Në Kosovë ka nisur pajisja e qytetarëve me pasaportat e para biometrike. Me anë të një ceremonie të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme autoritetet shënuan nisjen e procesit që është një nga kushtet kryesore që duhet të përmbushet për liberalizimin e vizave.





Në këtë ceremoni krahas përfaqësuesve të lartë të institucioneve të
vendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian në
Prishtinë dhe ambasadorë të vendeve mike. Kryeministri Hashim Thaçi tha
se ky është një hap i madh për Kosovën.



“Sot me lëshimin e pasaportës së parë biometrike, po e përmbushim një
parakusht shumë të rëndësishëm për Kosovën, si në rrafshin e
përgjithshëm të sigurisë së dokumenteve, ashtu edhe në kontekstin e
liberalizimit të vizave. Me digjitalizimin e regjistrit civilë dhe
lëshimin e pasaportave biometrike, ne tashmë mund të themi që dita kur
qytetarët e Republikës së Kosovës mund të lëvizin pa viza, do të bëhet
një realitet shumë shpejt”, tha Thaçi.



Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se Kosova me lëshimin e
pasaportave biometrike po plotëson një kriter të rëndësishëm për
liberalizimin e vizave.



“Në ditën e fundit të tetorit po e përmbushim një premtim që e kemi
dhënë më parë se procedimi i pasaportave biometrik do të filloi në tetor
dhe sot ka ardhur ajo ditë. Është një ndër kushtet shumë të rëndësishme
që duhet të plotësohet rreth liberalizimit të vizave”, u shpreh
Rexhepi.



Zyhrie Grajçevci ishte qytetarja e parë kosovare që u pajis me pasaportë
biometrike. Ajo shpreson që shpejt edhe kosovarët të lëvizin të lirë në
Evropë. Për të fituar lirinë e lëvizjes Kosovës i duhet më shumë
progres në fushën e riatdhesimit dhe riintegrimit, në regjimin e
integruar të kufijve dhe në disa fusha të tjera.



Bul Salihu