt. Ftohtë, një dimër i ashpër në Shqipëri, megjithatë shqiptarët nuk do të përkuleshin përpara vështirësive. Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe momenteve dramatike që kulmonin në vendet ish-komuniste transmetonin erën e lirisë dhe të demokracisë edhe në Shqipëri. Lëvizja Studentore e dhjetorit 1990, themelimi i Partisë Demokratike dhe i partive të tjera opozitare si dhe i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare i dhanë impuls të paparë fillimit të pluralizmit politik në vend. Lëvizja Studentore frymëzoi gjithë popullin, por shteti komunist nuk donte të dinte për asgjë. Ai e ndiente veten akoma të fortë. Kishte çdo gjë në dispozicion; pushtetin, ushtrinë, policinë dhe Sigurimin e shtetit. Diku hapur e diku fshehur po vazhdohej me metoda të sofistikuara. Protestat e BSPSH-së shpërndaheshin me dhunë, ishte gjendje e jashtëzakonshme. Populli ishte i gjithi në revoltë, varfëria e madhe e kishte hedhur në grevë urie, diktatura nuk po mposhtej. Të futurit e tyre, “pardesytë e bardha”, u infiltruan kudo në organizatat demokratike. Edhe në BSPSH nuk mungonin. Fillimisht ishin të paktë, por kur kjo u bë e rrezikshme edhe këtu vërshuan ata. Në këtë gjendje kaotike pedagogët dhe studentët e Universitetit të Tiranës kërkuan heqjen e emrit të universitetit. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë do të kalohej në grevë urie. Qeveria komuniste nuk e pranoi kërkesën e tyre. Për pasojë filloi greva.
Konsulta
Studentët e pedagogët u konsultuan dhe patën ndihmën e BSPSH-së. Çdo ditë përfaqësia e studentëve takohesh me drejtuesit e BSPSSH-së, Gëzim Shima dhe Eqerem Kavaja. Nëpërmjet sindikatës së Kombinatit Ushqimor furnizoheshin grevistët me sheqer dhe qumësht të domosdoshme, kur bëhet fjalë për grevë urie. Gjendja e shëndetit nga dita në ditë po rëndohej. Drejtuesit e BSPSH-së më datë 15.02.1991, pas bashkëbisedimit me përfaqësuesit e studentëve, e kuptuan se qeveria e asaj kohe e kishte vendosur: “Asnjë tolerancë për studentët”. Ajo tashmë nuk donte t’ia dinte për askënd. Studentët dhe pedagogët përshpejtuan kohë, ndaluan diktaturën dhe hapën dyert, ky hyri me forcë era e lirisë. Kishte ardhur momenti më delikat në historinë e kombit shqiptar. BSPSH-ja e kuptoi lojën dhe e pranoi sfidën përballë qeverisë. Pak kohë më parë studentët dhe pedagogët u lanë në mëshirën e qeverisë, duke u tradhtuar nga pardesybardhët që i shoqëronin kudo. Pas këtyre “koka e turkut” ishte Sindikata. Na ato kohë Shqipëria numëronte 900 mijë punonjës. Më datë 16.02.1991 u bë një mbledhje operative me themeluesit e BSPSH-së, G. Shima, E. Kavaja, F. Temali, H. Melasi, V. Rrapaj , K. Shtini, ku u vendos që greva të fillojë më 20 shkurt. Për këtë u bë konsultë me mjaft sindikalistë të Tiranës, si: D. Dumi, A. Kurti, B. Kalleshi. Xh. Çullhaj, B. Kurti, G. Zhiti, Z. Ceka, G. Rushaj, F. Sula, D. Hasani, V. Qendro, M. Kabashi, S. Seriani, I. Kambo, L. Gjepali, Gj. Floriri dhe një grup sindikalistësh nga Fushë Arrëzi dhe Puka. Me ndihmën e sindikalistëve në rrethe (në atë kohë BSPSH-ja nuk kishte degë në të gjithë vendin), u vunë në dijeni të gjithë naftëtarët e Shqipërisë, minatorët e pellgut qymyrguror Korçë – Pogradecit (Ll. Gërcaliu). Më 18.02.1991 u bë mbledhja e kryetarëve të sindikatave të ndërmarrjeve të Tiranës, ndërsa më 19 paradite u bashkërenduan planet me drejtuesit e ish-të persekutuarve politikë. Mjaft gjëra nuk bëheshin publike ose mediatike, pasi në BSPSH ose në sindikatën e minatorëve kishin arritur të infiltroheshin “pardesybardhët”.
Takimi
Po në këtë ditë, në Pallatin e Kulturës u organizua, në orën 17:00, nga BSPSH-ja, një mbledhje për t’i dhënë karakter mbarëpopullor, ku morën pjesë prindër dhe të afërm të studentëve, të cilët me diskutimet e tyre elektrizuan sallën. “Qeveria, me metoda të vjetra kërkon të ecë në rrugë të reja”, - tha në këtë takim z. Gëzim Shima, duke nënvizuar se BSPSH-ja dhe i gjithë populli janë të preokupuar për fatin e studentëve, këto nuk i përkasin vetëm familjes, por gjithë popullit dhe kombit shqiptar. Këto janë politikanët dhe qeveritarët e së nesërmes, të zhvillimit të vendit dhe bashkimit të kombit. BSPSH, “përroi i hekurt”, pavarësisht nga çmimi do të jetë në krah të studentëve do t’i nxjerrë ato nga greva vetëm atëherë kur të jenë plotësuar kërkesat e tyre. Në këto momente u bë thirrja që të gjithë të mblidhen te studentët me sloganin ”Do t’i shpëtojmë ata, se nuk kaq forcë për të ndaluar ecjen përpara”. Të nesërmen, më 20 shkurt, ora tetë, G. Shima dhe E. Kavaja, të shoqëruar nga I. Abazi, F. Merkoçi, Andrea etj., u takuan tek ish-stadiumi i lojërave me dorë, sot kompleksi i fëmijëve “7 Xhuxhët” . Gjatë kësaj kohe një autoblind qëndronte në rrugë, 50 metra larg stadiumit, e shoqëruar me policë, ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, të cilët ruanin dhe kontrollonin institucionet qeveritare, Bllokun, TVSH-në. Grupi u nis dalëngadalë për te studentët. Sindikalistët e Tiranës, në bazë ndërmarrjeje, dalloheshin për rregullin dhe entuziazmin. Simpati të veçantë fituan minatorët e Tiranës. Te çdo qytetar dukej siguria për fitore. Sapo në shesh hynë sindikalistët, studentët shpërthyer në thirrje: “Ne do të fitojmë”. Në godinë futet kreu i BSPSH-së. “Kujtuam se nuk do të vinin”, - tha njëri prej tyre. “Mendonim se nuk ju lejonte policia”. Në bisedë me studentët kreu i sindikatave Shima, tha se përfaqësia do të qëndronte aty derisa kërkesat e studentëve të plotësoheshin. Pas gjithë këtyre peripecive, në mbrëmje, ish-presidenti komunist Alia mblodhi të gjitha partitë politike, BP-në dhe Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë. Aty u hodh teza se BSPSH–ja është organizatë e paligjshme, ndërsa të infiltruarit pardesybardhë e cilësuan organizatë “fantazmë”, por që në fakt ishte e mirorganizuar dhe demokratike.

