Një ironi therëse ka përdorur ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi për të shënjestruar ministren e re të Arsimit, Besa Shahini.


Duke sjellë në vëmendje epitetet që kanë dalë në media dhe rrjetet sociale për Vangjush Dakon, Mimi Kodhelin apo edhe vetë kryeministrin Edi Rama, si Skënderbeu i Spiropalit, për shkak të një fjalimi të ministres në fjalë, Boçi shkruan se ministrja e Arsimit është Doruntina e qeverisë.


Sipas tij, pas Skënderbeut, Mrikës dhe Gjigandit në qeveri erdhi edhe Doruntina, e cila ka çuar drejtë vdekjes mekanizmat ekzistuese në ministrinë e Arsimit.


KUSH E SOLLI BESËN (DORUNTINËN)?


Pas Skënderbeut, Supermenit, Mrikës, Gjigandit etj, na doli që në kabinetin e Rilindjes, na militoka dhe Doruntina e legjendës së besës.


Shahini sapo e ka marrë lavdën e programuar me kujdes, ka nxituar që lajmin ta zbulojë vetë e para.


Për këtë ka përdorur një mjet të ndaluar për mësuesit, ose thënë legjendarisht, ka përdorur një element tashmë të përtej varrit për ta.


I ka çuar me zor mësuesve, lajmin e vetënominimit të saj si Doruntinë, nëpërmjet sms-ve.


I është përkëdhelur kaq shumë sedra, sa nuk është përmbajtur në gjestin narcist.


Pas kësaj Kadaresë së shkretë, do i duhet ta rishkruajë dhe njëherë veprën e tij, sepse legjenda na është pasuruar e aktualizuar kështu me histori, papritur e pa kujtuar.


Po nuk duket vetëm kaq.


Lajmi i shpërndarë dhe i stisur është një miksim i propagandës bajate me terma emfatikë dhe delirit të madhështisë, si filli që bashkon qeverisjen e Ramës.


Shenjë e një dekadence të pashmangshme.


Qëllimi megjithatë është i qartë.


Të prodhojë përshtypje e të marrë vëmendje, pa prodhuar punë.


Dhe tani që dikush na gjeti Doruntinën, me siguri tek Rilindja po kërkojnë Kostandinin, nëpërmjet Stresit (Gramozit).


Pra kush e bëri peshqesh Besën?


Emërimi i Shahinit në krye të arsimit ngjalli jo pak polemika, në ambientin pedegagogjik e akademik shqiptar.


Ministrja që zëvendësoi Nikollën e dështuar, nuk ishte një emër i ri për publikun.


Pozicioni i zv/ministres, ndonëse pa peshën e titullarit kryesor e ka ngarkuar atë me damkën e falimentimit të reformës në arsim.


Ndërkohë distanca e madhe që vetë Ministrja e re ka pasur me ambientin arsimor parauniversitar dhe universitar shqiptar dhe mungesa e përvojës në këtë fushë, kanë rritur me shpejtësi skepticizmat tashmë të vërtetuar.


Ardhja e saj në krye të Ministrisë së famshme, ka fjetur sot dhe ato pak mekanizma vepruesë brenda saj dhe gjithçka në atë ministri duket tashmë e vdekur.


Pakti me Universitetin, aktore e të cilit kërkoi të shfaqej Ministrja, u vërtetua si një akt turpi dhe lufte që përpiqet të përcjellë në funeral atë çka ka mbetur nga Universitetet e dikurshme publike. Prandaj Stresi mos të mundohet kaq shumë.


Doruntinën e Shahinit nuk ka Kostandin ta sjellë! Atë e solli në krye të Arsimit pabesia e Ramës ndaj studentëve, pedagogëve, mësuesve e arsimit e shkencës në përgjithësi. Por dhe pak pabesia ndaj Linditës që së paku ishte partiake e devotshme. Dhe përkundrejt Doruntinës së besës, Besa e Arsimit me veprimet e mosveprimet e veta dhe bindjen e verbër ndaj Ramës së paBesë, po e shtyn drejt varrit groposës arsimin në vend.