Gjykata e Tiranës është gati për të nisur procesin ndaj dy britanikëve të akuzuar për pedofili dhe që u ekstraduan mbrëmjen e së premtes. Burime zyrtare nga kjo gjykatë thanë dje për "Shqip" se në fillim të javës së ardhshme pritet që të caktohet data për seancën e parë të procesit ndaj Dino Christodoulou dhe Robin Arnold. Të dy shtetasit britanikë janë akuzuar për veprën penale të "Marrëdhënieve homoseksuale me të mitur", e parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal. Çështja e tyre tashmë është ndarë nga ty të akuzuarit e tjerë për skandalin pedofilik të qendrës "Fëmijët e tij".



Kërkesa për gjykimin e Dino Christodoulou dhe Robin Arnold ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës në shtator të vitit të kaluar. Në të ishin përfshirë edhe dy të pandehurit e tjerë, David Brown dhe Janaq Papleka. Shorti elektronik caktoi gjyqtarin Sokol Tona për gjykimin e çështjes. Por që në fillim të gjykimit, Janaq Papleka, i cili kishte qenë kuzhinier në qendrën "Fëmijët e tij", e pranoi akuzën "Moskallëzim krimi" dhe kërkoi gjykimin e shkurtuar. Në këto kushte, gjyqtari Tona vendosi që ta ndante çështjen nga të pandehurit e tjerë dhe të vazhdonte gjykimin e Paplekës. Gjykimi për tre britanikët u hodh sërish në short dhe kësaj radhe për shqyrtimin e çështjes u caktua gjyqtari Gerd Hoxha. Por dosja pësoi një tjetër ndarje. Prokuroria kërkoi që të vazhdohej me gjykimin e David Brown, i cili ndodhet i arrestuar dhe zvarritja e procesit në pritje të ekstradimit të të dy të pandehurve mund të shkaktonte përfundimin e afateve të paraburgimit. Në këtë mënyrë, gjyqtari Hoxha vendosi që të vazhdonte gjykimin e Brown, ndërsa për Christodoulou dhe Arnold çështja ju nënshtrua sërish shortit. Tashmë është përcaktuar se dy të pandehurit e fundit që do të ulen në bankën e të akuzuarve për skandalin e qendrës "Fëmijët e tij" do të gjykohen nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari Fehmi Petku. Ai pritet që të caktojë në fillim të javës së ardhshme datën për seancën e parë të këtij procesi.



Skandali pedofilik i qendrës "Fëmijët e tij" është konstatuar në muajin maj të vitit 2006. David Brown, drejtuesi i fondacionit, u vu në pranga nga policia më 18 maj. Pak ditë më vonë policia arrestoi edhe kuzhinierin e qendrës, i cili u akuzua nga prokuroria për "moskallëzim krimi", pasi u konstatuar se ai kishte dijeni për abuzimet në fondacion. Në të njëjtën kohë, u shpallën në kërkim Dino Christodoulou dhe Robin Arnold. Gjatë procesit të deritanishëm, Broën i ka mohuar akuzat e ngritura, duke thënë se ata që kishin abuzuar me fëmijët ishin dy britanikët e tjerë, të cilët për këtë shkak ai i kishte përzënë nga qendra. Por tre dëshmitarët e fundit që u paraqitën në proces, dy djem dhe një vajzë, kanë dëshmuar kundër Brown, duke thënë se me ta ishte abuzuar si nga Dino Christodoulou e Robin Arnold, por edhe nga drejtuesi i qendrës "Fëmijët e tij".











Interpoli







Ekstradimi u krye pas vendimit



të dhënë nga gjykata angleze





Dino Christodoulou dhe Robin Arnold u rikthyen në tokën shqiptare në mbrëmjen e së premtes, por kësaj radhe jo si bamirës apo si turistë, por si të pandehur për një krim të rëndë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka konfirmuar dje se "më datën 16.05.2008, në orën 23:45, nga Zyra Qendrore e Interpol Tiranës u krye ekstradimi nga Londra i shtetasve britanikë Dino Christodoulou, 45 vjeç, dhe Robin James Arnold, 56 vjeç".



Procedurat për ekstradimin e tyre kishin nisur kohë më parë, kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 153, datë 13.02.2007, kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë "Arrest në burg" në mungesë. Zyra e Interpol Tiranës u vu menjëherë në lëvizje dhe duke bashkëpunuar edhe me kolegët britanikë arriti të lokalizonte vendndodhjen e dy të pandehurve. Më pas policia angleze i vuri në pranga Dino Christodoulou-n dhe Robin Arnold, duke i dërguar ata në qeli, në pritje të vendimit të gjykatës për ekstradimin e tyre. Megjithëse njerëzit e tyre zhvilluan një fushatë të vërtetë propagandistike për të vërtetuar se të dy të akuzuarit ishin persona me personalitet dhe të pafajshëm, kjo duket se nuk ndikoi shumë te gjykata londineze. Pak kohë më parë ajo mori vendimin për ekstradimin e Dino Christodoulou dhe Robin Arnold në Shqipëri, për t‘ju nënshtruar gjykimit në vendin ku është ngritur akuza ndaj tyre. Të dy të ekstraduarit u janë dorëzuar punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.