Nga Express më 14 mars 2011 në ora 12:46
Zyrtarë qeveritarë pranojnë se Qeveria e vendit shumë pak para ka ndarë për sportin kosovar gjatë vitit të kaluar, ndonëse nevojat për investime në këtë segment kanë qenë shumë më të mëdha.
Kështu ka thënë Radion Evropa e Lirë, Ibër Alaj, drejtori i Departamentit të Sportit pranë Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS). Ai ka pohuar se gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka investuar në sport mbi 4 milionë euro dhe pjesa më e madhe e kësaj shume është ndarë për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.
Në subvencione kanë qenë rreth 1,100,000 euro, ndërkaq për investime kapitale kanë qenë rreth 3,200,000 euro, ka thënë Alaj.
Sa u përket angazhimeve dhe bashkëpunimit në mes të federatave dhe institucioneve sportive, mendojmë se ka rritje të tyre. Ka nevojë ende për mbështetje institucionale, sepse për shkak të mos-aprovimit të ligjit për sponsorim, ka mungesë të donacioneve, ka shtuar Alaj.
Mirëpo, udhëheqësit e sportit kosovar ndihen të anashkaluar nga Qeveria e Kosovës kur është në pyetje ndarja e buxhetit për këtë segment. Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani i vlerëson si tejet të vogla investimet në sportin kosovar, përkundër premtimeve që, sipas tij, i kishte bërë Qeveria e Kosovës në të kaluarën.
Unë konsideroj se nga buxheti i Kosovës, pjesa që ndahet për sportin është rreth 1 për qind, që vërtet është shumë pak në raport me nevojat e sportit, por edhe me rëndësinë që ka sporti, ka thënë Hasani.
Edhe më tej nuk po bëhet një shpërndarje adekuate në kuadër të Ministrisë për Sportin, sa i përket përqindjes për infrastrukturë, për federatat, për KOK-un, dhe për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, ka shtuar Hasani.
Për shkak të mosmiratimit të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, ende nuk dihet se sa do të jenë këtë vit mundësitë financiare për sportin.
Megjithatë, Hasani mbetet me shpresë që Qeveria e Kosovës tani të investoj më shumë në sportin kosovar. Edhe Alaj thekson se komunitetit sportiv me të drejt pret një ndarje më të madhe të buxhetit për këtë segment.
Presim që të ketë rritje të buxhetit, për shkak se nevojat dhe kërkesat janë të domosdoshme dhe emergjente, për shkak se vetëm MKRS-ja, përkatësisht Departamenti i Sportit është duke funksionuar dhe duke ndihmuar federatat dhe klubet në Kosovë. Kuvendet komunale dhe donatorët nuk janë në nivelin e duhur për të ndihmuar kërkesat e federatave dhe klubeve, ka theksuar Alaj.
Ndërsa sa i përket ndërkombëtarizmit, Hasani në fund ka thënë se Qeveria e Kosovës ka nda shumë pak mjete për ta përshpejtuar procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.