Kur e kam parë për herë të parë Luan Qerimin në skenën e Teatrit Popullor diku në një shfaqje, dhe më pastaj te Cuca e Maleve, 1967, në rolin e Palit, vëllait të Cucës, më befasoi, kështu shkruan kritiku i teatrit Josif Papagjoni, teksa kujton aktorin e njohur të skenës shqiptare. Ai zë kumbues e ai shtat gjithë hijeshi, ai temperament prej malësori, ai nerv i brendshëm dhe ajo prani e tej përtejhme skenike, gati klithëse – mendova se ky ishte nga aktoret e formatit të heroit dramatik.


Me tutje me Ernesto Remin te Arturo Ui, i shkonte gjithë po aq bukur roli dhe domethënia që personazhi barte vinte për bukuri. Për arsye nga me të ndryshmet, ai m’u duk sikur pengohej në karrierën e tij nga paragjykimet regjisoriale. Ishte modest dhe kur doli në pension, heshti në vetminë dhe fisnikërinë e tij. Por siç unë e kam në mendje, të gjithë adhuruesit e teatrit dhe aktrimit e kanë në sy artistin, ani pse ylli i tij u shua që të bashkohet tutje me dritën dhe yllësinë e memories artistike kulturore shqiptare, shkruan Papagjoni.


Luan Qerimi lindi në Lushnjë, më 15 tetor. U aktivizua në lëvizjen amatore të qytetit, kurse në vitin 1954 ishte aktor në Teatrin e Ushtrisë* dhe më pas u tërhoq në TP. Ka luajtur në skenën e këtij teatri 70 premiera duke realizuar role kryesore dhe të dyta, qysh nga viti 1954 dhe duke vazhduar karrierën e vet artistike gjer në vitin 1990.


Roli i tij i parë është figura e një fshatari në komedinë Prefekti (1954) e B. Levonjës*. Luajti në pjesë të tilla si Toka jonë, Otello, Orët e Kremlinit, Hamleti, Dragoi i Dragobisë, Perkolgjinajt, Lumi i vdekur, Epoka para gjyqit, Shënomëni dhe mua etj. Figura e Palit tek drama Cuca e maleve (1967) e L. Papës* u përkap prej tij dhe u dha me tone të ndjera dramatike brenda një kahje të dukshme psikologjike, si një malësor i tronditur shpirtërisht, në zgripin e kuptimit apo keqkuptimit të së vërtetës, ku përshfaqej njëkohësisht edhe procesi i transformimit të tij.


Një tjetër rol i mishëruar me mjeshtëri dhe forcë artistike prej L.Q. ishte Remi tek drama satirë Arturo Ui (1971) e B. Brehtit, ku u luajt në planet e thukta të satirës e sarkazmës, të gërshetuara me grotesken dhe përshtatjen kinse dramatike. L.Q. është aktor me një plastikë e pamje të bukur; ka një zë të thellë bariton, me një të folur të qetë, të qartë, rëndom në tone të ulta e me parapëlqim kahjet psikologjike.


Ka qenë një nga aktorët tejet të angazhuar në emisionet e njohura televizive Teatri në ekran*, Heroizmi i popullit shqiptar ndër shekuj apo Teatri në mikrofon, i ngarkuar me rolet kryesore. Ka realizuar mbi 15 role në kinematografi, u dallua me kuestorin tek Lulëkuqe mbi mure dhe Kalosh Cami te Shembja e idhujve. Mban titullin Artist i merituar.


3 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)