TIRANE - Pas 12 orë diskutimesh, deputetët e mazhorancës kanë miratuar të vetëm në parim (me 77 vota pro) buxhetin e vitit të ardhshëm dhe paketën fiskale që e shoqëron. Në mungesë të opozitës, kritikat për draftin i bënë disa nga deputetët socialistë. Duke folur në emër të grupit parlamentar të PS, kryetari i komisionit të Ekonomisë Erjon Brace ka kundërshtuar heqjen e taksës doganore për importin e miellit dhe heqjen akcizës për pijet energjike, ndërsa i kërkoi qeverisë hetim në tregun e karburantëve dhe prishjen e 4 kontratave koncensionare që rëndojnë mbi biznesin. Pak përpara hedhjes në votim të draftit ka folur edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili ka evidentuar 5 pika të forta të buxhetit. Buxheti 2015 parashikon një kapërcim të të ardhurave në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto në 27.5%, nga 26% që është pritshmëria për vitin 2014. Shpenzimet buxhetore do të rriten lehtë, nga 31.2% e PBB-së në 2014-n në 31.5% vitin e ardhshëm. Rritja e lartë e të ardhurave do u mundësojë financave të ulin deficitin buxhetor në 4% të PBB-së, nga 5.2% që pritet të mbyllet viti aktual. Ndrekohe qe edhe borxhi publik pritet te zbrese ne 70.6%, duke pësuar një rënie të lehtë. Vitin e ardhshëm ekonomia pritet të rritet me 3%.


Më herët fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky është buxhet për njerëzit që duan të fitojnë nëpërmjet punës, ndërsa shtoi se deri në fund të mandatit parashikohet një rritje ekonomike 4%.  Në seancën e sotme, morën fjalën deputetë nga PS, LSI, ndërsa nga opozita i vetmi  zë opozitar ishte ai i Nard Ndokës.



RAMA: OPOZITA I IKU BALLAFAQIMIT, NË FUND TË MANDATIT SYNOJMË RRITJE EKONOMIKE 4%
Kryeministri Rama fjalën e tij e ndali tek të mirat që do sjellë ky pr/buxhet për shqiptarët, duke shtuar se ky është një buxhet për njerëzit që synon rritje ekonomike pa masa shtrënguese.

“Nuk e kemi harruar se buxheti ka të bëjë me njerëzit dhe është në funksion të njerëzve, sjell një tërësi shpresash për të sotmen dhe ambiciesh për të nesërmen. Ne kemi vizon afatgjatë për vendin dhe aspiratat për fatin e tij, orientimi në tërësi i vendeve të BE për këtë vit ka qënë mbështetja e kohezionit, harmoni mes sektorëve në funksion të çuarjes përpara të rritjes ekonomike, pa masa shtrënguese”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ky buxhet do të jetë për njerëzit që duan të përfitojnë përmes punës. Ai premtoi se në fund të vitit të 4-t të këtij mandati synohet një rritje ekonomike prej 4%.

“Buxheti është në funksion të njerëzve që duan të përfitojnë nëpërmjet punës, jo për njerëz që janë për zgjidhje magjike. Rritja e besimit në stabilitetin ekonomik, sigurimi i kushteve që nxisin prodhimin. Ky buxhet është me disa standarde të mirëcaktuara, me zgjidhje realiste. Synojmë një rritje ekonomike 4% në fund të vitit të 4-t të mandatit”.

Më tej kryeministri preku edhe mungesën e opozitës në Kuvend, pasi siç tha ai, duhet të ishin këtu për ballafaqim.

“Mungesa e opozitës është e prekshme, duhet të ishin këtu që të ballafaqonim argumentat, do jepnin një pamje më të plotë, jo panoramë të fragmentuar, megjithatë ajo çka ne na e forconin bindjen se jemi sot në vendin e duhur përsa i përket zgjedhjeve dhe përcaktimin e objektivave është se buxheti është rezultat i konsultimeve dhe përplasjeve të mendimeve me partnerët ndërkombëtarë, FMN dhe BB dhe këshilltarëve tanë”. 

Duke folur për taksat, Rama tha se kritikat e opozitës, se ato janë rritur janë të pavërteta.

“Kritikat e opozitës janë të pavërteta. Ky nuk është buxhet që rrit taksa, por reflektim i një pakete fiskale që zeron 15 taksa dhe rrit vetëm tre. Lidhjet drejtpërdrejt me domosdoshmërinë për të nxitur prodhimin, punësimin për t’ju dhënë dorën atyre që jetojnë në këtë vend me sipërmarrje”

Më tej Rama tha se, “Ulja e taksës doganore është një tjetër komponent që ndikon drejtpërdrejt mbi shëndetin e ekonomisë se vendit, ulja e rentës për kromin e përpunuar është një masë që stimulon përpunimin e mineralit në vend. Jemi vend i pasur në minerale e krom por për vite të tëra jemi sjellë në mënyrë vandale me këtë pasuri, përfitojmë minimumin nga kjo pasuri. Përmes kësaj mase do fitojmë më shumë. Ulje të taksës për gomat e reja, ngjan diçka pa fort lidhje por ka lidhje të shumëfishta, mbron mjedisin dhe rrit sigurinë”. 

Kryeministri Rama tha ndër të tjera e shtimi i numrit të policive, nuk flet për një shtet policor, por për një normalitet krahasuar me vendet e botës dhe rajonint.

“Ka pasur një keqtrajtim për rritjen e numrit të policëve, thonë se është krijuar shtet policor. Në fakt jemi vendi me qesharak i Europës dhe rajonit, kemi numrin më të ulët, nuk krahasohemi as me Kosovën e Malin e Zi, kemi dhe numrin më të madh të policëve me arsim të mesëm, kemi policinë më pa shkollë në rajon. Do kemi rritje të numrit, nuk shkojmë ende në standard, do kemi rritje të numrit të policëve të shkolluar”.

