Gonzalo Higuain duket se po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë dhe këtë e shfaqi edhe në sfidën e javës së kaluar ndaj Napolit. Në San Paolo, sulmuesi argjentinas shënoi golin e vetëm të takimit dhe tregoi një nivel mjaft të kënaqshëm loje, duke qenë një kërcënim konstant për ekipin e Sarrit.


Higuain bën thirrje që të mos ulet ritmi, pasi të shtunën në mbrëmje vjen derbi i Italisë, përballë një Interi që kryeson renditjen e Serisë A dhe po kalon një moment të shkëlqyer.


Të shtunën presim Interin, por do të jetë e vështirë, pasi zikaltrit janë vërtetë në një formë mjaft të mirë. Edhe ne jemi përmirësuar ndjeshëm dhe këtë e treguam duke mos pësuar gol ndaj Napolit, gjë që pak skuadra e arrijnë. Gjithsesi, duam 3 pikët edhe në këtë sfidë, për të tentuar kreun e renditjes, tha Higuain.


Vetëm disa orë pas përfundimit të sfidës me Interin, vjen shorti i Championsit, të hënën në mesditë, në Nion të Zvicrës. Duket se argjentinasi i Juventusit nuk ka preference, teksa garanton se skuadra do të përfaqësohet denjësisht në këtë kompeticion.


Nuk ka rëndësi me kë do të ndeshemi, pasi herët a vonë do të përballemi me të gjitha. Ne jemi të bindur në forcat tona dhe me besim se do tia dalim të përfaqësohemi denjësisht në këtë kompeticion, u shpreh Gonzalo Higuain.


7 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)