Jonuz Kuçuku

Hilmi Seiti, gjenerali nga çamëria, vdiq papritur ndërsa dilte nga zyra e Sekretarit të Parë të Shkodrës. Në numrin e kaluar u hodh dritë mbi misteret e kësaj ngjarjeje tronditëse, që mbeti e dyshimtë për shumë e shumë vite. Goditja pa fakte dhe argumente e Teme Sejkos dhe e shumë çamëve të tjerë, kujton studiuesi Kuçuku, nuk mund të bëhej duke qenë gjallë Hilmi Seiti. Prandaj siç u përfol që në atë kohë, gjenerali nga çamëria ishte viktima e parë e të ashtuquajturve “komplotistë”. Vdekjen enigmatike të Seitit, Pandeli Permeti, ish-bashkëpunëtor dhe shok i tij, e vlerëson si një akt të pastër terrori të realizuar me urdhër të lidershipit të lartë të Partisë së Punës. Ndërkaq, gjeneral Halim Xhelo, ish- shefi i zbulimit të ushtrisë, u ka pohuar bashkëvuajtësve në burgun e Burrelit se, Hilmiun e thirrën në Tiranë dhe i propozuan një lloj kompromisi, një sakrificë të çamëve në interes të atdheut, por ai e kundërshtoi kategorikisht, prandaj dhe e zhdukën për mos dekonspiruar skenarin e fshehtë. Sidoqoftë, ajo që ndodhi me gjeneralin çam në Shkodër para dramës së Teme Sejkos dhe bashkëpunëtorëve të tij, nuk u zbardh zyrtarisht asnjëherë...Teme Sejkon e mbajtën pesë ditë në arkivol me pistoletë te koka. Asokohe u tha se menjëherë pas kësaj ai pranoi marrëveshjen e Sigurimit të shtetit mbi bazën e të cilës u ngrit dhe legjenda e gjyqit special. Sakaq, kishte njerëz që nën zë thoshin se Teme Sejko pohoi para gjykatësve pjesët kryesore të akuzës me kërkesën e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, për të demaskuar imperializmin e revizionizmin. U fol në atë kohë, por dhe më vonë, se Teme Sejkos i ishte premtuar se pas përfundimit të këtij procesi do ta nxirrnin jashtë familjarisht, duke i siguruar jetën. Sidoqoftë, qëndrimi i Temë Sejkos në gjyq ishte dhe mbetet një enigmë që u varros bashkë me të. Veçse ata që e kanë njohur atë në luftë e deri sa u arrestua, nuk e kanë besuar kurrë tradhtinë e këtij njeriu trim, guximtar, të ndershëm dhe të papërkulur. Atëherë pse e pranoi qetësisht epitetin armik, agjent i zbulimeve të Greqisë, Jugosllavisë e Amerikës? Nuk duhet përjashtuar, se duke u vënë para një rreziku të madh nga kurthi i përgatitur dhe nga dëshmitë e montuara, Teme Sejko mund të ketë rënë viktimë e premtimeve që iu bënë para se të dilte në gjyq. Nga ana tjetër Teme Sejko duhet të ketë qenë në depresion të thellë, i hipnotizuar dhe i çorientuar nga torturat e metodat e ndryshme për ta bërë që të pranonte e të pohonte akuza të paqena që i ishin imponuar.
