Partizani zbriti nga froni Barletin Volley në volejbollin e femrave duke fituar dhe ndeshjen e 3-të të Play off dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-0 u rikthye te titulli kampion pas plot 64 vjetësh.


3-1 ishte rezultati i finales së 3-të të luajtur në Asllan Rusi ku ekipi i Roland Tarjas tregoi dhe njëherë se ishte skuadra më e mirë në parket. Pas fitoreve 3-1 dy takimet paraardhëse dhe ndeshja e 3-të e Play off nisi me setin e parë të fituar nga kampionet në fuqi, që triumfuan 25-23.


Me të njëjtin rezultat skuadra e Partizanit u përgjigj në setin e dytë, ndërkohë që në setin e 3-të e pati më të thjeshtë duke fituar 25-19. Seti i fundit nuk pati histori me vajzat e kuqe që triumfuan 25-11 duke rrëmbyer dhe titullin kampion.


Një sukses i merituar për ekipin e Tarjas, që në fazën e dytë të sezonit nuk humbi asnjë ndeshje ndërsa 1 muaj më parë kishte fituar dhe Kupën e Shqipërisë.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)