Ai foli më tej për transport falas për 11 mijë mësues dhe 30 mijë nxënës që në zonat më të vështira të vendit. Rama tha se që nga viti tjetër nis kontrolli i plotë bazë dhe falas për shqiptarët nga 45 në 60 vjec.

“Paketa fiskale nuk parashikon rritje taksash, nuk sjell asnjë rëndesë”

Lidhur me paketën e re fiskale, kryeministri Rama theksoi se kjo paketë nuk parashikon rritje taksash dhe nuk sjell asnjë rëndesë fiskale. Sipas Ramës, rritja e akcizës së cigareve nuk duhet të konsiderohet si rritje taksash, por si rritje të fuqisë shtypëse mbi vesin e duhanpirjes.

“Tre fjalë për tre rritjet. Rritjen e akcizës së cigares ne nuk e konsiderojmë rritje taksash, por rritje të fuqisë shtypëse mbi këtë ves që shkatërron shëndetin dhe që sjell vdekje tek njerëzit. Nuk është shpikja jonë. Të gjithë duhanpirësit duhet të gjejnë paqe dhe duhet ta dinë se rritja e akcizës mbi cigaren do të vazhdojë deri sa të jetë e mundur, sepse ne duam tu vijmë në ndihmë të gjitha familjeve që nuk kanë pse i humbin baballarët për shkak të këtij vesi. Jemi të bindur që kush e lë duhanin na falënderon. Kjo rritje shkon në këtë drejtim.
Së dyti, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoil-in. Besoj ju kujtohet kur u rrit 10 lekë vitin e kaluar, këtu u bë një betejë për të paralajmëruar fundin e botës. Çfarë ndodhi? asgjë nga ato nuk ndodhi. Sot kemi një çmim më të ulët se sa ai që ishte me plus taksën. Ndërkohë që të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është një dëshirë e qeverisë për të rënduar ata të cilët përdorin makina, por ky është kontribut i atyre që përdorin makina për të patur një mjedis më të pastër e të mbrojtur dhe për më shumë siguri në rrugë.
Së treti, barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore, me tatimin mbi të ardhurat nga paga. kishim një disbalancim nga paketa e shkuar, ku tatonim të ardhurat 15 % nga kompanitë dhe të ardhurat dytësore 10%. Thjesht bëjmë një barazim të këtyre dy niveleve duke i dhënë secilit hakun që i takon. Eshtë një masë që na bën me prova të barabartë në trajtim me të tjerët.”- deklaroi kryeministri Rama. 

Kryeministri Rama theksoi se mazhoranca synon t’i fund traditës së subvencionimit të mbijetesës në bujqësi, duke krijuar një zinxhir vlerash. 

“Ne jemi për një qasje tjetër ndaj sektorit të bujqësisë gjë që kemi filluar ta materializojmë vitin e parë dhe do të vazhdojmë ta thellojmë më tutje. Duke i ftuar njerëzit në fshat dhe duke u krijuar kushtet që të luftojnë brenda sistemit kapitalist. Në këtë sistem duhet të krijojmë kushtet që në fshat të mos riprodhohet varfëri përmes mbijetesës, por të prodhohet mirëqenie jo vetëm për fshatin por edhe për qytetin. Ne nuk mund të vazhdojmë të subvencionojmë varfërinë, mbijetesën, ne do të mbështesim krijimin zinxhirit të vlerave në bujqësi, duke vendosur parakushtin ku sektori duhet të hyjë në sistem, në shembullin e kompanive që bëjnë sukses sot, dhe kanë arritur shifra rekord në eksport, pa asnjë mbështetje nga shteti”- deklaroi Rama. 


KUVENDI 12 ORË DISKUTIME PËR BUXHETIN
Ora 23:00 Kuvendi po vijon diskutimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2015. Në një seancë të gjatë diskutimesh, ku mungon opozita, prej orës 11.00 mazhoranca ka diskutuar paketën fiskale dhe projektbuxhetin për vitin që vjen. Numri 1 i Drejtësisë, Nasip Naco në fjalën e tij në Kuvend, tha se një pjesë e zërit të buxhetit të ministrisë që ai drejton do të shkojnë për dëmshpërblimin e pronarëve në bazë të vendimeve të gjykatave. “Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë me vlerë rreth 47 milionë euro, ka një rritje me 5.4% krahasuar nga viti 2014. Një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për shlyerjen e detyrimeve për vendimet e gjykatave për shpronësimet e pronarëve”.

Shefi i Financave, nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë së demokratëve. Nderkohë, ai ka evidnetuar 5 pika të forta të buxhetit 2015, që sipas tij sheh në sy sfidat me të cilat përballet vendi. "Janë luftuar raste korrupsioni, vetëm nga ministria e Finanvcave 150 cështje drejtuar Prokurorise për një shumë mbi 100 milion dollarë. Qeveria e shkuar në 8 vite qeverisje dyfishoi borxhin dhe medeomos do na mbetet në kurriz për të shlyer detyimet e marra në menyrë zyrtare dhe jo zyrtare".



Në emër të LSI-së, kreu i grupit Petrit Vasili vlerësoi se projektbuxheti i 2015 është projekt ambicioz për mbledhjen e të ardhurave. Buxheti nuk krijon fantazira jorealiste. Ai është në funksion të reformave. Ky është buxhet ambicioz për mbledhjen e të ardhurave”,-  tha Vasili .