SITUATA POLITIKE
Gjyqi special i majit 1961 ndaj të ashtuquajturit “grupi komplotist çam” ishte parashikuar të kishte efekte të mëdha e të dëshirueshme për lidershipin komunist, po të zhvillohej përpara mbledhjes së Moskës, ku Enver Hoxha shpalli luftën kundër revizionizmit hrushovian si dhe para Kongresit të IV të Partisë së Punës, ku ai deklaroi rrezikshmërinë e madhe të të ashtuquajturit “komplot”. Sipas parashikimeve, zhvillimi i këtij procesi të bujshëm, në prag ose gjatë kësaj situate politike të vështirë, do të shërbente si një mbështetje e fuqishme për sensibilizimin e opinionit të brendshëm e veçanërisht atij ndërkombëtar për rreziqet, sipas tij, që kërcënonin Shqipërinë. Po përse nuk e kapi kohën gjyqi i Teme Sejkos, ndërkohë që Enver Hoxha në Kongresin e IV deklaroi botërisht: “Komplotistët dhe faktet janë në duart e drejtësisë popullore”. Si ka mundësi që drejtësia u vonua në përgjigje të këtij vendimi politik për ta bërë gjyqin sa më shpejt, në mënyrë që t’i shërbente qëllimit për të cilin ishte montuar komploti në një situatë politike tepër të acaruar? As më shumë e as më pak, ideja e diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, me këtë gjyq fars, parakuptonte demaskimin me “prova” e “fakte” të shteteve imperialiste e revizioniste, që në “bashkëpunim” me disa tradhtarë shqiptarë e të arratisur në Jugosllavi, kishin organizuar komplotin kundër lirisë, pavarësisë e sovranitetit të Shqipërisë”. Sado që u punua me intensitet të jashtëzakonshëm, organet e “drejtësisë” nuk arritën të kapin kohën për të siguruar provat e fajësisë. U desh një kohë e gjatë për t’i detyruar të pandehurit për të pranuar dëshmi kundër atyre që konsideroheshin si drejtuesit dhe organizatorët e “komplotit”. Rezistenca e të pandehurve për të pranuar krime të paqena harxhoi shumë kohë, gjë që i shtoi dhe i forcoi më shumë dyshimet e opinionit, që e ndiqte me kureshtje e me habi këtë ngjarje të madhe. Prandaj masat represive kundër të pandehurve u bënë më të egra e mashtrimet u shoqëruan me premtime. Nga ata që dolën gjallë janë pohuar ngjarje rrëqethëse nëpërmjet të cilave janë detyruar për t’i pranuar çfarë u kërkohej. Siç del nga dosjet hetimore, dëshmitë më të rëndësishme nga të pandehurit e arrestuar në qershor-korrik 1960 janë siguruar me shuam vonesë, aty nga periudha mars-prill 1961. Pra, gati 10 muaj pas arrestimit. Gjithsesi, ky proces shumë misterioz duhet parë në kontekstin e situatës së jashtëzakonshme të krijuar në vitin 1960, e cila e vuri Shqipërinë përballë gjithë vendeve kapitaliste e ish-socialiste, me përjashtim të Kinës, të cilën Partia e Punës e mbrojti në Konferencën e Bukureshtit. Pikërisht në këtë klimë kritike, komploti u shpall dhe u përdor si mjet propagandistik për të goditur kundërshtarët, të bazuar në fakte të sajuara, të cilat doemos e me çdo kusht duhej të pranoheshin nga të pandehurit sa më shpejt për ta marrë vesh e gjithë bota. Por fakti që pohimet, siç doli nga akuza e prokurorit, janë bërë pas nëntë e dhjetë muajsh, tregon se të pandehurit nga represioni i fortë, disa u çmendën, të tjerë u dobësuan fizikisht e psikologjikisht dhe në kushte të jashtëzakonshme u arrit t’u imponohen ato që u kërkoheshin nga hetuesia. Në dokumentin e gjyqit dëshmohet se Teme Sejko ka pohuar se: “Kryengritja e armatosur do të kishte karakter lufte vëllavrasëse dhe do të justifikonte ndërhyrjen nga jashtë. Shtetet pjesëmarrëse në ndërhyrje do të ishin Greqia, Jugosllavia dhe SHBA”. Enver Hoxha, më 8 tetor 1982, në mbledhjen e Byrosë Politike e ka quajtur jo të vërtetë këtë provë të dëshmuar nga Teme Sejko. Ai, duke iu rikthyer kësaj historie, ka theksuar: “Nuk e kam të qartë çështjen e procesit të Teme Sejkos, pasi ai komplot është mbuluar me një mister dhe ngjan me një legjendë të çuditshme shumë të dyshimtë”. Këto përfundime të diktatorit Enver Hoxha, pas njëzet vjetëve nga pushkatim i Teme Sejkos dhe shumë njerëzve të pafajshëm, vërtetojnë se i ashtuquajturi komplot i Temë Sejkos u sajua, u montua dhe u shfrytëzua për qëllime të caktuara politike, të brendshme e të jashtme, sipas parimit Makiavelist “qëllimi justifikon mjetet”.
