Nuk pati vetëm gola në duelin mes Dortmundit dhe Bajernit në Bundesligë.
Barazimi 1-1, me gola të Blashçikovskit dhe Mario Gomezit, u arrit në një ndeshje të ashpër, ku nuk munguan gabimet, tensioni dhe kartoni i kuq dhe që ishte parathënie për finalen e Championsit.
Levandovski humbi 11-metërsh për vendasit, ndërsa Rafinja u përjashtua me karton të kuq për Bajernin.
Gjithsesi, tensioni arriti kulmin kur trajneri i Dortmundit, Klop, u përball kokë më kokë me drejtuesin sportiv të Bajernit, Matias Zamer. Ironikisht, Zamer ka qenë dikur një nga lojtarët kryesorë të Borusias.
Duelet e ashpër ishin të shumtë në fushë përgjatë 90 minutave dhe po ashtu edhe nervat.
Gjithsesi, ndeshja përfundoi në barazim dhe tashmë gjithçka do të zhvendoset në të famshmin “Uembli” të Londrës, aty ku do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve më 25 maj.
Përballja në “Signal Iduna Park” tregoi se për çfarë lloj finaleje bëhet fjalë.