BEQAJ: NË 2015 DO KETË ULJE TË ÇMIMIT TË ILAÇEVE
Ora 21:45- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi të hënën ne Kuvend se gjatë vitit 2015 do te kete ulje te çmimit të barnave, ndërsa theksoi se këtë vit u hoq TVSH prej 20 % për pajisjet mjekësore. Sipas ministrit Beqaj, gjatë këtij viti u bë e mundur gjithashtu zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme si dhe një sërë investimesh për rritjen e cilësisë se shërbimit ndaj qytetarit. “Viti 2015 do të jetë viti i zbatimit të plotë të kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç. Ky është hapi i parë konkret drejt vendosjes së mbulimit universal “, tha Beqaj. Ndërkohë që, sipas tij, do të rritet ndjeshëm cilësia e kujdesit në shërbimin spitalor, përmes investimeve kapitale si 17 milionë euro, nga kredia e Bankës së Këshillit të Europës për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme dhe spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT, 14 milionë euro nga kredia austriake për shëndetësinë elektronike dhe 5 milionë euro nga kredia e Qeverisë italiane për spitalin universitar të traumës.
Ai informoi po ashtu se në vitin 2015, buxheti i shëndetësisë është pasuruar me një program të ri buxhetor, atë të “Urgjencës mjekësore”. Beqaj theksoi se do të forcohen kapacitetet laboratorike për përballimin e kërcënimeve të ndryshme epidemiologjike

HARITO:TEKNOLOGJIA RRIT PRODUKTIVITETIN
21:05- Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, theksoi gjatë diskutimit në parim të projektbuxhetit se teknologjia rrit produktivitetin. Sipas Haritos rritja e ekonomisë do të sigurohet përmes futjes së teknologjive të reja.

“Produktiviteti rritet përmes përdorimit të teknologjive të reja inovatore. Një gjë e tillë ndodhi me valën masive të inovacionit të botë, me futjen e proceseve të dixhitalizuara në 30 vitet e fundit. Kjo mazhorancë ka marrë nisma konkrete për modernizimin e administratës. Për herë të parë u mundësua dorëshkrimi elektronik për biznesin. Ky do të evitojë tufën e letrave të përdorura deri më tani. Ky shërbim ofrohet falas. Buxheti i vitit 2015 mundëson 5 fishimin e shërbimeve online, duke shmangur radhët e gjata. Në këtë mënyrë luftohet edhe korrupsioni”- u shpreh ministrja Harito.

GJERMENI: SISTEM DIXHITAL PËR LEGALIZIMET, STREHIM PËR 15% TË APLIKUESVE 
Ora 20:50-Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni bëri të ditur se minstria që ajo drejton ka një fond prej 2,3 mld lekë. Ajo theksoi se këto para do të investohen në projekte që kanë impakt të drejtëpërdrejtë. “2.3 mld lekë për buxhetin 2015, për planifikimin urban, dhe strehim planifikim menaxhim-administrim dhe zhvillim i turizmit. Vend të rëndësishme në këtë buxhet zënë investimet publike. Do të lancojmë projekte pilot që kanë impakt në jetën e qytetarëve dhe synojnë zhvillimin e qyteteve. Do të hartohen plane të detajuara model për zona me përparësi zhvillimin e turizmit. Do të zhvillojmë konkurse për projektimin urban, për rivierën shqiptare, dhe për rehabilitimin e hapësirës urbane Tiranë-Durrës. Këto projekte synojnë rimëkëmbjen e hapësirave publike.
Në fushën e legalizimeve do të vijojmë projektin e legalizimeve falas. Do të përfundojmë informacionin tekniko-ligjor, dhe përcaktimin e kufirit për 70 zona informale ekzistuese. 469 mln lekë janë parashikuar për ALIUZNI-n. Synojmë krijimin e një sistemi dixhital të dhënash elektronike. “- deklaroi Gjermeni.

KODHELI: 3-FISHOJME FONDET PER OPERACIONET ME NATO-n, TRAJTIM DHE FEMIJEVE AUTIKE TE USHTARAKEVE
Ora 19:40 Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2015 është mbi 12 miliardë lekë; ai nuk është në” përputhje më kërkesat e Ministrisë së Mbrojtjes, por ai do të garantojë operacionalitetin, – tha Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, në Kuvend. Shumat e parashikuara për paga dhe sigurime do t’i nënshtrohen një analize ekspertësh, me qëllim që të reduktohen shpenzime për funksione ineficente apo inproduktive. Do synohet që të ekuivalentohen disa funksione me ministri të tjera, që janë trashëguar në gjendjen që janë sot. Do ketë rritje të ndjeshme shpenzimesh, më shumë se 3-fishi i shpenzimeve të këtij viti, do të jetë për operacionet në kuadër të NATO-s, sidomos në zonat e nxehta. Gjithashtu, do të hapet një qëndër rehabilitimi për fëmijët autikë të ushtarakë me rreth 10 milionë lekë. 

NIKOLLA: BUXHETI I RI FINANCON PROGRAMIN E RI "MESUES PER SHQIPERINE"
Ora 19: 30 Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, me buxhetin e ri, lançoi programin e ri “Mësues për Shqipërinë”, që do të mundësojë dhënien fund të situatës së papranueshme të 26% të fëmijëve që arsimohen nga mësues pa arsim. Ministrja njoftoi se portali i hapur për arsimin ka ngjalur interesin e mësuesve për të punuar edhe në zonat rurale. Gjithashtu, ajo tha se 740 mësues të edukimit fizik do t’i shtohen armatës së mësuesve. Buxheti parashikon shpenzime për furgonat e transportit të nxënësve, të mësuesve, të librave për familjet në nevojë. Një fond prej 2.5 milionë lekësh do të financojë restaurimin e objekteve dhe ambienteve arsimore. Parësor mbetet arsimi i lartë. Janë mbyllur 18 institucione dhe nuk kanë asnjë kthim mbrapsht. Do të mbështetet financiarisht Fakulteti i ri i Gjeologji Minierave dhe kampusi i ri universitare. Po ashtu, 800 pedagogë të rinj do të shtohen.


