Nga Erion Muça


Portalet, politika dhe media në tërësi po gumëzhin për fjalimin e fermeres në parlament. Replikat dhe reagimet pro dhe kundër, janë kthyer në lajtmotive të këtyre orëve duke rritur impaktin e fjalimit të mbajtur pavarësisht konotacionit, nga njëra anë dhe nga ana tjetër një serë sulmesh po hidhen drejt këtij fjalimi i cilësuar si strategji për promovimin e bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Përtej përpjekjeve dhe tjetërsimit të fjalimit sipas interesave të caktuara politike apo mediatike.


Përtej suksesit real të arritur nga fermerja në biznesin e saj, modeli i suksesit kur është tepër i rrallë në llojin e tij në Shqipëri dhe kur përballemi me një situatë krejt ndryshe në realitet, nuk mjafton as për të ndërgjegjësuar as për të solidarizuar, nxitur apo bindur të tjerë. Rrisqet e biznesit në Shqipëri  tejkalojnë çdo kufi të imagjinatës njerëzore, parashikimeve studimore si dhe ekzistojnë aq të papritura saqë shumë biznese gjenden pranë greminës ende pa e kuptuar psenë edhe pas falimentit. Zonat rurale kanë një serë problematikash që përtej përpjekjeve për përmirësim sidomos në lidhje me infrastrukturën rrugore apo retorikës dhe demagogjisë politike, janë shumë më madhore në aspekte të tjera.


Në bujqësi dhe blegtori ende nuk ka një treg të formalizuar ,të mirësistemuar dhe as që flitet në një kohë të shkurtër për standardizimin e tij. Në bujqësi dhe blegtori ende nuk ka një institucion apo mekanizëm që të rregullojë raportin e kërkesë- ofertës në treg dhe përllogarisë sasinë e nevojave të tregut vendas për produktet blegtorale dhe bujqësore si dhe sasinë që mund të eksportohet nëpërmjet marrëveshjeve dhe memorandumeve funksionale dhe rezultative të vetë shtetit me vende të tjera që kërkojnë një produkt në veçanti në sasi të mirëpërcaktuar. Ende nafta e përfolur për një çmim të reduktuar dhe të arsyeshëm është bërë pjesërisht realitet për fermerët, të cilët do tu duhet të fusin mik për të marrë një tollon karburanti. Lënda e parë prej vitesh po shënon luhatje permanente çmimi duke i penguar fermerët të parashikojnë mjaftueshmërisht saktë një kosto për investimin e tyre, për të ditur sadopak edhe fitimin e mëpastajmë të investimit. Energjinë elektrike fermerët e paguajnë më shtrenjtë se abonentët familjarë, klasifikuar si biznes fitimprurës, ku edhe subvencionet  shumëdrejtimëshe të akorduara kanë një serë difektesh në shpërndarje, referuar vendosjes subjektive dhe arbitrare të prioriteteve në shpërndarjen e tyre.


Bujqësia dhe blegtoria vendase edhe pse me një raport të përmirësuar ka ende një konkurrencë të madhe nga importi, kostoja e produkteve të së cilës edhe me koston ekstra të transportit dhe taksave të zhdoganimit  është shumë më minimale, çka sjell jo vetëm një humbje për fermerët vendas por dhe një amulli të gjithanshme rreth origjinës dhe cilësisë së produkteve që konsumojmë. Mungesa e centralizimit  të tregtimit të produkteve ushqimore dhe blegtorale dhe roli i padukshëm i shtetit në këtë plan është një tjetër problem që sjell humbje për fermerët nga mungesa e blerësit. Mungesa e studimeve, analizave konkrete dhe paraprake mbi nevojat e tregut vendas për produkte bujqësore dhe blegtorale dhe kush do ti prodhojë ato si dhe kërkesat e centralizuara për eksport dhe se kush do ti plotësojë ato konkretisht, kanë një rëndësi madhore për suksesin apo mosuksesin e një iniciative biznesi në këtë fushë për këdo.


