Policia gjermane ka arrestuar katër adoleshentë të cilët vendosën në panik qindra njerëz në qendrën tregtare Thier-Galerie në Dortmund, pasi hodhën fishekzjarrë dhe ia mbathën me vrap.


Shtatë persona mbetën të plagosur nga kaosi dhe rrëmuja që u krijua. Qendra tregtare, e vendosur në qendër të qytetit dhe në afërsi të tregut të famshëm të Krishtlindjeve të Dortmundit, ishte mbushur plotë me njerëz të shtunën në mbrëmje, kur një grup të rinjsh dyshohet se hodhën disa fishekzjarrë në mes të turmës.




Qindra njerëz ia mbathën nga paniku dhe nga frika e një sulmi të mundshëm terrorist, sipas mediave gjermane dhe llogarive të dëshmitarëve në mediat sociale.


Ekipet e shpëtimit dhe të ndihmës së parë shkuan me shpejtësi në vendin e ngjarjes për të marrë nën kontroll situatën.


Policia e Dortmundit ka konfirmuar se deri tani, shtatë persona janë plagosur në incident, por nuk kanë përjashtuar që më shumë njerëz mund të kontaktojnë autoritetet më vonë. Ashpërsia e lëndimeve të tyre nuk është e qartë.




Autoritetet konfirmuan se katër adoleshentë të moshës 15 deri 16 vjeç u arrestuan në lidhje me incidentin dhe nuk ofruan detaje të mëtejshme për hetimin e tyre në vazhdim.


16 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)