GJIKNURI: PA VENE DISIPLINEN FINANCIARE NE PAGESEN E ENERGJISE, S'KA SUKSES ASNJE FUSHE
Ora 19: 05 Ministri i Industrisë Damian Gjiknuri e nisi fjalën e tij me problemin themelor, energjinë elektrinë dhe fuqizimin e sistemit. “Edhe unë jam i pakënaqur nga Operatori i Energjisë, - tha ai, - por të mos harrojmë se ka nisur të arkëtojë para në kushtet e vjedhjes së energjisë në masë. Nuk ka rrugë tjetër përveç arkëtimit të parasë dhe dita erdhi; kjo luftë do të vazhdojë. Ne nuk jemi përqëndruar vetëm tek vjedhësit e energjisë, por edhe tek bashkëpunëtorët e tyre brenda OSHEE-së. Edhe reforma që po bëhet për herë të parë, me atë fashën e energjisë që po hiqet. Nuk ka mundësi që 76% e konsumatorëve konsumojnë atë fashë. Konsumi rritet, ndërkohë që numri i konsumatorëve të kësaj fashe rritet, pra këtu ka diçka që nuk shkon. Vjedhjen ne nuk do t’ua faturojmë njerëzve. Nëse ne duam ta fusim këtë sektorë në shina, ta kthejmë në fitimprirurës në 2018-ën, ai duhet të arkëtojë. Ne po përpunojmë edhe strategjinë për të të diversifikuar burimet e energjisë. Gjithashtu, në industri, ne së shpejti do të kemi një linjë të re ferrokromi në Elbasan, sepse synojmë mbylljen e ciklit të prodhimit brenda vendit. Por suksesi në industri ka të parë disiplinën financiare në pagesat e energjisë.”


TAHIRI: ABUZOJNE ME FEMIJET NE EKRANE, POR S'UA DHANE 5.6 MILIONE LEKE TE SAPOLINDURVE
Ora 18:40 Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kritikoi që në hyrje të fjalës së tij në Kuvend, mungesën e opozitës në një ditë ka të rëndësishme në Kuvend dhe i kujtoi nëpërmjet ekranit, kreut të PD-së, se nuk vlen të dalësh në ekran me fëmijë, kur ndaj fëmijëve të sapolindur, kjo ministri ka trashëguar 5.6 miliardë lekë borxhe të papaguara si shpërblim për lindjen e fëmijëve. Nga ana tjetër, ai nxori në pah shifrën prej 14 miliardë lekësh të papaguara për emergjencat kombëtare, si përmbytjet. 

"Në qoftë se ka një ditë kur një opozitë e shëndoshë,  të jetë prezent për të dhënë sugjerimet e saj se si duhet bërë buxheti më i mirë në interes të qytetarëve, kjo është dita! - tha Tahiri. - Edhe unë do të doja shumë që të diskutoja bashkë me opozitën në sallën e parlamentit buxhetin për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi trashëguar borxhe pa fund. E ç‘sens kanë sot deklaratat e opozitës për administratën publike dhe për respektimin e vendimeve gjyqësore, kur këta lanë 4.7 miliardë lekë borxhe!

Sot i dëgjon të flasin edhe në emër të familjeve, në emër të fëmijëve. I sheh madje që në mënyrën më të shëmtuar të mundshme abuzojnë duke nxjerrë fëmijë në ekranet e televizioneve, por ndërkohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë lënë 5.6 miliardë borxh për shpërblimin e lindjes së fëmijëve. Në Shqipëri mund të lindësh me halle, probleme, por në Shqipëri lind dhe me borxhe! Sepse qeveria që ishte nuk pagoi shpërblimin e lindjes duke i trashëguar shtetit sot dhe familjeve, 5.6 miliardë lekë borxh!

Ndërkohë që merakosen për punonjësit e Policisë dhe lanë 1.1 miliardë lekë borxh në Policinë e Shtetit “mbikohë” pune e papaguar. Sepse i degdisnin punonjësit e Policisë me urdhër peshku dhe as i paguanin për punën që bënin. Për të mos folur pastaj për 14 miliardë lekë borxh që i trashëguam në Ministrinë e Punëve të Brendshme për emergjencat civile! I mbajmë mend të gjithë përmbytjet fatkeqe."

"Do të bashkojmë Regjistrin e Gjendjes Civile me Regjistrin e Adresave për lista të sakta zgjedhësish"
Tahiri theksoi në vijim se "numri i punonësve të Policisë së Shtetit do të rritet me mbi njëmijë vetë, që do të arsimohen në institucionet e saj. Do të marrim ekseprtët më të mirë nga shoqëria për të luftuar krimin kibernetik, sepse lufta kundër kriminalitetit është në radhë të parë dije.

Byroja Kombëtare e Hetimit buxhetohet dhe do të ketë një zë të veçantë, me qëllim që të japë rezultatet efektive kundër korrupsionit elitar. Ndaj buxheti për çështjet e brendshme dhe ankesat e qytetarëve do të ketë një rritje prej 30%. Bashkë me linjën e gjelbër për të luftuar korrupsionin brenda Policisë së Shtetit. Nëse deri dje korrupsioni ishte sistem. Sot mund të ketë punonjës policie të korruptuar, por me koston e tyre personale. 

Së shpejti do bëhet efektiv, komisariati dixhital. Një zë më vete e parashikon edhe rikonstruksioni I ambienteve të Forcave Speciale dhe Ndërhyrjes së Shpejtë, që deri më sot janë trajtuar si mercenarë që lëshoheshin aty këtu dhe askush nuk mendonte për gjendjen e tyre.
Po ashtu, do të bashkojmë Regjistrin e Gjendjes Civile me Regjistrin e Adresave. Bashkimi i tyre do të shuajë përfundimisht problemet me listat e zgjedhësve dhe do të japë mundësinë të kemi llogaridhënie të plotë për qytetarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë." 
 

