SHKUP- Dy partitë më të mëdha politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë nisur një fushatë të ashpër akuzash duke përdorur çështjen shqiptare në Maqedoni.
Lidhja Social Demokrat akuzon kreun e VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski për tradhti kombëtare dhe lëshime ndaj kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni si dhe tradhtar të interesave kombëtare maqedonase.
Sipas agjencisë së lajmeve INA arsyet për këto akuza janë tri kërkesat e miratuara ditë më parë nga ana e Parlamentit që kanë të bëjnë me mbylljen e rasteve gjyqësore të kthyera nga Tribunali i Hagës, që ngarkonin dhe akuzonin ish-UÇK-në për krime lufte në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, ndryshimet dhe zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare shqiptare. Opozita shprehet e pakënaqur për ndryshimet për gjuhën dhe simbolet kombëtare.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM se kishte përgatitur plan për të pranuar kërkesa maksimale të partive shqiptare, në rast se kjo parti do të fitonte në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit.
Sipas materialeve propaganduese të publikuara në disa media, VMRO-DPMNE akuzon se LSDM do të pranonte përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Maqedonisë, përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në tërë territorin e vendit, dhënien e postit të kryetarit të Parlamentit për partitë shqiptare, dhënien e kryeministrit për partitë shqiptare, drejtoritë policore për partitë shqiptare si dhe koncesione të tjera.
Partitë shqiptare kanë dënuar këtë fushatë duke e quajtur të panevojshme dhe irrituese për shqiptarët në Maqedoni. Partitë shqiptare kërkuan që të ndërpriten këto lloj akuzash që kanë të bëjnë me çështjet shqiptare.
(e.m/BalkanWeb)