Ueb faqja SportsIllustrated.com e ka bërë parashikimin e medaljeve që mund t’i fitojnë përfaqësueset pjesëmarrëse në Olimpiadën e Londrës. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do të fitojnë më së shumti medalje, 99, prej tyre 42 të arta, 26 të argjendta dhe 31 të bronzta. SHBA-të do të ndiqen nga Kina, e cila do t’i fitojë gjithsej 97 medalje, kurse në top 5 futen edhe Rusia (79), Britania e Madhe (65) e Australia (40).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fitojnë më së shumti medalje në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’. Ky të paktën është parashikimi i ueb faqes SportsIllustrated.com, që e ka publikuar listën e shteteve të cilat kanë më së shumti mundësi të stolisen me medalje në evenimentin që do të fillojë të premten.

Ueb faqja i ka analizuar 300 evenimentet që janë mbajtur në 26 sporte për ta nxjerrë këtë përfundim. Kjo ueb faqe ishte mjaft e saktë në parashikimet që kishte bërë katër vjet më parë në Olimpiadën e Pekinit. Prandaj, tash i erdhi radha edhe Olimpiadës së Londrës. Sipas saj, SHBA-të do të fitojnë më së shumti medalje, në total 99 sosh, prej tyre 42 të arta, 26 të argjendta dhe 31 të bronzta.

Kjo ueb faqe i ka përmendur edhe me emra sportistët që mund të kthehen në shtëpi me medalje. LeBron James parashihet ta fitojë medaljen e artë si pjesë e ekipit kombëtar të basketbollit. Zach Railey mund ta fitojë të bronztën në lundrim, kurse Anna Tunnicliffe mund të stoliset me të artën në garën me vela.

Abby Wambach parashihet ta fitojë medaljen e artë me ekipin e artë të futbollit. Notari Ryan Lochte mund ta fitojë të artën në garën 200 metra, stil i lirë, të artën në garën në shpinë, po ashtu 200 metra, të argjendtën në garën 200 metra, individual stil i përzier dhe të artën në 400 metra, individual stil i përzier, ku pritet ta mposhtë një garues si Michael Phelps.

Serena Williams parashihet ta fitojë medaljen e artë në tenis, kurse ajo së bashku me motrën Venus mund ta fitojnë të artën në çift. Atleti Justin Gatlin mund ta fitojë të bronztën në garën 100 metra, kurse Tony McQuay gjithashtu të bronztën në vrapim 400 metra.

Në konkurrencën e femrave, Sanya Richards-Ross mund ta fitojë të artën në 400 metra. Kellie Wells pritet ta fitojë të bronztën në 100 metra me pengesa dhe në fund, Phil Dalhausser së bashku me Todd Rogers parashihet ta fitojnë të artën në volejboll në rërë.

SHBA-të do të ndiqen nga Kina, e cila pritet t’i rrëmbejë 97 medalje, prej tyre 42 të arta, 30 të argjendta dhe 25 të bronzta, kurse pozita e tretë pritet t’i takojë Rusisë (79 medalje – 28 të arta, 23 të argjendta e 28 të bronzta). Britania e Madhe mund të përfundojë në pozitën e katërt, njëjtë siç bëri në Pekin, me 65 medalje (23 të arta, 23 të argjendta e 31 të bronzta).

Pas organizatorit të Olimpiadës mund të përfundojë Australia me total 40 medalje (16 të arta, 13 të argjendta e 11 të bronzta). Gjermania është paraparë t’i fitojë 49 medalje, por vetëm nëse 11 prej tyre do të jenë të arta, do të përfundojë prapa Australisë.