HAXHINASTO: PER UJIN, DO TE ZGJEROJME RRJETIN - PER HEKURUDHEN, LIDHIM TIRANEN ME RINASIN  
Ora 18:12 Ministri i Transporteve Edmon Haxhinasto renditi objektivat për furnizimin me ujë, përmirësimin e transportit etj ku veçoi: "Me këtë buxhet investimet publike në rang ekonomie janë planifikuar 5.4% të produktit të brendshëm bruto, ku peshën më të madhe të investimeve e përmban Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, me rreth 53.3% të tyre. Ne do të realizojmë intesifikimin e mirëmbatjes së rrugëve nëpërmjet përmirësimit të administrimit të tij, shoqëruar nga një reformë e thellë në pushtetin vendor. Mbështetja buxhetore sa i përket këtyre objektivave tona do të bëhet përmes planit tonë të investimeve që arrin rreth 21.8 miliardë Lekë. Ne kemi konsideruar si të rëndësishme disa nga akset kryesore, si aksin Milot-Lezhë, Rrugën e Kombit, aksin Plepa-Rrogozhinë, akset turisiktike të bregut të Jonit, aksin e liqenit të Pogradecit , rrugët turisitike të Alpeve, unazën e re të Tiranës, rrugën Lushnje-Berat, Buzuq-Corovode dhe të tjera. 

Siguria rrugore vazhdon të jetë prioritare në kuadër të investimeve. Ajo ka rritjen më të madhe në këtë buxhet duke u dyfishuar me 1 vit më parë . ivenstimet e këtij zëri do të shkojnë kryesisht për aksin Fier-Vlorë-Sarandë-Butrint, për aksin Rrogozhinë-Elbasan-Pogradec-Korçë, për aksin Tiranë-Shkodër, Aksin Milot-Morinë dhe të tjera. Për zërin mirëmbajtje do të realizojmë një projekt të dedikuar, që vetëm për vitin 2015 shkon rreth 17 milionë USD 

Sa i përket objektivave tona në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve mund të them se janë ambicioze. Do të realizojmë zgjerimin dhe përmirësimin e rrjeteve dhe cilësisë së shërbimeve, veçanërisht me ujë të pijshëm, nëpërmjet rrjetit të ujësjellësit në zonat urbane në masën 95% dhe në atë rurale rreth 79% dhe sigurisht do të rrisim mesataren e furnizimit në shkallë vendi me ujë të pijshëm në 16 orë/ditë. 

Do të vazhdojmë me projekte të reja me impakt të madh në jetën e qytetarëve, ku më të rëndësishmet për tu përmendur janë; Programi komunal 1 ku përfitojnë qytetet Fier, Sarandë Gjirokastër Lezhë apo Programi komunal 2, ku përfitojnë qytetet Berat Kuçovë, Fier dhe Sarandë, si dhe projekti i rëndësishëm i ujësjellësit për qytetin e Durrësit.Përfitime kanë dhe sektorët e tjerë, si transporti detar. Zë tjetër i rëndësishëm është ai i transportit hekurudhor. Në këtë buxhet do t’i hapim rrugën studimit për linjën Tiranë-Durrës, realizimin e lidhjes së kësaj linje me Rinasin, si dhe realizimin e nje studimi tërësor ekonomik për rrjetin hekurudhor shqipëtar."


PANARITI: ME PAKETËN FISKALE I JAPIM FIZIONOMI EVROPIANE BUJQËSISË
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka vlerësuar paketën fiskale për bujqësinë, që sipas tij është një paketë nxitëse për fermerët. “Paketa e bujqësisë është një arritje e madhe. Nuk ka njohur më parë bujqësia shqiptare një paketë të tillë nxitëse. Paketa përfshin lehtësim të TVSH-së, lehtësim me 14% i barrës fiskale, e cila do jetë direkt një inkurajim për fermerët, të cilët nuk do të kenë më interes të jenë informalë. Fermerët e regjistruar përfitojnë nga BE”, tha ministri i Bujqësisë.

Panariti deklaroi se me këtë paketë, bujqësisë shqiptare i jepet një fizionomi evropiane, pasi ka një rritje në masën 26%. “Me paketën fiskale i japim fizionomi evropiane, bujqësisë shqiptare. Ne nuk mund të përkrahim më kuturu. Shqipëria do ketë për herë të parë hartën e realizimit të prodhimeve bujqësore, e cila do të bëhet publike të premten. Buxheti për bujqësinë ka një rritje në masën 26%, me mbi 8 miliardë lekë. Investimet tona janë të mirëmenduara, janë komplementare me njëri-tjetrin. Ky buxhet do të rrisë prodhimtarinë, do të rrisë eksportet, do të rrisë të ardhurat për fermerët dhe rrjedhimisht për ekonominë shqiptare”, u shpreh Panariti.



PELESHI: BUXHETI 2015, I REFORMAVE TË GUXIMSHME
Buxhetin e reformave të guximshme e cilësoi zëvendës kryeministri Niko Peleshi buxhetin 2015. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit Peleshi theksoi se opozita duhet të ishte e pranishme në sallë. Ai u shpreh se asnjë nga paralajmërimet e opozitës nuk rezultoi i vërtetë.

