Janë të rralla ngjarjet që shënuan një epokë, nismat që kurorëzuan një ideal, rrethanat që lindën një mrekulli. Kongresi i Manastirit gëzon epitetin e kryengjarjes që parapriu ndryshime në zhvillimet ballkanike e botërore. Shënon fillimin e fundit të një perandorie, shënon fundin e një durimi që do të shpërthejë në aspiratën e pafundme për liri e mëvetësi të shqiptarëve, fillimisht, dhe, të popujve të tjerë në fqinjësi, lakmitarë deri në skajshmëri për të marrë pjesën që nuk iu takon. Kongresi i Manastirit ishte një domosdoshmëri e kohës, kur tashmë ishin krijuar vatra diturie e arsimimi, lëvizjeje e patriotizmi sa iluminist aq militant, të shumtën në kolonitë ku jetohej, veprohej e ëndërrohej për atë copë atdheu, mbetur në mëshirën e të huajve, në mëshirën e fatit, në mëshirën e kohës mes Perëndimit e Lindjes, mes dritës e errësirës. Kolonitë e fuqishme dhe me shumë ndikim si ajo m‘u në zemër të Perandorisë Turke, në Stambollin e paradokseve, ku parakaluan shumë rilindës tanë, të të gjitha besimeve, pa përjashtim patën objektivin e parë dhe të fundit: një gjuhë, një shkrim dhe, mundësisht, sa më parë... se koha nuk priste. Koloni të tjera, klube të suksesshme gravituese atdhetarësh e kurbetçarësh, me mallin e ngjeshur në trup e mendje, si ajo e Kajros, Aleksandrisë, Bukureshtit, Konstancës, Selanikut, Sofjes, Varnës, Barit, Brukselit, Londrës, Bostonit, Nju-Jorkut... e radha është e pafund, siç ishte sakrifica e pafund për t‘u kurorëzuar përpjekjet për të dhënë një rezultat për të qenë. Mes burrave të njohur, atdhetarë, gjuhëtarë, klerikë, ishte dhe ajo. Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja grua në komisionin për alfabetin e njësuar. Bashkë me të dhe e motra, Sevastia, të cilat bënë të pamundurën për kohën kur u formuan dhe vepruan që të ndryshonte historia! Formimi i tyre intelektual e me primesa të jashtëzakonshme atdhedashurie nuk ishte as i rastësishëm, as i imponuar. Në Manastirin e gjysmës së dytë të shekullit XIX, fillimisht Sevastia (e lindur më 1871), por pas pak vitesh edhe Parashqevia (e lindur më 1880) do të rriteshin e formoheshin m‘u në zemër të Perandorisë Turke me një kulturë perëndimore, duke ndjekur shkolla e kolegje amerikane. Mësimet e para, qe një ogur i bardhë ky, do t‘i ndiqnin pikërisht në Manastir, por që patën fatin të ndjekin më pastaj edhe kolegjin amerikan në Stamboll për t‘u pajisur jo vetëm me diploma e certifikata të nevojshme për të zhvilluar aktivitetin iluminist e arsimor në Korçë e Manastir, por në rrethana të tjera edhe në Tiranën mbretërore të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX. Prania anglo-amerikane në Manastirin e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe përqafimi i ideve, frymës dhe kulturës perëndimore, e parimeve të shenjta të lirisë dhe të drejtave individuale e shoqërore me traditë shekullore demokratike ishte një moment vendimtar rreshtimi të motrave Qiriazi dhe udhërrëfyes jetësor për veprimtarinë e tyre poliedrike. Ato, edhe pse përballeshin me trysnitë e një mentaliteti, të një sërë pengesash për të pamundësuar veprimtaritë e "këndelljes" së popullit nga një pushtim i gjatë dhe ushtrim i përvetësimit të sjelljeve dhe tipareve të një kulture aziatike fatale për popullin shqiptar, arritën të hapin shkollën e vashave më 23 tetor 1891 në Korçë. E guximshme, e përgjegjshme, e tejkohshme për kohën dhe rrethanat, por jo e pamundur për idealin e tyre. Shkolla e vashave, si refleks imediat i emancipimit dhe arsimimit të pjesës më të ndijshme të një populli, e pjesës që do të përcaktojë fatin e zhvillimeve dhe të së ardhmes, një të ardhmeje krejt ndryshe nga ç‘përjetuan nëna e etër brez pas brezi, duke e vënë në pikëpyetje atë që fqinjët tashmë e kishin arritur, përfaqësimin e denjë të gruas në të gjitha poret e jetës. Në këtë rrugëtim, fqinjët kishin shkuar edhe më larg, kishin futur edhe aspirata lakmitare, duke shfrytëzuar fatkeqësinë e tjetrit, robërinë e tjetrit, për ta pasur sa më të lehtë marshimin mbi përpëlitjet e tjetrit. Motrat Qiriazi, të vetëdijshme për rolin e gruas në shoqëri, iu përveshën një pune në rrethana pothuajse të pamundura për veprim dhe me mungesën e tmerrshme të një alfabeti në sajimin e teksteve që do të kishin shtrirje më të madhe territoriale e hapësinore. Orientimi i tyre që në hapat e parë, drejt njohjes së realiteteve aspak të favorshme për veprim, hasi udhërrëfyesin e besueshëm, yllin polar në errësirën anadollake e kleptomaninë e fqinjësisë për t‘u orientuar drejt Perëndimit, drejt kulturës dhe demokracisë së vënë tashmë në veprim me rezultate kolosale. Ajo duhej aplikuar, duhej vënë në veprim sa më parë te shqiptarët, për të mos i lënë vend dilemave për një alfabet grek apo arab, një alfabeti konglomerat, por të një alfabeti që do të çonte drejt një uniteti të përgjithshëm kombëtar e kulturor. Nga ç‘thonë të gjitha burimet e kohës, shqiptare e të huaja, promotore të Kongresit të Alfabetit pa dyshim që ishin vetë Motrat Qiriazi. Ato i dhanë shtysën dhe ngritën moralin e burrërisë, edhe pse iu qe pamundësuar ndjekja e drejtpërdrejtë e seancave dhe zhvillimeve në ambientet e Kongresit. Shtëpia e tyre në Manastir, për fat shumë afër me shtëpinë tashmë monument të Kongresit të Alfabetit, do të qe e hapur ditë e natë për takimet e çdoditshme të Komisionit të Kongresit dhe diskutimet sa ishin të zjarrta, herë-herë edhe pa zgjidhje, që së fundi do t‘ia dilnin mbanë përgjegjësisë historike. Në të vërtetë, Sevastia do të qe e detyruar të përkujdesej për shkollën e vashave në Korçë, e cila falë reformave të çastit kishte një fluks të shtuar të të interesuarave për ta vijuar atë, por Parashqevia nuk iu tremb as pasigurisë së udhëtimit, as kurtheve nga më të ndryshmet, as padrejtësisë gjinore të pushtetit aziatik, por u bë shembull e bashkëveprimit, konstruktivitetit, arsyeshmërisë së ideve dhe arritjen e unitetit të përgjithshëm.



