TIRANË- Aleanca Kuq e Zi ka dënuar ashpër paditë penale të ngritura ndaj dy aktivistëve të saj në Maqedoni.
Në deklaratën e saj për media, Aleanca Kuq e Zi duke kundërshtuar me forcë paditë, i cilëson ato një kërcënim të hapur të dinjitetit kombëtar dhe lirive të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët nuk janë minoritet, por komb që jetojnë në trojet e veta.
“Rinor Slloga dhe Petrit Ibrahimi akuzohen për nxitje të urrejtjes ndëretnike pasi në 28 Nëntor të vitit 2011 vizatuan në një mur sloganin e Aleancës Kuqezi “Një gjuhë, një komb” në hyrje të Tetovës. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje Gjykatës Themelore të Tëtovës të shfuqizojë sa më parë këto padi penale ndaj Rinor Sllogës dhe Petrit Ibrahimit dhe të nisë të merret me sloganet raciste të tifozave të ekipeve maqedonase të cilët kujtojmë se kanë thirrur: Shqiptarët duhet të vdesin”,- thuhet në deklaratën e Aleancës Kuq e ZI.
Duke shprehur mbështetjen e aktivistëve të saj kudo që ndodhen Aleanca Kuq e Zi, ripërsëriti thirrjen ndaj autoriteteve zyrtare shqiptare që të mos heshtin ndaj presioneve të tilla.
“Aleanca KuqeZi gjen rastin të rikujtojë për të disatën herë institucionet përkatëse të Tiranës zyrtare që të reagojnë kundrejt këtyre akteve të shëmtuara dhe shoviniste të strukturave slave në rajon dhe të mbrojë me çdo kusht bashkëkombasit e saj në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Luginë të Preshevës”,- bën apel Aleanca Kuq e Zi.
(el.me/BalkanWeb)