“Jemi në politikë për ti dhënë vendit tonë dhe qytetarëve një jetë më të mirë. Opozita duhet të ishte edhe për të përballur faktin se askush nga paralajmërimet e bëra si sot një vit më parë nuk rezultuan të vërteta. Është folur për skenar grek, për taksa që do u merrnin frymën bizneseve. Trashëguam një rritje ekonomike 1,4% e krahasueshme vetëm me vitin ‘97. Ekonomia ishte në rënie, të ardhurat ishin në rënie, e vetmja gjë që po rritje ishte borxhi. Ja dolëm për ti dhënë fund treguesve negativ që në muajt e par të qeverisjes. Shqipëria u ngjit me 40 vende në indeksit e të bërit biznes”- u shpreh Peleshi.

“Ky buxhet është ambicioz për të pasur një ndikim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e vendit. koha kur disa paguajnë dhe disa jo ka mbaruar. Buxheti i 2015 është buxheti i investimeve të mëdha. Ne po ulim borxhin dhe po rritim investimet. Për të dytin vit radhazi po injektojmë në ekonomi rreth një milionë dollarë”- theksoi Peleshi.

NDOKA: ME KETE BUXHET SHQIPTARET DO THONE “THANAS SHTRENGO RRIPIN”
Deputeti i PDK-së Nard Ndoka, i vetmi deputet i opozitës i pranishëm në seancën për miratimin e buxhetit 2015 deklaroi se paketa fiskale godet biznesin e qytetarët dhe parashikon rritje të taksave. Ai tha se përbën një rast flagrant të ikjes nga taksimi i ndershëm.

“Paketa fiskale e paraqitur nuk sjell asgjë te re për financat. Godet biznesin e qytetarët, ecën në gjurmët e paketës së 2014, parashikon rritje të taksave . Paketa fiskale është rast flagrant i ikjes nga një taksim i ndershëm. Është një paketë fiskale e taksimit më të rëndë, e favoreve klienteliste. Në formën e taksave të reja vijnë në buxhet 150 mln lekë që do vijnë nga taksapaguesit. Zoti Kryeministër me këto masa shtrënguese, mund të rrisin informalitetin. Rritja e taksave për karburantet, është taksë zinxhir, sjell rritje të çmimeve”, tha Ndoka.

Ai akuzoi maxhorancën se nuk po mban premtimet e dhëna duke sjellë ulje të investimeve në një sërë fushash. “Ulet me 6.4% transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor. Për vitin 2015 keni planifikuar më pak fonde për ish-të përndjekurit. Shpenzimet operative i rrisni me vrull të madh, por jo shpenzimet kapitale. Ulet niveli i investimeve publike nga 4.8% në 4.5%. Pr/buxheti nuk shoqërohet me listën për investimet publike, për të parën herë. Ulen investimet për sigurinë ushqimore. Ulen investimet me 7 mln dollarë për transportin publik. Ulen investimet në arsimin bazë dhe atë të mesëm me 4 mln dollarë. Ulen investimet për shëndetësinë. Rrisni numrin e policëve, por ulni investimet në policinë e shtetit. Ulni investimet në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Të gjitha këto masa shtrënguese dhe masa të tjera që do të futen gjatë rrugës, të krijojnë besimin se shqiptarët do ta presin vitin tjetër me sloganin ‘Thanas shtrëngo rripin’”, deklaroi deputeti i PDK-së, Nard Ndoka.

LESKAJ: BUXHETI, QASJE E RE NE ZHVILLIMIN E VENDIT
Deputetja socialiste Valentina Leskaj tha se buxheti i vitit 2015 sjell një qasje të re në zhvillimin e vendit dhe debati që po bëhet për të vë në provë vullnetin e maxhorancës. “Ky nuk është debati rutinë ku diskutohen ca shifra, është një debat i ri që në një farë mënyre vë në provë vullnetin e maxhorancës. Ky buxhet sjell një qasje të re në zhvillimin e vendit. Ky buxhet adreson reformën e pensioneve, energjisë, reformën sociale. Ky buxhet rrit të ardhurat. Ky buxhet rrit nivelin e mirëqenies sociale. Sjell ndryshim cilësor në bujqësi. Ky buxhet ka ambicie për të ulur papunësinë”, tha Leskaj.

Sipas saj, arsimi është sektori më i mbështetur nga qeveria që merr afërsisht 3% të PBB-së. “Qeveria ka dhënë mbështetjen maksimale për arsimin ku buxheti për të është afërsisht 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Synojmë të arrijmë 5% të PBB. Për sa i përket shëndetësisë, na vë në një pozitë jokomode duke parë sfidat”, tha deputetja Valentina Leskaj.

Ajo dha edhe disa sugjerime për sa i përket vendeve të reja të punës, ku kërkoi rritje të kritereve. “Rritja e financimeve për vendet e punës duhet të ketë edhe rritje të kritereve, që ti jepet fund çdo lloj abuzivizmi. Duhet parë mundësia e investimit qoftë edhe në formë të pjesshme të fondit të pensioneve. Ky është buxheti që ka në qendër më shumë se çdo herë tjetër njeriun. Shkon në një linjë me interesat e atyre që e kanë votuar e besuar”, deklaroi Valentina Leskaj.

MINISTRI KOKA: 365 MLN LEKE PROJEKTE PER MJEDISIN
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se me buxhetin e vitit 2015 do të zbatohen një sërë projektesh, të cilat kapin vlerën e 365 milion lekëve dhe garantojnë një Shqipëri më të gjelbër e më të pastër.

“Qeveria shqiptare me financim të huaj, rreth 365 milion lekë do bëjë të mundur zbatimin e një sërë projektesh. Do vazhdojmë të implementojmë, projekte të Bankës Botërore. Për pyjet, fillon projekti i shërbimeve mjedisore, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare që do të sjellë një kadastër të pyjeve. Nga buxheti i shtetit, për pyllëzimin e zonave të mbrojtura është parashikuar një shumë prej 100 milion lekësh. 20% e pyjeve ka kaluar në administrimin e pushtetit vendor. Do të ishte e udhës që me reformën e re administrative pyjet të kalonin të gjitha tek pushteti vendor. Shqipëria është më e pastër dhe më e gjelbër se një vit më parë. Për 2015 Shqipëria do të jetë akoma më e pastër dhe më e gjelbër”, tha ministri Koka.

