Altertekst 2010 – 2011





Një risi në paketën informuese “Altertekst 2010-2011” është shpallja për herë të parë e tri teksteve për fëmijët e emigrantëve




Marsel LELA


TIRANë - Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar dje paketën e re të teksteve alternative, i njohur ndryshe si Altertekst. Paketa e Altertekstit për vitin 2010-2011 ka pësuar disa ndryshime për sa i përket transparencës, cilësisë së botimeve apo rimbursimit të këtyre teksteve.


Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri me dije ndryshimet që janë ndërmarrë këtë vit në procesin e përgatitjes, botimit, përzgjedhjes dhe dërgimit të librit shkollor për vitin mësimor 2010-2011.


Sipas kreut të MASH-it, Myqerem Tafaj, “modeli i teksteve alternative, i njohur ndryshe si Alterteksti, është një praktikë shumë e mirë, që përmbush kërkesat për cilësi të lartë të teksteve dhe që nxit zhvillimin e sektorit privat të librit. Ky model është rezultat i një reforme të thellë që ndodhi në këtë proces. Nga ana tjetër, Alterteksti largoi monopolin e botimit të teksteve shkollore nga MASH-i”.


Përkatësisht, ndryshimet e paketës së re të Altertekstit 2010-2011 synojnë: kushte të barabarta konkurrimi për të gjithë aktorët e tregut të librit shkollor; transparencë në procedurat e vlerësimit të teksteve, sidomos të autorit apo të grupit të autorëve; cilësi më të lartë të botimit dhe tregtimit të librit; kompensim përmes rimbursimit të nxënësve që vijnë nga familjet të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike dhe kategori të ulëta të pagës, si dhe botimin për herë të parë nëpërmjet konkurrimit të teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptarë.


Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndryshimet dhe përmirësimet kryesore në paketën informuese “Altertekst 2010-2011” do të vërehen së pari në procesin e shpërndarjes së librit, i cili këtë vit do të shitet direkt në shkollë.


Shkollat do të vënë në dispozicion mjedise për të gjithë botuesit që kanë fituar të drejtën e çuarjes së librit në atë shkollë mbi bazën e përzgjedhjes.


Kjo praktikë pritet të eliminojë radhët e gjata dhe do të sigurojë një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga drejtoria e shkollës për librat që shiten.


“Kjo është çështje krejtësisht e botuesit, e cila kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet, pasi vetë botuesit do ta çojnë librin në shkollë, por drejtoria e shkollës ka mundësinë të mbikëqyrë direkt procesin brenda saj”, theksoi ministri Tafaj.


Gjithashtu, kreu i MASH-it shpjegoi dje edhe procedurat e vlerësimit të autorëve. Sipas tij, grupi i autorëve të teksteve do të vihet në fokus të vlerësimit të cilësisë së tekstit. Lidhur me këtë pikë, deri tani Alterteksti ka vënë në plan të parë të vlerësimit botuesin e teksteve.


Këtë vit, për herë të parë çdo shtëpi botuese librin do ta dërgojë në komision me dy recensa anonime që nuk kanë emër, të cilat duhet të jenë nga dy personalitete të njohur në këtë fushë, që japin një vlerësim për tekstin që paraqitet në konkurrim. MASH-i i ka kushtuar rëndësi parësore punës së autorëve.


“Unë i ftoj studiuesit, pedagogët dhe mësuesit më të talentuar të Shqipërisë të kontribuojnë në këtë proces kaq të rëndësishëm për shkollën, siç është teksti”, u shpreh ministri Tafaj.


Për tekste që shoqërohen me fletore pune ose libër ushtrimesh, do të përdoret modeli i paketës. Teksti vlerësohet së bashku me fletoren ose librin e ushtrimeve dhe dërgohet në shkollë për shitje vetëm në këtë formë.


“Në shkollat tona, në vitin 2010-2011 nuk do të hyjë asnjë libër i pacertifikuar. Kjo do të bëjë që të ulet shpenzimi i madh që bënin familjet shqiptare për fletoret dhe librat e ushtrimeve që shiteshin në një mënyrë abuzive në shkolla”, vuri në dukje Tafaj.


Një risi tjetër në paketën informuese “Altertekst 2010-2011” është shpallja për herë të parë e tri teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptare. “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”, një libër për ciklin e ulët nga klasa I-V, një për ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare nga klasa VI-IX dhe një libër i tretë për shkollën e mesme.


Gjithashtu, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, foli edhe për subvencionimin e librit shkollor, duke shpjeguar se masa e rimbursimit për këtë vit do të jetë 100 për qind për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 50 për qind për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë, ndërsa për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas.




Subvencioni i librit shkollor sipas kategorive



1. Për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike – 100 për qind


2. Për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve marrin një rrogë nën 30 mijë lekë – 50 për qind


3. Për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas





Librat shkollorë



Kompensimi i teksteve, 100 për qind për familjet në nevojë



TIRANë – Tekstet shkollore për disa nga kategoritë e fëmijëve, të cilët ndjekin shkollën në sistemin parauniversitar, do të kompensohen totalisht.


Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e radhës vendimin për të kompensuar në masën 100 për qind tekstet shkollore për të gjithë fëmijët e familjeve në ndihmë ekonomike dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara.


Përkatësisht, në kategoritë e nxënësve që do të përfitojnë nga masa e subvencionit në arsimin e mesëm do të jenë nxënësit e verbër, ata paraplegjikë, fëmijët e policëve të vrarë në detyrë, si edhe ata nxënës, të cilët hasen me probleme të rënda sociale në familje. Kategoria e mësipërme e nxënësve do të përfitojnë një subvencionim të teksteve në masën 100 për qind, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave që u miratua disa ditë më parë.


Këto kategori nxënësish një vit më parë përfituan vetëm 50 për qind të masës së subvencionit të teksteve. Që të mundësojnë thithjen e subvencionit të vendosur nga MASH-i, nxënësit që përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave faturën e teksteve të blera në librari.


Po kështu, ata duhet të dorëzojnë edhe raport mjekësor apo vërtetim nga institucionet përkatëse, që vërteton qenien e tyre invalid ose që prindërit u kanë rënë në krye të detyrës.


Një vit më parë, në arsimin e mesëm kjo ishte kategoria e vetme e nxënësve që përfituan nga kompensimi i teksteve shkollore. Nxënësit e tjerë do të jenë të detyruar të paguajnë të plotë paketën e teksteve, me të cilën do të pajisen në librari.