Operatori i Transmetimit të Energjisë kërkon të realizojë 100 milionë euro investime në rrjet përmes një procedurë të veçantë duke anashkaluar ligjin e prokurimeve publike. Procesi ka nisur zyrtarisht në datën 28 dhjetor të vitit të kaluar, nga ish administrori i OST, Klodian Gradeci, më vonë i shkarkuar pas skandalit të DH Albanias.


Përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë dhe Entit Rregullator, OST ka kërkuar dritën jeshile për të për të kontraktuar një kompani private, e cila do të bëjë ndërhyrjet në të gjithë rrjetin vendas të transmetimit me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet për 15 vjet. Por OST thotë se ky nuk është koncesion.


Procedura, e cila kërkohet të ndiqet nuk është PPP, por do të realizohet nëpërmjet marrjes së një huaje tregtare (pa garanci sovrane) nga të tretë, hua e cila do të sigurohet nga kompania, e cila do të fitojë edhe realizimin e këtij investimi


Pra privati do të marrë 100 milionë euro hua në bankë me interesa të larta tregtare, do të bëjë po vetë punimet dhe në fund shteti shqiptar do të shlyejë faturën.


Por çfarë qëndron pas projektit? Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për nje kompani kineze, e cila vjet ka patur kontakte të vazhdueshme me OST-në dhe madje ministrinë e energjisë. Madje është kjo kompani, e cila ka bërë studimin e rrjetit duke përcaktuar, pikat se ku duhet ndërhyrë dhe faturën e investimeve.


Aktualisht projekti është në Ministrinë e Energjisë dhe asaj të financave, por deri më tani nuk ka marrë ende aprovimin. Mbetet e paqartë nëse Ministria e Energjisë do të vazhdojë me procedurën kontroverse, e cila ngjan me një koncesion të ri, këtë here 100 milionë euro. /TCH