AHMETAJ: NË 2015 RRITJA EKONOMIKE KALON 3% 
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se në vitin 2015 parashikohet që rritja ekonomike të shkojë 3%.

“Punë dhe reforma në një vit, ka qenë i vështirë, me sakrifica, ndaj po them që 2015 konsolidon rritjen ekonomike ku do kalojë në 3% për të arritur në fund të mandatit në 4,5%. Nëse nuk kapërcen mbi 4% rritja ekonomike përfitimet tek qytetari janë shumë të vogla” tha ai.

Duke u ndalur tek shifrat, Ahmetaj tha se vendi pret që vetëm vitin që vjen të ketë 1,3 miliardë investime të huaja.

Përsa i përket reformës në industrinë fasone, ai shtoi se, “Dikush qeshi dhe u tall por janë144 milionë dollarë më shumë eksporte dhe 5600 vende të reja pune. Industria kimike dhe plastike janë rritur eksportet me 40% ka gati 4 mijë vende të reja pune të hapurta”.

Ndërsa në lidhje sektorin energjetik dhe minerar, Bushati shtoi se, “Reforma që do ndërmarrim në këtë sektor do garantojë që 20 mln dollarë që po hedhim në vitin 2015 në 2 dhe 3 vitet në vazhdim nuk do jenë më mbështetje po do kthehet ky sektor të na mbështesë ne nga gati 500 milianë”.

RUCI: JA PSE DUHET TA VOTONI KËTË PR/BUXHET 
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi renditi disa prej arsyeve se pse duhet votuar ky buxhet, që sipas tij forcon stabilitetin.

“Pas 1 viti qeverisje mund ta cilësojmë si buxhet që synon rimëkëmbjen e ekonomisë dhe stabilitetin fiskal”.

Sipas Rucit, ky pr/buxhet synon nxitjen dhe rritjen ekonomike, vazhdimin dhe konsolidimin fiskal, forcimin dhe stabilitetin makro-ekoniomik të vendit, ruajtjen e stabilitetit ekonomik, forcon mbrojtje sociale ndaj shtresave në nevojë, redukton deficitin. 

MAJKO: SHUMË TAKSA PËR TË LARË “GJYLEN” E LËNË NGA PARAARDHËSIT
Deputeti i PS-së Pandeli Majko duke u ndalur tek rritja e akcizës së duhanit, tha se ajo nuk i shërben shëndoshjes së familjes shqiptare, ashtu siç deklaruan me humor deputetët e majtë, por se kjo rritje bëhet për të paguar borxhet e lëna nga qeverisja e mëparshme.

“Nuk mendoj se shqiptarëve do tu shëndoshet familja duke lënë duhanin. Nuk është duhani shkak për prishjen e familjeve, do rendisja një sërë shkaqesh për prishjen e familjeve. Një shkak janë pijet alkoolike, por ju zoti Beqaj nuk na keni sjellë ndonjë taksë për pijet alkoolike. Prishja e familjeve lidhet edhe me ekzistencën e pikave të basteve e lojërave të fatit. Me këtë buxhet nuk shikoj ndonjë taksë për lojërat e fatit. Kemi të bëjmë me një buxhet të kontraktuar, për shkak të “gjyles” që kanë lënë paraardhësit tanë.

Majko tha se këtë vit nga buxheti i taksapaguesve janë paguar 260 mln dollarë nga borxhet ndërsa deri në fund të vitit do paguhen të tjera dhe shuma do arrijë në 350 mln dollarë. “Ndërkohë që qeverisim ne paguajmë për rrugët e bëra në 2006, në 2009 etj”, tha deputeti i PS-së Pandeli Majko.

ANGJELI: EKONOMIA PO JEP SINJALE POZITIVE 
I pari që mori fjalën ishte Anastas Angjeli, në rolin e relatorit për pr/buxhetin. Ai foli për një buxhet kthese, që po i jep ekonomisë sinjale pozitive. Ai tha më tej se ky buxhet parashikon rritje ekonomike.
“Një vit më parë e cilësuam buxhetin e kthesës, kriza ekonomike u frenua, financat publike u vunë nën kontroll edhe borxhi dhe deficiti. Në krahasim me 2013 në këtë fundvit ndryshimet janë të dukshme. Ekonomia po jep sinjale pozitive, si ajo në arsim energjetikë, bujqësi reforma territoriale”.

RAMA: KRENARË PËR ARRITJET E VITIT TË PARË 
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Rama shprehet krenar për arritjet e vitit të parë të qeverisjes.
“Nesër diskutojmë buxhetin e ri; krenarë për arritjet e vitit të parë e ambiciozë për një tjetër vit domethënës në rrugën e Rilindjes që duam”- shkruan kryeministri. 

RAMA: JA C'DO NDODHE ME TAKSAT, ENERGJINE, BUJQESINE
Më pas po në rrjetin social Facebook, Edi Rama u përqëndrua tek premtimi për taksën progresive.
“Projekti i vitit tjetër besnikërisht në përputhje me frymën e Rilindjes: Kush ka më shumë paguan me shumë kush merr me pak paguan më pak!”.
Sipas Ramës, ndryshimet do të jenë reale sepse do të zeron dhe ulen 15 taksa.
“Zerohen ose ulen 15 taksa për nxitjen e prodhimit, konsumit, mbrojtjes mjedisore; falen kamatëvonesat për sigurimet në fshat. Ndryshime reale”.

"Mbeshtetja per bujqesine permes nje pakete financiare afro 100% me te larte se ne vitin 2013 #Buxheti2015 vazhdon rruga e ndryshimit real!", shkruan me tej Rama.

