Menjëherë pas arritjes së marrëveshjeve me Kosovën, është paralajmëruar shpërblimi për Serbinë. Fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE, e ka paralajmëruar komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn në Samitin e Vjenës, raporton KTV.

"Atmosfera është e tillë që duhet së shpejti t'i fillojmë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim me Serbinë", ka deklaruar Hahn Në anën tjetër, analisti Emrush Ujkani, shprehet se edhe Kosova do të përfitojë në përshpejtimin e proceseve, në veçanti atë për liberalizimin e vizave.

Derisa profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, shprehet se Serbia, dukshëm ka përfituar më shumë nga dialogu. Derisa duke komentuar një postim të Ministrit të Jashtëm, Thaçi, lidhur me hapa të përshpejtuar integrim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Hoti shprehet Kosova do të përfitojë në liberalizimin e vizave, por se është neglizhuar anëtarësimin në disa prej këtyre organizatave, transmeton Koha.net.

Shteti i Serbisë, në janar të vitit 2014 e kishte filluar zyrtarisht procesin e anëtarësimit, por që negociatat nuk kanë filluar ende, pasi shtete si Gjermania, e kërkonin përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe respektimin e marrëveshjes së prillit. Burime diplomatike nga Brukseli kanë thënë për EUobserver se BE-ja do ta presë publikimin e raportit të progresit në tetor, para se të ndërmarrë hapa lidhur me bisedimet.