TAHUA AKUZON SIGURIMIN PëR MASHTRIM
Ndër akuzat më të pabesueshme të procesit të bujshëm të majit ‘61, padyshim janë ato që bëjnë fjalë për takimet e mistershme të “komplotistëve” me dy persona të arratisur, njëri në Greqi në 1944 dhe tjetri në Jugosllavi me 1959, respektivisht Haki Rushiti nga Konispoli, ish-komandant i batalionit partizan “çamëria” dhe Panajot Plaku nga Devolli, ish-personalitet i lartë i Partisë së Punës dhe i Sigurimit të Shtetit. Në pretencën e prokurorit u tha se Taho Sejko, vëllai i Teme Sejkos, i cili nuk u nxor në gjyq, kishte shpërfillur çdo akuzë dhe më 1 prill 1961, dhjetë muaj pas arrestimit, kishte deponuar se në mars 1947 ishte takuar me Haki Rushitin në Cjepur të Konispolit, duke iu përgjigjur thirrjes së tij për bashkëpunim. është ky momenti ku del në skenë Haki Rushiti, i cili citohet dënuar si një personazh kryesor në procesin e Teme Sejkos. Në dekretin Nr.3471 datë 12.03.1962 të Presidiumit të Kuvendit Popullor lidhur me kërkesën për falje të Taho Sejkos, një akt formal bërë siç duket nga hetuesia, pasi siç u tha, Taho ishte çmendur, thuhet: “Një nga personat kryesorë të organizatës armiqësore që kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor me anën e kryengritjes së armatosur, i vënë në shërbim të spiunazhit grek e amerikan, ka dhënë informata me karakter sekret dhe ka zbatuar detyrat e ngarkuara prej tyre. Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. I arrestuar më 28.07.1960, Taho Sejko sipas dokumentit të mbajtur gjatë hetimeve, ka pranuar se veprimtaria e tij për shumë kohë ka qenë e shëmtuar dhe në dëm të interesave të atdheut e të popullit shqiptar. Sakaq në dokument thuhet se ai qysh në vitin 1947 është vënë në shërbim të spiunazhit grek dhe me anë të Haki Rushitit ka bashkëpunuar me Teme Sejkon, Tahir Demin, Avdul Resulin, Panajot Plakun etj. Nuk ka dyshim se ato që thuhen në këtë dekret janë sajime dhe jo pohime të të akuzuarit. Vetë fakti që Taho Sejko nuk u nxor në gjyq, e se siç u tha, ishte çmendur e kishte vrarë veten, del në mars 1962 i gjallë e i shëruar dhe gjykohet e pranon gjithë akuzat dhe dënohet me vdekje e kërkon falje, është krejt e pabesueshme. Para shumë viteve, Mustafa Qemali, kolonel, ish-nënkryetar i Gjykatës së Lartë, më ka treguar se: “Në maj 1961, kur zhvillohej gjyqi, Bilbil Klosi, ish-ministër i Drejtësisë, Gaqo Floqi nënkryetar i Gjykatës së Lartë, Ilmi Telegrafi ish-anëtar i trupit gjykues dhe Nazmi Peza, anëtar i Gjykatës së Lartë, më kanë thënë: “Akuzat e këtij gjyqi janë të inskenuara për qëllime politike të caktuara dhe si të tilla janë të pabazuara”. Kurse Bilbil Klosi më ka pohuar: “Taho Sejko nuk iu nënshtrua as torturave, as premtimeve”. Pra, nga shumë burime del se Taho Sejko nuk ka pranuar asgjë nga akuzat që përshkruhen në Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këtë e vërtetojnë edhe procesverbalet e pyetjeve në hetuesi, ku Tajo Sejko ka deklaruar: “Nuk e pranoj akuzën se nuk kam qenë kurrë agjent i ndonjë zbulimi të huaj, nuk i kam dhënë asnjëherë kurrkujt informata me karakter sekret dhe nuk kam punuar kurrë për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri”. Sipas procesverbalit të datës 14.11.1960, ai ka deklaruar: “Organet e Sigurimit të Shtetit, siç mbështeteshin më 1946 në gënjeshtra, janë mbështetur në gënjeshtra edhe kundër meje për akuzën si spiun”.
