Përplasja Presidencë-Parlament për Gjykatën e Lartë duket se i ka rrënjët e thella. Sipas rregullores, institucioni i Gjykatës së Lartë ka të drejtë të ketë 17 anëtarë, ndërkohë që prej dy vjetësh ky institucion është drejtuar nga më pak anëtarë seç e përcakton rregullorja. Aktualisht vetëm 10 gjyqtarë figurojnë në drejtimin e këtij institucioni, çka ka detyruar kreun e shtetit t‘i kërkojë Parlamentit të përshpejtojë procedurat për të dekretuar emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kuvendit prej dy vjetësh i ka shpëtuar prej vëmendjes kjo mungesë anëtarësh, e cila ndoshta e bërë me qëllim, apo si pasojë e papërgjegjshmërisë, ka sjellë paralizën e një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, ashtu siç është Gjykata e Lartë.



Me firmën e Kryetares së Kuvendit dekretet e Presidentit duhet të paraqiten në Komisionin e Ligjeve për t‘i shqyrtuar nga ana ligjore dhe më pas ato kalohen për votim në sallën e Kuvendit. Sipas rregullores, për procedura të tilla nuk është e nevojshme mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për të caktuar ditën se kur ata duhet të futen në seancë. Për të mos krijuar vakume institucionale, emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por edhe të institucioneve të tjera që dekretohen nga Presidenti dhe duan miratimin e Kuvendit, paraqiten në Komisionin e Ligjeve menjëherë sapo ata protokollohen në Kuvend. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, megjithëse emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë kanë tri javë në tryezën e Kryetares së Kuvendit. Topalli është duke kërkuar informacione shtesë mbi veprimtarinë e këtyre gjyqtarëve.