Talenti
Shkëlqen në radhët e ekipit U-17 të akademisë së klubit të njohur grek

Pak vite më parë ishte Panathinajkosi, skuadra që do të zbulonte një talent shqiptar, tashmë i natyralizuar në grek, Sotir Ninin, i cili cilësohet si e ardhmja e futbollit të fqinjëve tanë. Por tashmë një tjetër talent, mes shumë të rinjve, shkëlqen në akademinë e skuadrës greke. Ai quhet Maldin Ymeraj. Prindërit e tij emigruan nga Mallakastra në Greqi, kur Maldini ishte 2 vjeç. Emri i tij nuk është rastësisht i ngjashëm me atë të ikonës së Milanit, Paolo Maldinit. Babai, Bujari, rrëfen: “Isha tifoz me Paolo Maldinin dhe u kisha premtuar miqve që nëse fëmija do të ishte djalë, do t’i vija emrin Maldini”. Maldini, golashënuesi i U-17 të akademisë së Panathinajkosit, është 15 vjeç. Prej tetë vitesh merret me futboll, ku edhe e sheh të ardhmen: “Sepse e ndiej futbollin si vetveten. E ndiej se jam shumë mirë në futboll dhe nuk ndiej ndonjë talent tjetër te vetja. është ëndrra ime. Që 7 vjeç më pëlqente që të gjuaja, të dribloja me top”. Tashmë është në fillimet e rrugës së gjatë të realizimit të kësaj ëndrre dhe prandaj stërvitet dy-tri orë në ditë. Ai luan në ekipin U-17 dhe me atë të moshës së tij U-15 vjeç dhe merr gjithnjë vlerësime maksimale. Nuk është gjeni në mësime, por topin di ta përdorë shumë mirë. Idhulli i tij është Kaka. “I afrohem stilit të lojës së tij, pohon Maldini. Disa më thonë që nga stili i lojës i ngjaj Kërkiç të Barçës”. Ashtu si Nini, ka si qëllim të luajë në skuadrën e parë të Panathinajkosit dhe në të ardhmen, pse jo në një skuadër të madhe europiane. Ka qenë i përfshirë në listën e trajnerit Ardian Mema të përfaqësues U-15 te grumbullimi stërvitor që u bë me talentet shqiptare, që jetojnë në Greqi që u bë për U-17 dhe U-15, por nuk ka mundur të paraqitet. ëndrra e tij e madhe është Kombëtarja kuqezi: “Dëshiroj të luaj me Kombëtaren tonë. Kam luajtur ndaj Shqipërisë, por kam qenë kundërshtar, si lojtar i PAO-s dhe atëherë ky fakt më mërziti shumë”, përfundon Maldini.








#