Sindikalisti, protagonist kryesor

Fatmir Merkoçi tashmë ka hyrë në histori për guximin, kurajën në ato vite të vështira. Për herë të parë në verën e vitit 1990 Fatmiri do të përballej vetë fizikisht me diktaturën. Ai arrestohet dhe mbahet një muaj duke u torturuar si pjesëmarrës në demonstratën e heshtur në sheshin ”Skënderbej”. Pak muaj më vonë ai do të hynte përgjithnjë në listat e “zeza” të Sigurimit si një ndër organizatorët e shpërthimit të ambasadave më 2 korrik. “Fillimi i Lëvizjet Studentore na bëri më koshientë për rrugën që kishim nisur. Këtë gjë ne e treguam konkretisht në ditët e grevës së urisë të studentëve, duke iu gjendur atyre pranë që në minutat e parë të sakrificës sublime.
Në mëngjesin e 20 shkurtit, duke dalë nga shtëpia, mora me vete një flamur që e kisha trashëguar nga gjyshi, ku bashkë me një grup shokësh të punës dhe drejtuesit e BSPSH-së morëm rrugën për në Qytetin Studenti. Nga ballkoni i një godine përballë grevës së urisë oratorët që merrnin fjalën i flisnin popullit duke hedhur parulla kundër komunizmit. Sa mbërrita në atë ballkon, ku kisha si qëllim të shpalosja flamurin që mbaja në gjoks, erdhi policia dhe kërkoi mbylljen e tubimit dhe shpërndarjen e njerëzve. Jam përleshur me policinë dhe më pas jemi nisur drejt qendrës së Tiranës. Në kryqëzimin e rrugës prapa Kryeministrisë me TVSH-së, policia përdori gaz lotsjellës, shkopinjtë e gomës e mjete të tjera të forta. Unë, me flamur në dorë, kisha hipur në murin ku sot është Ambasada e Italisë. Pasi kemi mbërritur tek ura e Lanës jemi nisur menjëherë në drejtim të sheshit dhe jemi zmbrapsur nga policia. Jam përmendur vonë në Spitalin nr. 2 të Tiranës, ku mbi trupin tim të plagosur qëndronin shokët. Po në atë ditë, me insistimin e shokëve jam larguar nga spitali duke iu shmangur kontrolleve të policisë. Mora pjesë në shumë ngjarje të tjera dhe më pas dhashë kontributin tim në Sindikatën e Pavarur, duke qëndruar aty në ditët e grevës historike të minatorëve”, - deklaron Fatmir Merkoçi, një nga protagonistët e atyre ditëve. Të gjithë protagonistët e atyre ditëve të vështira u lanë në harresë me qëllim nga të gjitha qeveritë, ndërkohë tashmë janë stimuluar me medalje dhe dekorata të tjerë, që mund të mos kenë qenë pjesëmarrës ose në anën tjetër të barrikadës.


22 Shkurt 2008