Nga Express më 08 shkurt 2011 në ora 21:47
Zyrtarët e Aleancës Kosova e Re thonë se janë duke shqyrtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me PDK, por vetëm nëse lideri i tyre Behgjet Pacolli do të jetë president i Republikës së Kosovës.
Edhe AKR-ja, pas kthimit në Prishtinë të liderit të saj Behgjet Pacollit pasditen e së martës është mbledhur për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe mundësisë së përfshirjes së saj në koalicionin qeverisës.
Zëdhënësi i AKR-së, Arbër Geci tha se ende mbetet të shihet se cila do të jetë oferta e PDK-së, por ritheksoi qëndrimin se do të hyjnë në koalicion vetëm nëse kryetari Behgjet Pacolli do të jetë president i Republikës së Kosovës.
Z.Pacolli është kandidat për president të Republikës së Kosovës nga AKR-ja, dhe kjo do të jetë një ndër pikat më të rëndësishme të negociatave me partnerin e koalicionit. Pa dyshim se ne nuk lëvizim nga kjo pikë dhe ky është një vendim i yni definitiv, që do të jemi pjesë e koalicionit, vetëm nëse zoti Pacolli do të jetë president, ka thënë ai për Kosovapress.