Vendimi i Gjykatës së Strasburgut për dëmshpërblimin e pronarëve të kompleksit Jon, asgjëson tërësisht fondin rezervë të buxhetit duke i lënë financat e shtetit të ekspozuara ndaj goditjeve të tjera deri në fund të vitit.


Fondi rezervë është mburoja e buxhetit nga shpenzimet e paparashikuara, të cilat mund të vijnë nga fatkeqësitë natyrore si thatësirat apo përmbytjet, por edhe ngjarje të tjera që kanë faturë buxhetore.


Në buxhetin e këtij viti, qeveria ka programuar rreth 11.3 milionë euro si fond rezervë për këto shpenzime.


Por e gjithë kjo shumë, e madje edhe një shtesë tjetër parash mbi të do të shkojnë për të paguar pronarët e ish pallatit të ndërtuar nga vjehrri i Lulzim Bashës, të cilin qeveria Rama e prishi në dhjetor të 2013-së.


Rrjedhimisht që në tremujorin e parë të vitit, buxheti i shtetit do të mbesë pa fond rezervë, një situatë që shton rreziqet për financat publike.


Vitet e fundit fatkeqësitë natyrore janë bërë thuajse të përvitshme.


Vitin e kaluar qeveria u detyrua të shpenzojë 50 milionë euro për blerje energjie dhe 10 milionë të tjera për zjarret dhe thatësirën, pa përmendur kostot e përmbytjeve në dhjetor.


Nëse gjatë muajve të ardhshëm, Shqipëria do të përballet sërish me një situatë të ngjashme atëherë me fondin rezervë të shpenzuar, qeveria do të ketë vetëm dy rrugë, ose të shkurtojë shpenzimet në zërat e tjerë ose të rrisë huamarrjen.


Fatura e gjyqeve ndërkombëtare është cilësuar nga FMN si një nga risqet më të mëdha për financat publike. Por teksa qeveria pretendon se i çliroi financat nga rreziku i gjyqeve të pronave, opozita thotë se vendi kërcënohet nga një faturë tjetër e madhe, e konflikteve mes qeverisë dhe disa kompanive të huaja, të cilat e kanë paditur Shqipërinë në arbitrazh.


13 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)