Skënderbeu duket se tani e tutje do t'i duhet të bëjë llogaritë vetëm me Partizanin. Tre gola për tri pikë dhe ruajtje e vendit të dytë. Dopietë e Renato Hyshmerit dhe "vulë" përfundimtare në kohën shtesë e Demirit; Partizani "përmbys" Besën dhe ruan distancën prej katër pikësh me kreun. Të kuqtë e Hasan Likës janë gjendur në vështirësi, teksa Fatjon Sefa do t'i kalonte verdhezinjtë në avantazh. Në një stadium të boshatisur, për shkak se Disiplina i kishte pezulluar një javë tifozët e kuq, "demat" kanë konsumuar një pjesë të parë të paqartë në planin organizativ e konkludues të lojës. Por Hyshmeri në fund të pjesës së parë do të barazonte në 1-1. Fraksioni i dytë do të shkonte sipas "muzikës" së Partizanit. Jo vetëm se shënon golin e dytë dhe të fitores me të njëjtin autor, Renato Hyshmeri nga pika e bardhë e penalltisë, por i luan 30 minutat e fundit në superioritet numerik. Në momentin e shkaktimit të penalltisë në minutën e 60-të, portieri Bejte ka kryer një ndërhyrje të gabuar dhe kryesori Jubica nuk toleron. Në fund Demiri vulos gjithçka në shifrat 3-1.
VLLAZNIA
Vllaznia mund dhe i "lë targën" skuadrës lushnjare, duke u ngjitur në mesin e artë të klasifikimit. Skuadra e Banos pëson humbjen e dytë radhazi dhe kësisoji mbetet në pozita fundore. Vendos Tomislav Bushiç me dopietën e tij, duke qenë "kryefjalë" e ndeshjes së luajtur në kryeqendrën e veriut. Bushiç ngjitet në kuotën e 9 golave në kampionat, duke kryesuar listën e golashënuesve më të mirë të Superiores bashkë me vlonjatin e Teutës, Daniel Xhafaj. Kroati i Vllaznisë u ka dhënë tri pikë tepër të çmuara kuqebluve të Agim Canajt, duke rikthyer qetësinë në kampin shkodran dhe futur në krizë lushnjarët. Dopieta e sulmuesit të spikatur të Vllaznisë ka përcaktuar fatin e 90-minutave të luajtura në "Loro Boriçi", ku vendësit kanë qenë tërë kohës më kërkues dhe e kanë kontrolluar lojën. Fillimisht ka shënuar me penallti Bushiç, në minutën e 49-të, pastaj i njëjti lojtar ka dyfishuar shifrat dhe ka vulosur suksesin e të tijve në minutën e 78-të.
FLAMURTARI
Kastrioti nuk i largohet dot fundit të renditjes. Madje nuk shfrytëzon dot as faktorin "fushë", ku skuadrat tona nuk falin kollaj. Barazimi i bardhë pa gola ka kënaqur më shumë kuqezinjtë e Gjokës, që kanë bërë qëndresë heroike përballë sulmeve të panumërta të krutanëve. Këta të fundit i kanë luajtur të gjitha kartat për të dalë me 3 pikë nga kjo ndeshje, por u ka munguar finalizimi i saktë. Flamurtari kishte rastin të dëshmonte se fitoret e javëve të fundit radhazi nuk ishin të rastësishme dhe e ka bërë këtë duke mos pësuar në transfertën e radhës dhe mbetur në pozita komode në klasifikim. Duke ngjitur me sukses (barazimi mund të konsiderohet i tillë) "maloren e Krujës", duke dalë të pamposhtur edhe në "kala", kuqezinjtë e Vlorës shtojnë seriozisht kredencialet e pretendentit. Pesë pikë larg vendit të dytë dhe vetëm dy pikë larg vendit të tretë, e bëjnë skuadrën vlonjatë që të pretendojë për një vend në Ligën e Europës. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)