"+10 mln USD per familjet ne ndihme ekonomike e personat me aftesi te kufizuar dhe 16 mln USD direkt pas heqjes se fashes 300kw. 20 miliarde leke per rimekembjen e sektorit te energjise . Buxheti2015‬", shprehet mbi ceshtjen e energjise, kryeministri.

PAKETA FISKALE
Kuvendi diskuton të hënën në seancë plenare paketën fiskale për vitin 2015. Paketa fiskale ka 14 masa në tërësinë e tyre, ku tre masa realizojnë gjenerim të ardhurash, kurse 11 masa janë lehtësim i biznesit dhe qytetarit, konsumatorit, individit në Shqipëri. Politikat e reja të taksave dhe tatimeve në vitin 2015 synojnë një zgjerim të mëtejshëm të bazës së të ardhurave për të mbështetur rritjen e shpenzimeve publike dhe konsolidimin fiskal. Njëkohësisht, hartimi i paketës fiskale 2015 është bërë në drejtim të mbështetjes së reformave të qeverisë për vitin 2015, për disa sektorë të ekonomisë. Përmes paketës fiskale mbështetet sektori i sigurimeve, duke hequr TVSH për produktet e jo-jetës prej 20% dhe aplikimi i një takse mbi primin prej 3%. Mbështetje ofrohet edhe për sektorin e peshkimit duke e përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet, si dhe për sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit duke hequr tarifat doganore për disa lëndë të para. Po ashtu, kjo paketë mbështet edhe rafineritë vendase, duke hequr taksën doganore të naftës bruto prej 10%. Sektori i pensioneve vullnetare, është një tjetër sektor që mbështet gjatë vitit 2015 duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale kontributet në fondet vullnetare të pensioneve që në momentin e kontributit. Po ashtu planifikohet rritja e rentës minerare për pushtetin vendor dhe heqja e kushtëzimit me transfertën e pakushtëzuar, duke rritur kështu financat e pushtetit vendor. Gjithashtu, në këtë paketë fiskale adresohen disa kërkesa disavjeçare të biznesit si çështja e firove apo e amortizimit me vlerën e mbetur.
Paketa Fiskale 2015 sjell ndryshime të rëndësishme të dakordësuara me Fondin Monetar Ndërkombëtar në disa taksa, si TAP, taksa e qarkullimit dhe akciza e cigareve.

Tatimi mbi të ardhurat personale synon ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga që u ulën vitin e kaluar me Paketën Fiskale 2014. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015. Më konkretisht komponentët e TAP që ndryshojnë janë tatimi mbi dividentin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.

Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lek / litri për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015. Gjatë vitit që vjen qeveria planifikon edhe rritjen e akcizës për duhanin është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Përpos kësaj, ne kemi një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Për këtë arsye, në muajin tetor 2014, Kuvendi miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lek/1000 copë (90 lek /paketë), që ishte në 5500 lek /1000 copë (110 lek /paketë). Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja.

Pas miratimit në parim paketa fiskale do të rikthehet për diskutim nen për nen në komsionet parlamentare ku deputetët kanë paralajmëruar ndryshime. 

Nga taksat e reja efekti pozitiv ne buxhet llogaritet 160 milionë dollarë. 

PR/BUXHETI
Projektbuxheti i vitit 2015 do të kalojë këtë të hënë për diskutim në seancë plenare në Kuvend. Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm të ardhurat totale të arrijnë në 27.8 për qind e Prodhimit Kombëtar, me një rritje prej 49 miliardë lekësh krahasuar me këtë vit.

Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekë krahasuar me buxhetin
fillestar të vitit 2014.

“6 vite të qeverisjes së Partisë Demokratike realizojnë shtesë të ardhurash vetëm 75.6 miliardë lekë. Vetëm 2 vite të kësaj qeverie, realizojnë 87.3 miliardë lekë. Atë që realizohet në 2 vite, nuk është realizuar as në 6 vite më parë”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Qeveria pretendon se ky rezulat i lartë vjen prej luftës ndaj evazionit fiskal dhe jo nga rritja e taksave. Komponenti ‘rritje taksash’, është më pak se sa një e treta e të ardhurave shtesë që pritet të realizohen vitin që vjen.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të arrijë 475 miliardë lekë ose rreth 31.7% e PBB. Bazuar në parashikimet afatmesme, shpenzimet totale buxhetore parashikohen të ulen në terma realë (30.6% e PBB në 2016 dhe 29% të PBB në 2017) duke reflektuar kësisoj objektivin e uljes së borxhit publik gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, niveli total i investimeve publike i parashikuar për periudhën 2015- 2017, reflekton një trend konstant përgjatë kësaj periudhe me një mesatare prej 5.3% të PBB. Ky fakt, konfirmon dhe një herë prioritetin e Qeverisë për të kontribuar aktivisht në rritjen ekonomike dhe rritjen e nivelit të punësimit në vend.

Por pavarësisht parashikimeve optimiste të qeverisë, projektbuxheti u kundërshtua nga Partia Demokratike. Opozita nuk ishte e pranishme gjatë diskutimit në parim në komisionet parlamentare por ajo shprehu qëndrimin e vetë gjatë daljeve publike nga selia e PD. Sipas opozitës, projektbuxheti është shembull i qartë se si një qeveri, jo vetëm nuk mban premtimet e saj për shëndetësi falas, legalizime falas e ulje taksash, por rrit varfërinë në vend.

(er.nu/ma.ar/d.b/m.k/a.n/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Majko: Të falen kamatëvonesat, Rama: Asnjë tolerim, energjia paguhet, pikë!  Vokshi ndjek Kuvendin nga ekrani: Buxheti - propagandë dhe agjitacion