Partitë politike shqiptare në Maqedoni edhe këtë vit janë të përçara dhe të ndara, duke vepruar pa koalicione në pozitë dhe opozitë.
Deri tani kanë dështuar të gjitha koalicionimet dhe zërat për arritjen e tyre, në prag të zgjedhjeve lokale të marsit të këtij viti.
Partitë e bllokut opozitar kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit apo unifikimit të tyre për zgjedhjet e marsit, ndërsa këto sinjale janë dhënë edhe në mesazhet e fundvitit të krerëve të këtyre partive. PDSH ka akuzuar RDK për vendimin e saj për bojkotimin e Parlamentit, duke theksuar se kjo parti ka vepruar për interesat e opozitës maqedonase. PDSH ka thënë se kjo parti po vepron në përputhje me skenaret e LSDM-së.
RDK nga ana tjetër ka theksuar se është PDSH-ja e cila po qëndron në Parlament, bashkë me dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI, duke i qëndruar siç thuhet besnik ish-partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski. Në RDK theksojnë për INA se dyshojnë për një marrëveshje midis Thaçit dhe Gruevskit, që kjo e fundit të qëndrojë si opozitë e vetmuar në Parlament, transmeton Ina.
Deri tani nuk dihet edhe pozicionimi i partive tjera opozitare shqiptare, pas dështimeve të nismave për një unifikim më të gjerë të opozitës apo formimin e një blloku të tretë politik.
Në radhët e BDI, partisë shqiptare në pushtet theksojnë se janë të hapur për bashkëpunim me partitë e tjera politike dhe spektrin e gjerë joqeveritar, por sipas tyre vendimi rreth kësaj do të bëhet i ditur gjatë javëve të ardhshme. “Ne edhe kemi sinjale për bashkëpunime të tilla, ndërsa deri tani kemi marrëveshje me shumë personalitete politike, personalitete publike dhe të respektuara që kanë shprehur gatishmërinë për të na mbështetur në zgjedhjet lokale. Ata janë njerëz të partive politike që nuk pajtohen me politikat e brendshme, janë njerëz të spektrit fetar, kulturor dhe arsimor e lëmi tjera që do t`i bashkëngjiten karvanit dhe listave të BDI-së”, theksoi një zyrtar i lartë i BDI-së. Javët e ardhshme janë vendimtare rreth definimit të partive politike shqiptare për zgjedhjet lokale të marsit./Indeksonline/