Tirana do ketë edhe një Park Aventurash në Dajt, ku grupmosha të ndryshme do të kenë mundësi që të përjetojnë një eksperiencë emocionuese me aktivitete dhe kurse të posaçme. Dajti Adventure Park, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është ndërtuar në ballkonin e Malit të Dajtit në një lartësi mbi 1000 m nga niveli i detit, falë partneritetit mes Bashkisë së Tiranës dhe Dajti Express.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i APR, Blendi Gonxhja, mori pjesë në hapjen e këtij parku, ku u organizoi edhe një festë me kllounë, prestigjatorë, muzikë, animatorë dhe fëmijë të grupmoshës nga 8-14 vjeç.


Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se parqe të tilla janë një mundësi mjaft e mirë për qytetarët për të bërë një jetë të shëndetshme. Në qoftë se njerëzit në qytetin tim thonë se vuajnë nga obeziteti, në qoftë se nuk kanë ushqim, në qoftë se kanë sëmundje kardiovaskulare, në qoftë se nuk thithin ajër të pastër dhe në qoftë se unë humbas prej këtyre faktorëve  kapitalin e njerëzve, atëherë çfarë më duhet një qytet bosh me ndërtesa, pa njerëz, që jetojnë një jetë më të shkurtër prej ndotjes dhe gjithë problematikave të tjera? Ndaj e marrim shumë seriozisht, jo vetëm si një vend për të kaluar kohën dhe për të pasur pak variacion, por si një mënyrë dhe si një politikë konkrete për tu thënë njerëzve, duhet të heqim fëmijët nga kafet në të gjithë Tiranën, tha Veliaj.


Kreu i Bashkisë deklaroi se nisma të tilla për të realizuar sa më shumë aktivitete sociale dhe sportive, janë edhe një politikë e mirë për të ulur sëmundshmërinë tek qytetarët. Kjo është një politikë sociale, por kjo është edhe një politikë shëndetësore. Ne sot kemi në Tiranë 500 vetë që humbasin jetën çdo vit vetëm nga problemet që kanë me ndotjen. Jo ndotje që na i sjell armiku, ndotje që e shkaktojmë vet, tha ai.


Në këtë kuadër, Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës i ka kërkuar Këshillit të Ministrave që asete të tilla, sikurse është Parku Kombëtar i Dajtit, që ndodhet në territorin e Tiranës, ti kalojnë pushtetit vendor, si një mundësi për ti mirëmenaxhuar dhe për ti ruajtur. Një nga gjërat që i kemi kërkuar qeverisë shqiptare dhe kryeministrit me të krijuar qeverinë e re, është që asete të tilla, që quhen parqe kombëtare, ti kalojnë në administrim Bashkisë se Tiranës. Vetëm një kryetar bashkie me stafin e vet  që ka vënë emrin dhe reputacionin e tij në menaxhimin e qytetit, mund të kujdeset, tha Veliaj.


Kryetari i Bashkisë garantoi qytetarët se ashtu sikurse Bashkia kujdeset për të gjithë qytetin e Tiranës, edhe Parku Kombëtar falë bashkëpunimit që ka lindur midis APR-së dhe Dajti Expres, do të japë rezultate mbresëlënëse. Veliaj vlerësoi bashkëpunimin si një mundësi për të realizuar investime në shërbim të gjithë komunitetit. Çfarë të keqe ka nga ky partneritet? Këta vunë paratë e tyre, trashëgiminë e babait të tyre të nderuar që ka bërë një punë fantastike, një ëndërrimtar. Fillon nga ëndrra të çmendura të disa privatëve që burokratët e shtetit nuk i kanë kurrë dhe ja ku kemi sot produktin konkret, ska nevojë për histeri. Kur bashkojmë energjitë nuk është kapitalizmi problemi, problemi janë njerëzit që nuk e njohin fare kodin e bashkëjetesës, cilësinë e jetës, si të ruajnë gjënë e përbashkët që të përfitojnë të gjithë, u shpreh kreu i Bashkisë, ndërsa shtoi se në Tiranë janë ndërtuar brenda një kohe të shkurtër 20 kënde lodrash.


27 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)