ARISTIR LUMEZI/Ish-ministri socialist i Shëndetësisë, politikani Gjergj Koja, shprehet se Reforma Zgjedhore që u arrit në Këshillin Politik ishte më shumë një armëpushim mes palëve për të bërë të mundur pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e ardhshme pas djegies së mandatave të saj.pjimage (2)


Në një intervistë për gazetën Panorama, Koja analizon se kjo reformë nuk arriti një nga rekomandimet e rëndësishme të OSBEODIHR-it, siç ishte depolitizimi i administratës zgjedhore. Për Kojën, propozimi për mungesën e koalicioneve parazgjedhore do ta detyronte PS-në, e cila, nëse e vetme nuk do arrinte të merrte 71 mandate, do të kërkonte koalicion qeverisës me PD-në ose një bashkëpunim me LSI-në.


Reforma Zgjedhore po shkon drejt fundit, por edhe kësaj radhe, për shkak të mosbesimit të palëve, nuk patëm një zhvillim cilësor siç ishte rekomandimi i OSBE-ODIHR-it për depolitizimin e administratës zgjedhore. Cili është qëndrimi juaj për komisione dhe komisionerë jopartiakë?


Në të vërtetë, ajo çka ndodhi dhe u vendos mes palëve në Këshillin Politik nuk ishte një reformë e mirëfilltë zgjedhore. Kjo, ndoshta dhe për faktin se asnjëra nga palët nuk ishte e interesuar për reformë zgjedhore. Ekzistoi deri në minutën e fundit një krizë e thellë e besimit politik reciprok. Për rrjedhojë, palët u ndjenë mirë kur u kthyen ashtu siç ishin më përpara. Jo vetëm që nuk u prek sistemi zgjedhor, por nuk u zbatua as rekomandimi i OSBEODIHR-it për depolitizimin e administratës zgjedhore. Është e trishtueshme të konstatosh se si në këtë krizë kaq të thellë besimi mes palëve, opozita këmbëngul dhe ruan me fanatizëm militantët e saj partiakë si komisionerë. Pra, me pak fjalë, nuk mund të flitet për Reformë Zgjedhore, por për një armëpushim mes palëve për të pranuar rregullat e lojës për betejën e ardhshme elektorale, që janë zgjedhjet parlamentare të 2021. Nuk pati reformim të sistemit zgjedhor, nuk pati depolitizim të administratës zgjedhore, votat do të numërohen prapë nga katër militantë partie. Dhe cila ishte fitorja e madhe e kësaj marrëveshjeje?! Thjesht, opozita pranoi të hyjë në zgjedhjet që do të mbahen pas disa muajve. Pa dyshim që kjo marrëveshje mbetet fitorja personale politiko-diplomatike e ambasadores së SHBA-së në Tiranë. Personalisht, kam qenë dhe mbetem pro depolitizimit të plotë dhe real të komisionerëve numërues, si edhe të të gjithë administratës zgjedhore. Nuk është e vërtetë se nuk kemi ku ti gjejmë profesionistët e pavarur që ta bëjnë këtë punë. Ka plot, por mungon vullneti politik. Kriza e besimit mes palëve politike bën ligjin.


Sistemi zgjedhor mbeti pa u diskutuar, edhe pse pati fillimisht propozime, ndërsa është ende në diskutim një prag më i lartë për të marrë mandat deputeti dhe listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Ju jeni për prag më të lartë dhe sipas jush, a sjellin listat e hapura prurje më cilësore në Parlament apo mund të na përsërisin fenomenet e maxhoritarit të pastër?


Nëse partitë politike në Shqipëri do të funksiononin mbi baza të shëndosha statutore dhe nëse demokracia e brendshme në këto parti do të ishte funksionale, atëherë çështja e listave të hapura apo të mbyllura të kandidatëve për deputetë nuk do të kishte fare kuptim të diskutohej, nuk do të përbënte sens. Por te ne, që nga viti 2009, partitë politike janë vetëm dhe thjesht të kryetarëve. Ndërsa çështja e vendosjes së një pragu më të lartë elektoral për partitë politike për tu përfaqësuar në Parlament, është paudhësia e radhës për të cilën kam dëgjuar të flitet gjithnjë e më shpesh këtë muaj. E çfarë kuptimi ka të rritësh pragun elektoral për të penguar 1, 2 apo disa parti të përfaqësohen në Parlament?! Filtri më i mirë në këtë rast është vetë elektorati. Nëse njerëzit nuk të duan, nuk të votojnë dhe nuk mund të bëhesh deputet. Gjithçka tjetër është prapaskenë e shëmtuar, që synon të devijojë votën e elektoratit. Nuk ka përse të ngatërrojmë demokracinë funksionale me stabilitetin qeverisës. Mund të qeverisësh me koalicion dhe të jesh i suksesshëm, ashtu sikurse mund të qeverisësh edhe vetëm, por krizën ta kesh mbi kokë për shumë arsye.


