Nëse katër ndeshjet e fundit i shërbyen për të njohur skuadrën dhe për të eksperimentuar, pas mbylljes së kualifikueseve të Botërorit 2018 Kristian Panuçi e ka një ide të qartë të asaj që do të bëjë Shqipëria.


Panuçi ka dalë sot afër mesditës në një konferencë për shtyp, ku ka analizuar dy ndeshjet e fundit kualifikuese në grup, që u humbën ndaj Spanjës në Alicante dhe Italisë në Loro Boriçi.


Trajneri premton një skuadër sulmuese në të ardhmen, që do të kërkojë të marrë rezultate nëpërmjet lojës.


Spanja Natyrisht, kemi kohë deri në fillimin e fushatës kualifikuese për Europianin e vitit 2020. Në nëntor kemi dy miqësore. Do të provojmë të luajmë edhe me dy sulmues. Në Spanjë kisha vetëm Sadikun. Kishim 7 lojtarë që rrezikonin skualifikimin për ndeshjen me Italinë. 6 lojtarë ishin të dëmtuar. Nuk mund të aktivizoja Sadikun në Spanjë, sepse për dy ditë nuk mund të rikuperohej për ndeshjen me Italinë.


Xhaka Natyrisht, janë disa lojtarë, nga të cilët pres shumë. Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor do të udhëtoj shumë. Jam i detyruar të ndryshojmë, duke sjellë edhe prurje të reja. Do të udhëtoj shumë, duke ndjekur kampionate të ndryshme. I referohem rastit të Taulant Xhakës. Më duhet të theksoj faktin se, përpara se ta gjykosh futbollistin, duhet ta njohësh. Në këto 10 ditë stërvitje, ai ka qenë shumë serioz dhe një profesionist i jashtëzakonshëm.


Filozofia “Kemi një brez shumë të mirë lojtarësh dhe me dëshirë e kurajo do të luajmë ndeshje të mira. E kam shumë të thjeshtë të vë autobusin përpara, por jo. Jam i bindur se kjo skuadër i ka të gjitha potencialet dhe aftësitë për të luajtur futboll. Të paktën kjo është filozofia ime. Jemi në prag të një rrugëtimi shumë të madh, që kërkon performancë dhe kurajo. Natyrisht, nuk do të përplasemi gjithmonë me një top-skuadër si Spanja. Nëse do të kishim në grup rivalë si Norvegjia apo Zvicra, patjetër mund të kishim fituar. Unë jam bindur se në ndeshjen ndaj Italisë, tifozët në stadium e ndienin që Shqipëria, nga momenti në moment, mund të shënonte. Mos harroni se Maqedonia barazoi në Itali, ndërsa ne mund të shkonim 2-0 në Maqedoni. Dua të përcjell te skuadra faktin për të luajtur futboll. Unë këtë filozofi kam.


Koordinimi Do të shoh edhe ndeshjen e 19-vjeçarëve dhe 21-vjeçarëve. Dua të shikoj 2-3 lojtarë për të parë se çfarë brumi kanë dhe pastaj, nëse do ta gjykoj, do ti ftoj për miqësoret e nëntorit. Në shtator realizuam një mbledhje me trajnerët e të gjitha kombëtareve për të fiksuar një linjë se ku duhet të operonim. Para Krishtlindjeve do të bëjmë një mbledhje tjetër të tillë, për shkak se janë disa pozicione që mungojnë.


Lilaj Kemi një vit kohë për të parë futbollistë, katër-pesë luajnë nëpër divizione të dyta. Sabien Lilajn do të shkoj ta shoh në ndeshjen e Europa League në Zvicër, kundër Yong Boys. Do të kem dikë këtu edhe për ta ndjekur atë gjatë kampionatit. Kjo puna e vlerësimit është si modeli i play-station, bën një ndeshje të mirë në kampionat, ndërron niveli, shkon në Europa League, sërish nivel tjetër. Po ashtu, tjetër nivel është skuadra përfaqësuese. Në këtë mënyrë, kemi një vit kohë për ti parë të gjithë.


Pikët Unë jam i bindur se pikët do të vijnë. Ne ishim të skualifikuar, pra jashtë Botërorit, në këto katër ndeshje. Duhet një motiv më shumë për ti inkurajuar lojtarët. Kanë qenë shumë seriozë nën drejtimin tim, por do të jetë një tjetër motivim starti i eliminatoreve të ardhshme. Kombëtarja shqiptare edhe më përpara vraponte shumë, por kishte mungesën e kontaktit dhe lëvizjes me topin. Në 20 metrat e fundit duhet të jemi më të këqinj, më agresivë përpara portës kundërshtare. Në mesfushë kemi lojtarë si Basha, Abrashi, Kukeli, që nuk kanë kondicionin për ta përballuar tërësisht një ndeshje. Skuadra më ka dhënë sinjale se dëshiron të provojë, dëshiron të guxojë dhe unë jam në këtë linjë.