Mungesa e një mekanizmi  kontrolli të imtësishëm, rigoroz dhe shumë të detajuar të lëndës së parë nga doganat dhe me pas në tregëtim, bën që fermerët të jenë viktima të mallrave skarco të ardhura nga mbeturinat e stokut të magazinave të vendeve të tjera, me përmbajtje jorrallëherë kimikatesh të dëmshme për shëndetin e konsumatorit. Formalizimi i tregut bujqësor-blektoral, ligjërimi dhe kontrolli i përditshëm i operatorëve prodhues në të, do të duhet të jetë një emergjencë kombëtare, pasi kjo situatë na sjell në treg produkte me origjinë të panjohur, cilësia e të cilave po cënon dhe sigurinë kombëtare bazuar tek rritja e shifrave të mortalitetit nga sëmundjet kancerogjene me shkaktarë të presupozuar cilësinë e ushqimeve. Mosnjohja nga ana e shtetit e blegtorit apo fermerit që prodhon për të tregetuar produktet, bën që faji të mbetet jetim dhe shkaktari i supozuar në rastin e konsumit të produkteve ushqimore jashtë normave higjeno-sanitare apo atyre me përmbajtje të lartë kimikatesh të dëmshme. Taksat në bujqësi dhe blegtori megjithë rritjen e subvencioneve dhe pamjaftueshmërisë së tyre, mbeten të larta për fermerët që në jo pak raste janë bërë shkaktarë falimenti apo argument tërheqjeje për shumë individë dhe biznese nga investimi në këtë sektor . Mungesa e një strategjie dhe platformë kombëtare në ndërtimin e një makro tregu ku çdo fermer i gatshëm me potencialin dhe kapacitetet për të prodhuar për tregun vendas apo të huaj, të marrë direktiva të sakta nga shteti se çfarë dhe sa të prodhojë në varësi të infrastrukturës, teknologjisë dhe logjistikës në zotërim të tij, sjell një jofunksionalitet dhe joefikasitet të tejskajshëm në prodhimin dhe tregëtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.


Shteti do të duhet të kontrolloje medoemos sasinë e prodhuar duke u kthyer sa më shpejt në një moderator të asaj çfarë vendi duhet të prodhojë, asaj çfarë kërkon tregu vendas dhe eksporti, për të mbajtur nën vigjilencë dhe monitorim jo vetëm tepricën humbje për fermerin por dhe pamjaftueshmërinë e prodhimit në raport me nevojat e tregut vendas dhe atij të huaj. Në këtë menyrë do të kishim një mekanizëm të kontrolluar,  funksional dhe efikas të prodhimit bujqesor-blegtoral, i cili asesi nuk do cënon tregun e lirë apo lirinë e fermerit por e ndihmon atë të shesë produktin e prodhuar. Sot fermeri prodhon nga mendja e vet nisur nga përllogaritja dhe interesi për të fituar apo se dikush i ka dhënë fjalën se do t`ja blejë produktin. Fermerë dhe blegtorë të ndryshëm i gjejnë vetë  klientët ndersa të tjerë  ata që dinë të prodhojnë por jo të shesin e gjejnë veten të braktisur dhe pa mbështetje.


Të gjitha këto problematika në bujqësi dhe blegtori e shtyjnë pa kthim fermerin në ndjekjen e menyrave dhe metodave informale dhe të dëmshme për të bërë biznes, në dëm të konsumatorit duke përdorur mjete të dëmshme por të shpejta për të nxjerrë në sasi të mëdha dhe në një kohë të shkurtër produktet në treg duke përdorur sasi të tëpruara kimikatesh në prodhim për të justifikuar nëpërmjet krimit, kostot e humbjeve që ka nga keqfunksionimi i të gjithë sistemit. Të gjitha këto problematika bëjnë që fermeri dhe blegtori të cënojë cilësinë e produktit bujqësor dhe blegtoral pasi ajo që i mbetet në xhep pas investimit janë kacidhet. Të gjitha këto problematika bëjnë që çmimi i produkteve që prodhohen në vend, të jetë më i lartë se ai që importohet ndonëse cilësia mund të lerë për të dëshiruar. Të gjitha këto problematika bëjnë që fermeri dhe blegtori të heqë dorë nga bujqësia dhe blegtoria, ku më e pakta është të kthehet në tregëtar që importon produkte blegtorale dhe bujqësore dhe më e shumta t`ja mbathë nga sytë këmbët në emigrim. Të gjitha këto problematika përforcojnë në fund të fundit faktin se vetëm një model suksesi nuk mund të tjetërsojë realitetin e përgjithshëm  pavarësisht përmirësimit të pamohueshëm por ende të papërfunduar që po bëhet. Kur reformat të kenë përfunduar, rezultatet të kenë dalë dhe ndryshimet të jenë të dukshme dhe të prekshme, atëherë fjalimi dëshmi në parlament do të përbënte një histori reale suksesi mbi lehtësinë e të bërit biznes në bujqësi dhe blegtori në Shqipëri.