13 vjet pas miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë, përmes një votimi të bojkotuar nga gjysma politike dhe qytetare, dokumenti themelor i shtetit është bërë burimi më i cituar politik. Palët politike flasin në emër të Kushtetutës, institucionet tona u referohen parimeve të saj, faktori ndërkombëtar dhe vetë qytetarët gjejnë tek Kushtetuta çelësin e zgjidhjes së problemeve. Ky restaurim i vlerave dhe parimeve kushtetuese mbi ato vlera, parime dhe sjellje juridike, administrative apo politike që hasen në jetën e përditshme të funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë, përbën një zhvillim shumë pozitiv. Kushtetuta është shtylla kurrizore e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, sistemit qeverisës, raporteve qytetarë-shtet-shoqëri, marrëdhënieve midis vetë shtetit dhe shteteve të tjera etj. Si e tillë, çdo rritje e peshës dhe e rolit të saj në komunikimin politik apo marrëdhëniet institucionale mbetet i mirëpritur dhe i nevojshëm.
Studiues të normave kushtetuese europiane bëjnë dallimin midis shoqërive që funksionojnë mbi baza kushtetuese, atyre ku tradita e ka plotësuar nevojën e Kushtetutës së shkruar, apo atyre ku edhe shkrimi i dhjetëra kushtetutave nuk sjell normalitet dhe funksionim kushtetues të shtetit. Shqipëria nuk bën pjesë në asnjërin prej këtyre kategorizimeve. Modeli ynë është miks, një vend ku Kushtetuta lindi gjysmake dhe për rrethana specifike ajo mori vlera gjithnjë e më të mëdha, pa arritur ende të kthehet në normë apo traktat real udhëheqëse për shoqërinë dhe shtetin. Kjo për një arsye të thjeshtë: referimet e shumta në Kushtetutë nuk e kanë ndryshuar sjelljen e aktorëve politikë ndaj saj, përkundrazi. Në rritjen e numrit të referimeve kushtetuese modeli shqiptar ofron rastin kur palët politike kanë lexim e vlerësim të ndryshëm për Kushtetutën, aktorët politikë dhe civilë kërkojnë prej saj alibi për të gjitha qëndrimet dhe orekset e tyre politike. Pra, në modelin shqiptar citimi kushtetues (keq)përdoret në funksion të politikës së ditës, pa një standard të njëjtë për problematikë të njëjtë, nga aktorë të njëjtë politike në dy situata të ndryshme politike. Mjafton të kujtojmë se palët politike e mbajtën vendin prej një viti në krizë politike, secila duke këmbëngulur në qëndrimet e saj kushtetuese, për “zgjidhje kushtetuese”, brenda “kuadrit kushtetues”. Apo faktin se Shqipëria ka pasur modele qeverisëse negative e pozitive, vendimmarrje politike të drejtë e të gabuar, arritje e dështime, të gjitha në çdo rast të bëra në emër të Kushtetutës, të legjitimuara nga normat kushtetuese dhe të mbrojtura/refuzuara po në emër të saj.
***
Një rast tipik i paradoksit kushtetues është raporti i vetë partive politike me Kushtetutën. Sipas dokumentit themelor të shtetit, (neni 1) qeverisja në Shqipëri “bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Palët politike në rastin më të mirë pranojnë se vetëm një palë zgjedhje (1992) ose një palë tjetër (2009) kanë qenë të tilla; pra pranojnë deformimin e këtij parimi themelor kushtetues, për të cilin përgjegjëse direkte janë vetë partitë politike. Më tej, neni 9 i Kushtetutës përcakton se organizimi i partive politike “duhet të përputhet me parimet demokratike”. Pas 20 vitesh tranzicion është e vështirë të gjendet ende një parti politike me demokraci të brendshme funksionale, me norma të brendshme demokracie, pra në përputhje me këtë kriter kushtetues. Pika dy e këtij neni e avancon kriterin kushtetues mbi partitë politike, duke theksuar ndalimin e partive “programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metodat totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë”. E para, ky kriter nuk zbatohet dot sepse pothuajse shumica e partive nuk kanë program të shkruara politik. E dyta, veprimtaria e partive tona politike shpeshherë ka funksionuar pa kufi të qartë ndarës midis mjeteve demokratike dhe përdorimit të dhunës. E treta, ne kemi parti që kanë shfaqur madje edhe në fushata elektorale slogane fyese dhe diskriminues për grupe, krahina apo besime të ndryshme fetare. Ndërkohë, e vetmja parti e nxjerrë jashtë ligji është Partia Komuniste (1992) e rikthyer në 1998-ën me një ndryshim tjetër kushtetues. Për ta avancuar logjikën e raporteve parti–Kushtetutë, legjislacioni mbi partitë politike ndalon shtrirjen e aktivitetit të partive jashtë vendit, krijimin e partive etnike e fetare, përfshirjen e administratës civile në aktivitetet politike, veprimin e partive në organe e institucione jopolitike etj, fenomene që janë prezente dhe të përditshme në Shqipëri.
