18/04/2012  Eduard Halimi e vlerëson çështjen e pronave si histori suksesi


Nuk është e qartë si do të zgjidhet problemi i tokave të grabitura


Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, ka prezantuar dje draftstrategjinë për reformën në fushën e drejtësisë. Megjithëse është një nga çështjet më problematike, që shpesh është bërë pengesë dhe për zhvillimin ekonomik të vendit apo thithjen e investimeve, ministri Halili u përpoq ta pasqyronte si një histori suksesi këtë proces, që në tërësinë e tij shfaqet ende një nyjë gordiane. Halili tha se është formuar një fond fizik prej 71 hektarë pyje dhe 17 mijë hektarë tokë bujqësore si fond për kompensimin fizik të pronarëve. "Deri më 2005-n nuk është dhënë asnjë lekë për kompensimin financiar. Kompensimi financiar ka filluar më 2005-n. Atyre që pak ditë më parë po qanin për pronaret u them se është fakt që për tetë vjet qeverisje të socialistëve u dha zero lek për kompensim pronarëve, ndërsa nga viti 2005 dhe aktualisht Agjencia e Kthimit të Pronave administron për kompensim fondin financiar dhe fizik, ku fondi për kompensim financiar nga 2005 deri më 2011 është rreth 37 milionë dollarë. Qeveria ka kaluar në fondin fizik sasi të mjaftueshme deri më sot, me një vlerë rreth 71 hektarë pyje, 17 mijë hektarë tokë bujqësore dhe mbi 100 objekte”, - tha Halimi, megjithëse nuk sqaroi se sa pronarë kanë përfituar prej këtij fondi. “Jam optimist se masat që do të marrim në këtë strategji do të na çojnë drejt konsolidimit të së drejtës së pronës në Shqipëri”, - u shpreh ai. Sipas Halimit, nga viti 1993 e deri më sot janë trajtuar rreth 62 mijë kërkesa për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës. “Deri më sot janë dhënë vendime mbi 90% të këtyre rasteve. Deri më sot rreth 90459 hektarë tokë u është kthyer subjekteve të shpronësuar. Sot Agjencia e Kthimit të Pronave administron 6556 kërkesa fillestare për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave”, - tha Halimi. Për ministrin nevoja e përgatitjes së një dokumenti strategjik ka ardhur si nevojë për zgjidhjen problematike të pronës, forcimin e shtetit të së drejtës, por dhe si një rekomandim i Bashkimit Evropian. Por strategjia nuk përcakton se çfarë mund të bëhet me pronat e grabitura. Për ministrin nevoja për përgatitjen e dokumentit strategjik ka ardhur si nevojë për zgjidhje e problematikës së pronës, forcimit të mëtejshëm të shtetit të së drejtës, por edh si një rekomandim i Bashkimit Europian. Ministri hodhi poshtë deklaratat e PS-së për dështimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sikurse deklaroi Halimi, sot regjistrimi fillestar ka përfunduar në 2555 zona kadastrale, ose 84% të totalit të tyre, që përfshin 3 088 700 pasuri të paluajtshme.


U legalizuan 300


mijë ndërtime





Sa i takon procesit të legalizimeve, ministri Halimi tha se legalizimi i ndërtimeve informale si dhe parandalimi i tyre në të ardhmen është një sektor tjetër sfidues. "Para ’90-s shumica e popullsisë jetonte në zonat rurale. Etja e shqiptarëve për shtëpi për një strehë për të futur kokën, për atë të drejtë themelore që për 50 vjet komunizmi dhe Partia e Punës, sot Partia Socialiste, ia kishte refuzuar brutalisht, solli migracionin e brendshëm dhe lejoi zhvendosjen e një numri të madh njerëzish nga zonat rurale në qendrat urabne. Për pasojë, u krijuan vendbanime të mëdha informate, rreth 300 mijë ndërtime pa leje, ku pjesë e konsiderueshme e tokës ishte shtetërore. Kjo situatë diktoi miratimin e legjislacionit sektorial për legalizimin dhe planifikimin urban të zonave urbane, përpjeke që filluan më 2004-n dhe kulmuan më 2006-n”, - ka thënë ministri i Drejtësisë.


Ndërkohë janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor rreth 100 mijë pasuri informale. KRT-ja ka regjistruar 127 zona, ose 120 mijë pasuri.


Qeveria ka kaluar ne fondin e kompensimit të ishë-pronarëve fizikë deri më sot rreth 71 hektarë pyje, 17 mijë hektarë tokë bujqësore dhe mbi 100 objekte për këtë qëllim.


Pronarët


Sipas shoqatës së ish-pronarëve, për kompensimin në vlerë monetare të ish-pronarëve do të duheshin diçka më shumë se 30 miliardë dollarë. Shifrat zyrtare tregojnë se deri më tani janë dhënë diçka më shumë se 30 milionë dollarë për këtë qëllim, shumë kjo krejt e pamjaftueshme, duke pasur parasysh numrin e madh të ish-pronarëve në pritje.


Legalizimet


Një problematikë jo e vogël është hasur dhe me legalizimet, të cilave ende nuk po u duket fundi. Ankesat nga ana e qytetarë janë të shumta, e megjithëse kanë kryer të gjitha procedurat, ende nuk kanë arritur që pjesa dërrmuese e tyre të marrin tapitë. Procesi ka filluar që në vitin 2006 dhe ende nuk kanë marrë tapitë 50% e familjeve.


Akuzat e PS-së


Ministri Halimi hodhi poshtë deklaratat e PS-së për dështimin e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sikurse deklaroi Halimi, sot regjistrimi fillestar ka përfunduar në 2555 zona kadastrale, ose 84% të totalit të tyre, që përfshin 3 088 700 pasuri të paluajtshme. Procesi i regjistrimit fillestar vijon në kuadër të disa projekteve.