Nga Altin Latifi
 

TIRANE- Trajneri i Partizanit Shpëtim Duro ka përzënë nga skuadra tre lojtarët brazilianë të ardhur në muajin gusht, Bruno, Kastelani e Roma. Vendimi është marrë nga vetë tekniku, që ia ka komunikuar këtë presidentit të klubit Albert Xhani. "Nëse do mbaji, por unë nuk i fus më në fushë", i ka thënë ai Xhanit. Vetëm një javë pasi u vendos në krye të pankinës së kuqe, Duro ka parë se tre futbollistët nga vendi i sambas, nuk ishin ata që ishin trumbetuar në momentin e mbërritjes së tyre. Në fakt, rendimenti i tre brazilianëve ka qenë shpesh objekt diskutimi në javët e fundit. Ata ishin ndër lojtarët e vetëm që ishin paguar rregullisht në klub, por që në fushën e lojës nuk kanë bërë në asnjë takim diferencën. Arsyet që çuan në këtë divorc sipas teknikut Shpëtim Duro, lidhen kryesisht me nivelin dhe faktin se këta lojtarë nuk arrijnë të bëjnë diferencën. "Unë komunikova edhe me presidentin Xhani dhe i thashë për vendimin që kam marrë", deklaroi Duro. "Unë i kam parë edhe në ndeshjet e mëparshme, pasi e ndiqja Partizanin rregullisht dhe ata nuk arrijnë të bëjnë diferencën. Kështu që ishte e kotë t'i mbaja akoma", deklaroi trajneri i Partizanit për "Gazetën".
Vendimi
Vendimi për largimin e tre futbollistëve brazilianë, duket se është marrë që të dielën nga ana e teknikut të kuq. Ai është konsultuar më pas edhe me presidentin e klubit, i cili për një moment ka mbetur i habitur, ndërsa më pas ka miratuar vendimin. Sipas Duros, këta lojtarë nuk janë aq cilësorë sa pritej. Dje, tre lojtarët Bruno, Roma e Kastelani, kanë folur me menaxherët e tyre dhe duket se kanë rënë dakord që të mos jenë më pjesë e të kuqve të kryeqytetit. "Ata janë larguar tashmë, ishte një vendim që duhet ta merrja", sqaron tekniku Duro. "Unë nuk jam budalla që të mos i mbaja nëse do të ishin futbollistë cilësorë, por nuk janë. E kam parë që nuk arrijnë të bëjnë diferencën. Por, përveç kësaj, janë edhe të papërgjegjshëm si lojtarë, pasi janë fare të padisiplinuar", u shpreh më tej ai.
Lojtarët
Tre lojtarët brazilianë ishin nga më të paguarit te Partizani, madje ata i kanë marrë rregullisht paratë edhe për muajin tetor. Por, forma e tyre në këto javë 9 javë të kampionatit nuk ka qenë thuajse asnjëherë ajo që pritej, përveçse kanë pësuar një seri dëmtimesh. Nga tre lojtarët deri tani ka ardhur vetëm një gol, ai i shënuar nga Bruno në derbin me Tiranën. Në krahun tjetër, ai që mendohej si lojtari më i mirë, sulmuesi Roma, asnjëherë nuk dhuroi ndonjë paraqitje mbresëlënëse. Ndërsa Kastelani ishte i vetmi që krijonte paksa siguri mbrapa. Por, sipas teknikut Duro, ishin thjeshtë lojtarë të zakonshëm dhe asgjë më shumë.


(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)