TAKIMET E IMPROVIZUARA ME HAKI RUSHITIN
Gjatë tërë procesit roli i Haki Rushitit në të ashtuquajturin komplot, zë një vend kryesor. Sipas dëshmive të montuara, ai hynte nga Greqia në Konispol e bënte takime, shumë herë i shoqëruar nga i arratisuri Ismail Dalani. Në fakt, këta të dy të arratisur prej kohësh ndodheshin në Amerikë, ku punonin si punëtorë për të siguruar bukën e gojës. Ata në vitet e luftës ishin plagosur, ndërkohë që ishin arratisur në 1947 nga trajtimi mizor i Sigurimit të Shtetit. Përgojimi sikur gjoja vinin nga Amerika në Konispol si shoqërues të Haki Rushitit ishte një sajim, një gënjeshtër. Në gjyq u paraqit si provë edhe dëshmia e të dënuarit Kosta Fili, sikur edhe ai, si agjent i shërbimit sekret grek, shoqëronte Haki Rushitin, kur hynte nga Greqia në Shqipëri, me detyrë që ta ruante, dhe në rast se rrezikohej, ta vriste që të mos binte në duart e Sigurimit shqiptar. Nëse inskenuesit do të kishin prova të vërteta mbi fajësinë e të pandehurve, nuk do të nxirrnin në skenë Haki Rushitin. Dihet se Taho Sejko ka pasur divergjenca të mëdha me Haki Rushitin vazhdimisht, që në formimin e çetës “çamëria”. Po ashtu shkaku i largimit të Teme Sejkos nga krahina e çamërisë, në fillim të qershorit 1943, siç e ka pohuar edhe vetë, ka qenë konflikti me Haki Rushitin. Sakaq, dihen dhe marrëdhëniet gati armiqësore të Rexhep Plakut me Haki Rushitin. Ekzistojnë në arkiv raporte të kohës së luftës e më pas të Rexhep Plakut e të Taho Sejkos kundër Haki Rushitit. Dihen se Taho Sejko e Teme Sejko dhe të pandehurit kryesorë të akuzuar, kanë pasur të njëjtat pikëpamje për Haki Rushitin. Prandaj të besoje se këta të akuzuar iu nënshtruan Haki Rushitit dhe nëpërmjet tij u bënë spiunë të Greqisë, Jugosllavisë, NATO-s dhe Amerikës kundër atdheut të tyre është absurditet.
TAKIMET E IMPROVIZUARA
Një absurd i akuzës ishte paraqitja si provë se Teme Sejko kishte pranuar në hetuesi më 31 mars 1961, nëntë muaj pas qëndrimit në qeli dhe një muaj para fillimit të gjyqit se: “Në pranverë të vitit 1958, prill ose maj, në takimin që pata me Haki Rushitin në Konispol, është biseduar edhe për Panajot Plakun. Panajoti merrej, ashtu si edhe Hakiu, me aktivitete në dëm të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe në interes të Jugosllavisë, grekëve dhe amerikanëve”. Duhet theksuar këtu se në atë kohë, prill-maj 1958, Teme Sejko ishte Komandant i Flotës Luftarake Detare, detyrë në të cilën ishte emëruar më 14.01.1958. Akuza e sjellë në gjyq si provë fajësie, e nxjerrë gjoja pas nëntë muajsh në qelitë ku qëndronte në arkivol me pistoletë në kokë Teme Sejko është një sajim djallëzor për të provuar lidhjet e takimet e të pandehurit me Haki Rushitin dhe në të njëjtën kohë edhe me Panajot Plakun. Janë të qarta e të kuptueshme synimet e këtyre inskenimeve. Asokohe i pandehuri nuk kishte mbrojtje, ishte i detyruar të vuante, nuk kishte asnjë mundësi të mbrohej edhe kur mund të vërtetonte alibinë për akuzën që i bëhej. Nëse do lejohej mbrojtja, mund të vërtetohej se Haki Rushiti që në 1956 banonte në Amerikë me