Edhe këtë vit sistemi me kohë të pjesshme do të nisë me mjaft vonesë në krahasim me nisjen e vitit akademik. Ndonëse është zbardhur tashmë vendimi i Këshillit të Ministrave për kuotat dhe tarifat e shkollimit me kohë të pjesshme, ende ky vendim nuk ka mbërritur në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, që më pas do t`ua shpërndajë universiteteve, së bashku me udhëzimin përkatës për nisjen e procedurave të aplikimit dhe të regjistrimit.


Megjithatë, burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bënë të ditur dje për gazetën “standard” se kriteret dhe procedurat e regjistrimit do të jenë të njëjta me vitin e kaluar, duke mos ndryshuar mënyrën e aplikimit, të shpalljes së fituesve dhe të regjistrimit të kandidatëve që nuk kanë arritur të fitojnë një shkollë ose që dëshirojnë të vijojnë një shkollë të dytë, kësaj radhe me kohë të shkurtuar.


Në këtë mënyrë, ashtu si vjet, edhe këtë vit, kandidatët do të ndahen në dy kategori, në ata që dëshirojnë të vijojnë në këtë sistem për shkollë të parë e që do të jenë shumica dhe në kategorinë e dytë, që dëshirojnë të vijojnë sistemin me kohë të pjesshme si shkollë të dytë.


Kriteri i pranimit të studentëve do të jetë që të mos jenë duke vijuar studimet në të njëjtin universitet, në sistemin me kohë të plotë, ndërkohë që radhitja e fituesve për kategorinë e parë do të bëhet duke marrë parasysh mesataren e maturantëve gjatë katër viteve të shkollës së mesme që kanë vazhduar.


Ndërkohë, për kategorinë e dytë do të kategorizohen në bazë të afërsisë që ka pasur fakulteti i parë me fakultetin e dytë dhe sërish kriteri që do të vendosë se kush do të vijojë shkollën dhe kush jo, pra që do të përcaktojë radhitjen e kandidatëve, do të jetë nota mesatare.


Aplikimet që pritet të nisin në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit dhjetor, do të përmbajnë dokumentet standarde të kandidatëve, pra një mjet identifikimi me fotografi, diplomën e noterizuar të shkollës së mesme ose të universitetit, për ata që dëshirojnë të vijojnë fakultet të dytë, mandatin e pagesës së tarifës së regjistrimit, fotografi personale dhe një kërkesë aplikimi.


Pas përfundimit të aplikimit, do të jenë fakultetet ato që do të bëjnë klasifikimin e kandidatëve, duke shpallur studentë të gjithë ata që janë mbi vijën e kuotave të përcaktuara e që më pas do të kenë mundësi të regjistrohen duke u paraqitur në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse.


Burime nga Ministria e Arsimit bënë të ditur se brenda ditëve në vijim pritet të shkojë në këtë institucion vendimi i zbardhur i qeverisë e më pas ai do t`u shpërndahet menjëherë institucioneve publike të arsimit të lartë në vend, e shoqëruar me udhëzimin përkatës të nënshkruar nga ministri Tafaj.