Më në fund, nëse gjërat do të shkojnë siç duhet, mund të kemi identifikim biometrik të zgjedhësve dhe ndoshta një projekt pilot dhe votim elektronik. Sa optimist jeni se do realizohet dhe funksionojë?


Kam që nga viti 2013 që i dëgjoj propozimet dhe kërkesat për identifikim biometrik të zgjedhësve dhe votim apo edhe numërim elektronik të votave. Janë propozime apo kërkesa që i ka bërë herë PS e herë PD, madje deri para pak javëve PD e kishte si kusht të panegociueshëm një nga këto kërkesa. Mendoj se ka ardhur koha që këto propozime të realizohen, aq më tepër kur janë bërë nga të dyja palët ndër vite. Nuk besoj se ka ndonjë pengesë të pakapërcyeshme për ti zbatuar nëse ekziston vullneti politik.


Si i shikoni grupimet fluide që krijohen në Parlament nga deputetët e opozitës, hyrjet e daljet e tyre në këto grupime dhe sa bindës janë me kërkesat e tyre? Si i shikoni qëndrimet e opozitës jashtëparlamentare në funksion të Reformës Zgjedhore, por dhe të Reformës në Drejtësi?


Jemi bërë qesharakë në sytë e botës për mënyrën sesi e etiketojmë dhe si e trajtojmë opozitën, apo edhe si vetëtrajtohet opozita. Për mua nuk ka opozitë parlamentare dhe opozitë në rrugë. Ka vetëm një opozitë, e cila para afro 2 vitesh bëri një vetëvrasje politike duke djegur mandatet e deputetëve dhe duke u larguar nga Kuvendi. Kjo ishte realisht opozita, sepse populli vetëm aq për qind e kishte votuar atë në 2017, duke i lejuar aq kandidatë për deputetë të listave të saj shumemërore të hynin në Parlament. Këta të tjerët që shohim sot janë mbetje të atyre listave (për cilësinë e të cilave mbajnë përgjegjësi të plotë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi), të cilët sillen realisht si të punësuar, sepse në të vërtetë janë të pavotuar. Përndryshe, pse do të ulej PS-ja me Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin në Këshillin Politik, që u ngrit nga ndërkombëtarët për Reformën Zgjedhore??


Ka një propozim për kandidime më vete të partive në zgjedhje, pa koalicione parazgjedhore. Është një test real ky për partitë në një garë ku dy partitë, PS-PD, dominojnë komisionet zgjedhore? Si e shikoni partinë tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?


Nëse partitë politike do të garojnë më vete, pa koalicione parazgjedhore në zgjedhjet e vitit 2021, atëherë PS-ja do të renditej forcë e parë politike në vend, por nuk do të kishte numrin e mjaftueshëm të mandateve për ta formuar qeverinë e vetme. Këtu një rëndësi jo të vogël do të merrte edhe mënyra se si PS apo PD do ti trajtonin aleatët e tyre tradicionalë për të maksimalizuar mandatet e tyre në Kuvend, sepse nëse PS do të garonte me koalicion parazgjedhor, atëherë të paktën 3-4 mandate deputetësh do ti fitonte nga votat e partive aleate në koalicion me të. Këtë ia mundëson ky sistem zgjedhor, që të dyja palët e ruajtën me fanatizëm. Gjithsesi, nëse PS nuk do të arrinte numrin 71 të mandateve, nëse konkurron e vetme, atëherë ose do të bënte koalicion të madh me PD për hir të interesave kombëtare, ose do të shkonte të shikonte fall me LSI për një koalicion të mundshëm me të, ose vendi do të shkonte sërish në zgjedhje.