Përcaktimi më i qartë kushtetues (neni 9, pika 3) lidhet me raportet financiare të partive politike. Kushtetuta përcakton qartazi se “burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike”. Ky parim ekziston prej vitit 1998, por edhe pas 13 vitesh as nuk është zbatuar dhe as ka ndonjë shenjë se do të zbatohet në të ardhmen. Financimi partiak vijon të jetë një nga “vrimat e zeza” të financimeve politike antiligjore në Shqipëri. Rastet e financimeve të dyshimta kanë çuar në procese hetimore në partinë më të madhe gjermane CDU, franceze RPR, italiane Forza Italia, por ende nuk kemi pasur dhe as nuk kemi një hetim apo proces transparence në asnjë prej partive politike shqiptare. Kodi Zgjedhor parashikon norma formale të kontrollit, pa dhënë garanci për transparencë reale, vetë partitë kanë konsensus në mosrespektimin e këtij detyrimi kushtetues, ndërkohë që vetë ato mbushin çdo ditë tribunat e konferencave të shtypit me akuza reciproke për lidhje mafioze, financime të paligjshme, interesa financiaro-politike etj. Në praktikat e deritanishme, nëse një zyrtar abuzon financiarisht edhe me dietat e punës (112 raste sipas raportit të KLSH-së në 2010-ën) ata shkarkohen dhe ndiqen penalisht. Por kur bëhet fjalë për financimeve me shifra astronomike, kontrata fiktive me kompani, financime me para ose me mjete teknike elektorale etj, viti 2010 nuk shënoi asnjë rast hetimor ndaj asnjë force politike. Kjo, edhe pse të gjithë ne jemi dëshmitarë se në 2009-ën Shqipëria, vendi më i varfër në NATO, zhvilloi një nga fushatat më të kushtueshme e luksoze midis vetë vendeve të NATO-s. I njëjti fenomen duket se po përsëritet edhe në zgjedhjet e reja lokale, ku interesat financiare të pushtetit qendror e lokal nuk kanë vendosur ende kufi me interesat partiake qendrore dhe lokale, ku grupe lobuese financiare janë në kërkim të kandidatëve të preferuar për kryetarë njësish vendore dhe ku vetë partitë kanë shpallur kriter “jozyrtar” mbështetjen financiare të kandidatëve të tyre.
Ekzistenca e dy standardeve: parti që flasin e betohen në emër të Kushtetutës dhe parti të njëjta që nuk tregojnë vullnet dhe as respekt për përgjegjësitë direkte të tyre ndaj Kushtetutës, e bën referimin kushtetues një zhvillim të dyshimtë dhe të cekët. Sepse në një shoqëri juridikisht demokratike, ku partitë kanë pushtet ekstra-kushtetues (organizojnë zgjedhjet, vetë votojnë, vetë numërojnë, vetë i gjykojnë në KQZ dhe vetë kanë të drejtë përzgjedhjeje të anëtarëve në Kolegjin Zgjedhor), standardet e dyfishta brendapartiake nuk mund të jenë asnjëherë siguri për standard të njëjtë kushtetues në raportin e këtyre partive me qytetarë, me interesin publik, me normat kushtetuese dhe me vetë funksionimin qeverisës të vendit. Praktikat e vendeve të tjera janë dëshmi se nuk mund të ndodhë që parti, të cilat nuk janë demokratike nga brenda, të jenë demokratike nga jashtë, në qeverisjen dhe sjelljen kushtetuese të vendit. Ne kemi palë politike që me parim kushtetues të ndarjes e balancës së pushteteve nënkuptojnë kontroll të pushteteve apo imponim politik të tyre, kemi parti që e shohin administratën qendrore apo lokale si bazë e mirë mbështetjeje për mitingjet e fushatat e tyre elektorale, kemi parti që pranojnë e zbatojnë konceptin antikushtetues të ndarjes së pushtetit qendror e lokal mbi bazë përqindjes, siç kemi parti të gatshme të përdorin të gjitha burimet shtetërore e publike (pushtet qendror e vendor) në funksion të fushatave elektorale. Të gjitha këto sjellje janë në kundërshtim me normat kushtetuese. A mund të ketë zgjidhje të shpejtë? Përgjigjja mbetet pesimiste përderisa vetë partitë kanë pushtet edhe mbi ndryshimet e mundshme kushtetuese. A ka rrugëzgjidhje? Natyrisht, zgjidhja e vetme mbetet modeli perëndimor, forcim i institucioneve kushtetuese, kufizim i pushtetit të partive politike, zgjerim i modelit të demokracisë direkte në zgjedhjen e zyrtarëve të lartë nga drejtori i shkollës deri tek kryetari i shtetit, ndofta edhe korrigjim afatgjatë të Kushtetutës dhe sistemit politik, gjithnjë përmes votës popullore për një model eficient, të balancuar, të qëndrueshëm dhe vërtet demokratik.
*Pikëpamjet e shprehura janë personale, dhe nuk përfaqësojnë zyrtarisht institucionin ku autori punon.