Sepse Kongresi do t‘i jepte shtysën imediate ngjarjeve që do të pasonin, Normales së Elbasanit, shpalljes së Pavarësisë, hartimit dhe shtypjes së teksteve shkollore, nga nivelet më të ulëta e deri tek institutet që nuk do të mungojnë të hapen në vijimësi. Motrat Qiriazi, në unison ndërveprimesh do të shkëmbejnë përvoja, duke kaluar edhe Atlantikun, duke krijuar miqësira të cilat do të reflektojnë edhe në Konferencën e Paqes, ku Parashqevia qe një veçanti edhe për vendet më të qytetëruara të pranisë së një gruaje në delegacione të nivelit shtetëror e kombëtar.



Instituti "Qiriazi", fillimisht i hapur në Korçë, dhe më vonë me konsolidimin shtetëror edhe në Tiranë, me premisat e një instituti si në vendet me traditë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e edukimit institucional, s‘do të vonojë dhe do t‘iu "merrej" padrejtësisht, duke u shndërruar në institutin "Nëna Mbretëreshë", por kjo ishte një asgjë, në krahasim me kalvarin që do ta përjetojnë me ardhjen në pushtet të komunizmit. Ato përfundimisht do t‘i mbulojë pluhuri i harresës, dhe, si çdo shenjtëri e kësobotshme, do të rilinden pikërisht në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit! Sevastia, e ndarë nga kjo botë më 1949, me të motrën Parashqevinë që jetoi si jetoi deri më 1970, janë engjëjt e shkronjave shqipe, janë shenjtëreshat e arsimimit dhe të emancipimit shqiptar, janë emblema e formimit dhe zhvillimit të shtetësisë shqiptare, edhe pse ajo shtetësi, në foshnjërinë dhe "pjekurinë" e vet ishte aq e pamëshirshme me figurën dhe personalitetin e pakontestueshëm të tyre!



Pikërisht në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ato rilinden dhe dalin me aureolën e shkronjave të arta shqipe, me përkatësinë tashmë të pranuar botërisht të shqiptarëve në familjen evropiane.



Manastiri i Motrave Qiriazi, si kurrë më parë, do të rikujtojë me pietet, për pak ditë që kanë mbetur deri te ky përvjetor i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, idealin e tyre, ëndrrën e tyre, sakrificën e tyre, "dënimin" e pamerituar të harresës, e cila tashmë është pjesë e arkivave dhe e turpit komunist.



Për 18 vjet rresht, sa vepron Shoqata për Emancipimin e Gruas "Motrat Qiriazi", me seli në Prishtinë dhe degët e saj në shumë pjesë të Kosovës, por, për koincidencë, edhe në Nju-Jork të Amerikës, kujtoj se ia ka dalë mbanë të rikthejë dinjitetshëm figurën e ndritshme të këtyre dy motrave, nismëtareve të shumë zhvillimeve me interes gjithëkombëtar.