Urimet në 65 gjuhë të botës, përfshirë atë shqipe, i drejtohen të gjitha vendeve të globit nisur nga Italia. Mesazhi i sivjetshëm Urbi et Orbi i Papës Benedikt kishte në qendër të rij shpresën se lindja e Krishtit dhe pritja e gëzueshme e ungjillit të tij do të mbushë zemrat e besimtarëve.
Papa Benedikti XVI sulmoi komercializimin që i është bërë Krishtlindjeve, ndërsa mbajti meshën e përvitshme në bazilikën e Shën Pjetrit në Romë.
Me përulje, babai i shenjtë i kërkoi besimtarëve që të shohin përtej sipërfaqes, për të zbuluar dashurinë e vërtetë që qëndron pas lindjes së Krishtit fëmijë në Betlehem.
84-vjeçari përdori një platformë të lëvizshme ndërsa drejtoi ceremoninë fetare, për shkak të problemeve të tij me lëvizjen.
Rreth mesditës, përpara dhjetëra mijërave besimtarëve, Babai i Shenjtë mbajti fjalimin e përvitshëm Urbi et Orbi, atë të urimit të festës në të gjithë gjuhët e botës, përfshi edhe në shqip.
Siria zuri një vend të veçantë në lutjet e Papës, i cili kërkoi fundin e gjakderdhjes në vendin e madh arab.
I lutem Zotit për një fund sa më të shpejtë të dhunës në Siri, pasi shumë gjak i pafajshëm është derdhur tashmë, u shpreh kreu i Kishës Katolike. Lutem çdo ditë edhe për viktimat e urisë në Bririn e Afrikës.
Ndërkohë, me dhjetëra mijëra pelegrinë kristianë dhe turistë janë mbledhur nga e gjithë bota për të kremtuar ditën e Krishtlindjeve në Betlehem. Celebrimet kulmuan në mesnatë në kishën e Lindjes, e vjetër 1 700 vjet.