hallet e sëmundjet e pleqërisë së tij dhe nuk kishte ardhur në Konispol në 1958 dhe asnjëherë më parë. Ai nuk mund të takohej me Teme Sejkon, një nga kundërshtarët e tij të hershëm. Për të vërtetuar gjoja takimet e lidhjet e Teme Sejkos me Haki Rushitin e Panajot Plakun, akuza paraqiti dëshminë e të pandehurit Ali Xhelo, i cili sipas procesverbalit të datës 01.03.1961 dhe dosjes hetimore, ka deponuar: “Në nëntor 1953, kur unë kisha ardhur në Tiranë me rastin e një mbledhjeje, u takova me Teme Sejkon, i cili kur i thashë se do të takohesha me Panajot Plakun, pasi na kishte premtuar se do na jepte një makinë për kooperativën bujqësore, më tha: “Ti duhet të takohesh me Panajot Plakun dhe të bisedosh lirisht më të edhe për gjëra të tjera. Panajoti, shtoi Temja, di gjithçka për ty dhe për punën tonë. Temja me këtë rast më tha të na ndihmojë për t’u lidhur me Panajot Plakun dhe Haki Rushitin”. Nuk është vështirë të kuptohet falsiteti dhe djallëzia e këtyre lloj deponimeve. I pandehuri Ali Xheli, i drobitur nga presionet në qeli dhe nga brejtja e ndërgjegjes që kishte akuzuar padrejtësisht të tjerët, nuk arriti të pranonte asgjë në gjyq nga ato që kishte dëshmuar në hetuesi, por u rrëzua përtokë dhe më pas u tha se u dënua me pushkatim.
TRAGJEDIA E FAMILJES SEJKO
Teme Sejko u pushkatua dhe nuk dihet ku janë eshtrat e tij, por ai bir i shquar i çamërisë dhe oficer madhor i talentuar i ushtrisë shqiptare, kujtohet me respekt nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe do nderohet në breza për kontributin e tij në shërbim të atdheut. Po kështu është pushkatuar edhe Taho Sejko, eshtrat e të cilit nuk dihet ku janë. Tragjedia e familjes Sejko vazhdoi pafundi: Sulo Sejko, vëllai i Temes, i cili banonte prej kohësh në Shkodër ku ishte martuar me të motrën e Naim Gjylbegut, “Hero i popullit”, u ndoq e u persekutua nga Sigurimi i Shtetit dhe u gjend i vdekur në thellësitë e një pusi. Sakaq, djali i vogël i Teme Sejkos, Sokoli, ish-punëtor i Kombinatit të Tekstileve në Berat, u pushkatua me akuzën për sabotim të pronës socialiste në moshën 23-vjeçare. Në gjyq para se t’i komunikonin vendimin e dënimit fatal, i thanë se je djali i tradhtarit Teme Sejko. Ai u ngrit në këmbë dhe me zë të lartë u përgjigj: “Jam krenar që do të shkoj në pushkatim si babai im”. E ëma, Shpresa, një ditë teksa po i shpinte bukë të birit në burg, u përball me policin e shërbimit, i cili i tha aty për aty: “Merre me vete çfarë ke sjellë, se Sokoli nuk është gjallë, hëngri gjysmën e lekut dhe iku në atë botë”. Më vonë, Shpresa, një grua fisnike nga Korça, nuk i përballoi dot tragjeditë dhe u hodh nga kati i katërt i shtëpisë, duke i dhënë fund jetës në mënyrë makabre. Rajmondi, djali i madh i familjes Sejko, mundi të mbijetojë i vetëm pas 10 viteve burg që bëri për agjitacion e propagandë. Ky është epilogu tragjik i familjes Sejko, fatkeqësitë e të cilës prekën edhe shumë njerëz e kuadro të përkushtuar të luftës e të punës, shokë e bashkëluftëtarë të Teme Sejkos, të cilët u vunë në ndjekje dhe u persekutuan…
vijon nesër...