10/07/2009  Rast i rrallë për regjisorin e komedive Arian Çuliqi të paraqitet me filmin e tij në kohë vape e në mes të vitit, meqenëse dhjetëra telekomedi të tjera që mbajnë firmën e vulën e humorit të tij karakteristik kanë qenë surpriza e netve të fundvitit. Kujtojmë këtu telekomeditë “Dashi pa brirë”, “Pak fresk sonte”, “Borxhliu”, “Fundi i marrëzisë”, “Gjithë fajet i ka paraja”, “Dashuri me krisma”, “Një baba tepër”, “Pas një lajmi”, “Pesha e gruas sime”, apo serialin “Piruet”. Po siç duhet regjisori kësaj herë kërkoi të falte buzëqeshje në një periudhë të tensionuar zgjedhjesh, kur shqiptarët e kanë marrë më se seriozisht jetën për të na kujtuar thënien e Oskar Uajldit se “nëse njeriu i shpellave do të kishte ditur të qeshte, historia e njerëzimit do të kishte pasur një rrugëtim tjetër”.


Filmi “Para nga qielli”, i shfaqur ditën e hënë në sallën e Shtëpisë së Oficerëve, mbushur plot me artistë të ekranit e të skenës, dashamirës e miq të autorit, korri duartrokitje dhe të qeshura për rreth më tepër se një orë. Fabula më se aktuale kishte për bosht paranë, varësisë e njeriut të sotëm prej saj, transformimin e vlerave dhe karaktereve njerëzore kur paraja futet në mes. Me një kastë aktorësh të zgjedhur, ku gërshetohej loja e aktorëve të afirmuar, si Sejfulla Myftari, Behar Mera, Suela Konjari, me ata të rinj jo më pak të talentuar si Enson Mula, zbërthehej qëllimi i komedisë për të paraqitur situatën e vështirë në të cilën vihet njeriu qoftë kur ka, qoftë kur nuk ka para. Autori pyet: ç’mund të ndodhë nëse një ditë një njeri i varfër zgjohet i pasur? Çfarë ndryshon në jetën e tij? A bëhet ajo vërtet më e mirë? Si ndryshon sjellja e miqve dhe shokëve përqark? Dhe përgjigjet i ka dhënë nëpërmjet situatave komike, ku fshihet tragjizmi i monstruozitetit njerëzor dhe hipokrizisë së shoqërisë së sotme, që ka zëvendësuar çdo vlerë me paranë. Personazhi kryesor i telekomedisë, Kilja, interpretuar me mjeshtëri nga Sejfulla Myftari, është një figurë tragjikomike, që pasqyron me vërtetësi viktimën e radhës nga pasja dhe mospasja e parasë.


Në prezantimin e punës së tij regjisori e cilësoi atë si “film pasioni”, duke dëshmuar për dëshirën dhe nevojën e rivlerësimit të një gjinie të lënë në heshtje e të pambështetur siç duhet financiarisht nga institucionet përgjegjëse. Përveç kthimit të ekraneve në një mjet argëtimi e përçuesi kulture e jo thjesht tribuna zëdhënëse të politikës, një faktor tjetër që ndikon drejtpërdrejtë në gjallërimin e jetës kulturore është dhe respektimi i së drejtës së autorit. “Mbrojtja e së drejtës së autorit është një emergjencë që vë në vend dinjitetin e artistit dhe i jep vendit pasaportën e një shteti demokratik”, - u shpreh Çuliqi.