Blerta Dervishi dhe Ina Nuka

Paraditen e sotme të gjitha mediat kishin për kryefjalën lajmin, se Blerta Dervishi, efektivja e repartit Shqiponja që ditën e djeshme u pa të protestonte bashkë me dy djemtë e saj përballë shkollës Petro Nini në mbrojtje të banesës, ishte pezulluar nga detyra.


Blerta ishte një nga kryefamiljaret që u përfshi në përplasje me kolegët e saj policsë dhe përmbaruesit, të cilët tentuan të ekzekutonin vendimin e Gjykatës së Tiranës për pronën në fjalë.


Nëna e dy djemve jeton në një prej banesave, të ndërtuara në pronën që gjykata ua ka kthyer ish-pronarëve dhe bashkë me fëmijët u bë protagoniste e kundërshtimit që përfundoi në incidente.







Ajo tha për mediat se është kontaktuar nga eprorët për ti thënë se do të pezullohet për shkak se nuk ka lejuar përmbarimin të kryejë detyrën.


Më morën në telefon dje dhe më thanë që do të pezullohesh dhe do të marr vërejtje se kam penguar përmbarimin të kryejë detyrën. Ndërsa sot mu komunikua me shkresë se pezullohem 1 deri në 3 ditë dhe pezullimi shoqërohet edhe me vërejtje. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, mbrojta shtëpinë time. Veprimet e mia ishin jashtë orarit të punës, nuk kishte lidhje me detyrën, sqaroi ajo.


Por ajo çka bie në sy nga hulumtimi i rrjeteve sociale, është fakti se Blerta Dervishi është mikeshë e efektives së Shqiponjave, Ina Nuka, e cila mbeti e plagosur në një tjetër protestë të kontekstit të ngjashëm.


Inës ju dëmtuan dy gishta të njërës dorë nga hedhja e kapsollave prej protestuesve të Astirit në tubimin e tyre para Parlamentit më 22 nëntor. Çuditërisht ndryshe nga Blerta, të cilës iu tërhoq veshi se mbrojti banesën e saj, Ina Nuka u trajtua si një heroinë nga qeveria.


Për efektiven e re të Shqiponjave vetë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u kujdesën që të kurohej në Turqi, madje me VKM u akordua edhe një ndihmë financiare prej 8 milionë lekësh për të.