Në maj të 2006-s, Kryeministri Sali Berisha i kishte premtuar homologut Agim Çeku se Porti i Shëngjinit do t‘i shërbente nevojave dhe interesave ekonomike të Kosovës. Duket se ky premtim po mbahet dhe tre vjet më pas, plani ndodhet drejt finalizimit. Vullneti i palës shqiptare për të pasur një bashkëpunim më të ngushtë me Kosovën paraqitet me fakte, duke nisur nga ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë, aeroporti i Kukësit, koncesionari për celularin e katërt, dhe së fundmi Porti i Shëngjinit. Mendohet se ky port do t‘i jepet me koncesion Kosovës, duke shënuar dhe të parën herë kur Shqipëria jep një port me koncesion. Gjithashtu mësohet se janë ngritur Komitetet Ndërministrore në Tiranë dhe në Prishtinë, që do të studiojnë dhe nxjerrin të dhënat e fizibilitetit të projektit. Koncesionari duhet të jetë privat, por që i shërben interesave të palës kosovare. Ende nuk është qartësuar forma e detyrimit ndaj palës sonë dhe çfarë asetesh do t‘i ofrohen palës kosovare, pasi në port janë të ndërtuara disa magazina doganore dhe depozita nafte dhe gazi.



Ndërkaq, Kryeministri Berisha ka siguruar disa herë palën kosovare se Porti i Shëngjinit do të jetë në dispozicion të Kosovës. Kosova ka lidhje me detin nëpërmjet vendeve fqinje, Selanikut dhe Malit të Zi, si dhe nëpërmjet Shqipërisë. Në këtë drejtim, Porti i Shëngjinit është shumë i përshtatshëm, i cili do të jetë i lirë për Kosovën. Kalata e tij operative është vetëm 160 metra, me një thellësi që varion nga 5-7.5 metra, ku mund të ankorohen vetëm anije 5 mijë tonësh. Sasia maksimale e mallrave, që përpunohen në Portin e Shëngjinit, arrin deri në 350 mijë tonë, ndonëse kapaciteti është për 500 mijë tonë.